E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimet në shëndetësi, BB jep 19 milionë euro

 

Plot 19 milionë euro investime në shëndetësi. Projekte madhore pritet të vihen në jetë në sajë të fondit, që Banka Botërore i ka vënë në dispozicion Ministrisë së Shëndetësisë. Parashikohen të blihen 1500 ambulanca të reja, të pajisen me aparatura 6 qendra shëndetësore. Pos këtyre 7 spitale kryesore në vend do të kenë mundësi të eliminojnë brenda standardeve mbetjet spitalore. Nga ana tjetër do të realizohet depistimi i sëmundjes së kancerit të gjirit në popullatë me blerjen e mamografive. “Financimi i BB është një financim i madh që bëhet për Institutin e Sigurimeve Shëndetësore. Rreth 2 milionë dollarë do të investohen për pajisje mjekësore për 1500 ambulanca dhe për 6 qendra shëndetësore në të gjithë Shqipërinë si dhe për poliklinikat e Tiranës”, tha Saimir Kadiu, drejtor i shpërndarjes së buxhetit në Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas tij, këto janë projekte që do të shënojnë një hap të rëndësishëm në zhvillimin e sistemit shëndetësor. “Mendohet që ky projekt do të financojë 1.5 milionë dollarë për blerje mamografish, në mënyrë që të bëhet depistimi dhe gjithë kontrolli i mundshëm në kuadër të luftës kundër kancerit”, tha Kadiu. Ai nënvizoi se një problem i madh janë dhe mbetjet spitalore dhe në këtë kuadër mendohet të blihen pajisjet e para për mbetjet spitalore me një fond prej 1.5 milionë dollarësh për 7 spitalet kryesore të vendit. Ndërkohë, sipas tij,  3.5 milionë dollarë nga fondi i përgjithshëm do të vihen në dispozicion të sistemit të informacionit të ISKSH-së. Kadiu tha se fondet e Bankës Botërore do të jenë aktive brenda muajit prill të këtij viti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›