Kartat, pakt PS-PD për komision ad-hoc
Aristir Lumezi
Kuvendi i Shqipërisë do të miratojë sot komisionin ad hoc për monitorimin e kartave të identitetit. Socialistët kërkuan një muaj më parë ngritjen e një komisioni ad hoc nisur nga parregullsitë dhe pengesat, që po krijoheshin në aplikimin për karta identiteti të qytetarëve. Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë rënë dakord që komisioni ad hoc të përbëhet nga tetë anëtarë, ku kryetari do t’i përkasë Partisë Demokratike, nënkryetari Partisë Socialiste dhe do të funksionojë vetëm mbi bazën e një neni. Sipas tij, deputetët do të kenë të drejtë t’i kërkojnë çdo lloj informacioni Ministrisë së Brendshme në lidhje me procesin e aplikimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit dhe mbi këtë informacion, ata do të raportojnë dhe diskutojnë në këtë komision, duke nxjerrë dhe problematika të këtij procesi. Kreu socialist Edi Rama ka kërkuar që në 20 janar, një javë pas nisjes së aplikimit për karta identiteti, ngritjen e një komisioni të tillë, i cili do të monitoronte të gjithë procesin me problematikën e tij. “Ne e quajmë absolutisht të domosdoshme ngritjen e një komisioni parlamentar ad-hoc, që të monitorojë procesin e përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore dhe të ushtrojë kontrollin e posaçëm të parlamentit mbi strukturat qendrore e vendore të përfshira në këtë proces gjatë gjithë periudhës së mbetur deri në zgjedhje”, ka deklaruar Rama për rëndësinë e një komisioni të tillë. Socialistët kanë kërkuar zhdukjen e dublikimeve në regjistrin kombëtar të shtetasve, ndërkohë që në listat e zgjedhësve janë vërejtur dhe me qindra shtetas me moshë mbi 100-vjeçare. Fillimisht socialistët kërkuan pajisjen me karta identiteti të rreth 730 mijë votuesve që nuk kanë pasaporta për jashtë shtetit, një nga dokumentet e sanksionuara në Kodin zgjedhor për të votuar në 28 qershor.
Socialistët
I pyetur nga gazeta Panorama, në lidhje me zvarritjen nga maxhoranca të ngritjes së këtij komisioni, sekretari organizativ i Partisë Socialiste Blendi Klosi u shpreh dje se “nesër do ngremë komisionin duke e miratuar në Kuvend. Ky komision, ashtu siç e kemi theksuar që në fillim do të merret ekskluzivisht me çështjen e aplikimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit. Ky komisionin do të monitorojë nga afër qeverinë në këtë proces”. Ndërkaq, Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi dje komisionin hetimor parlamentar për kartat e identitetit. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha dje gjatë një konference për shtyp se: “LSI kërkon ngritjen e menjëhershme të një Komisioni hetimor Parlamentar për të zbardhur e bërë publike gjendjen reale në të cilën ndodhet procesi i pajisjes me karta identiteti, si dhe përgjegjësitë konkrete të mosrealizimit të tij, për t’i dalë përpara një komprometimi të rëndë të standardeve të zgjedhjeve dhe të situatës politike, si pasojë e tyre”. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së dha alarmin për cenimin e standardeve të zgjedhjeve të qershorit me këtë ritëm që po ecën aplikimi dhe shpërndarja e kartave të identitetit. Sipas tij, “gjendja kritike në të cilën ndodhet procesi i shpërndarjes së kartave, standardet e zgjedhjeve janë shumë të rrezikuara dhe si të tilla zgjedhjet në 28 qershor do të jenë të kontestuara”. Vasili bëri përgjegjëse qeverinë për të gjithë procesin. “Qeveria është përgjegjëse për këtë proces dhe fajtore për dështimin e procesit të pajisjes me karta identiteti deri tani. Qeveria po e fut procesin dhe dështimin e tij në rrugën e faktit të kryer, për të aplikuar më pas në kushtet e krizës së kohës, skenarë të tjerë komprometues, të cilët e rrëzojnë Kodin Zgjedhor, i cili lejon vetëm votimin me karta identiteti dhe pasaporta”, tha Vasili.