Poni: Shpërndamë 23 mijë karta
BLEDAR HOTI
Kur janë mbushur 60 ditë nga aplikimi i parë në Tiranë për pajisjen me kartën e re të identitetit, këtë proces e kanë kryer mbi 221 mijë persona në të gjithë vendin. Por deri tani kanë marrë dokumentin e ri vetëm 23 mijë qytetarë në Tiranë, ose diçka më shumë se 10 për qind e atyre që kanë aplikuar. Zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni zbardh, gjatë një interviste në “Alsat” disa nga shifrat e procesit të nisur në 12 janar. Sipas tij, deri tani janë ngritur qendrat e aplikimit në 145 gjendje civile në të gjithë vendin dhe në to funksionojnë 291 stacione aplikimi. “Sot në Shqipëri ka një proces që shkon sipas parashikimeve. Janë hapur qendrat e aplikimit në mbi 145 zyra të gjendjes civile me 291 stacione aplikimi dhe në raportin e pas datës 10, duke përfshirë edhe datën 10 kemi 221.395 aplikime të shtetasve për letërnjoftime, të shpërndara kryesisht në njësitë e mëdha, por edhe në njësitë e tjera”, theksoi Poni.
Aplikimet
Sipas zv/ministrit të Brendshëm, sot makinat e prodhimit përgatisin rreth 12-13 mijë letërnjoftime në ditë. Duke bërë një përshkrim të ecurisë së procesit të aplikimit në të gjithë vendin, zyrtari i lartë i qeverisë tha se në datën 6 mars kanë aplikuar 10.308 qytetarë në të gjithë vendin, në datën 9 mars 11.097 aplikime dhe në 10 mars 11.763 aplikime. Sipas planit të këtij dikasteri, brenda fundit të kësaj jave, të gjithë qytetarët që kanë aplikuar deri në 28 shkurt mund të pajisen pranë gjendjeve civile me kartat e reja të identitetit. “Deri në fund të javës do jenë të shpërndara në të gjitha qendrat e shpërndarjes për Tiranën edhe gjithë muaji shkurt, gjë që do ta rrisë në 130 mijë numrin e letërnjoftimeve, që duhet të merren nga qytetarët. Ata duhet të vijnë të tërheqin letërnjoftimet. 12 mijë aplikime në ditë është një shifër goxha e lartë, është në përputhje me planin, sepse 15 mijë është maksimumi nëse punon në të gjithë vendin. Ne sot kemi shtrirje në mbi 76% të popullsisë me zyra aplikimi, që do të thotë se 25% janë këto 2-3 mijë. Jemi në parametra krejt normalë”, vijoi më tej Poni.
Kartat e reja
Por ndërsa në të gjithë vendin kanë aplikuar më shumë se 220 mijë qytetarë, diçka më shumë se 10 për qind e tyre kanë marrë kartat e reja të identitetit. I pyetur për këtë fakt zv/ministri i Brendshëm theksoi se tani është në vullnetin e qytetarëve për t’u paraqitur në zyrat e ngritura pranë gjendjeve civile, për të marrë dokumentin e ri. “Janë tërhequr nga qytetarët deri tani 23.448 aplikime. Në datën 6 janë tërhequr 1280 karta, në datën 7 megjithëse ritmi të shtunën është më i ulët dhe janë tërhequr 957, në datën 9 mars 1365 letërnjoftime dhe në datën 10 1381 aplikime. Shpërndarja është në Tiranë, sepse është për aplikimet që janë bërë në janar”, theksoi më tej zv/ministri i Brendshëm. Veç mungesës së transparencës, opozita ka ngritur zërin edhe për mundësinë e vogël që kanë qytetarët pa pasaportë për t’u pajisur me dokumentin e ri, i cili do t’i mundësojë atyre pjesëmarrjen në votime. Sipas shifrave zyrtare, rezulton se në Tiranë kanë aplikuar për t’u pajisur me kartë identiteti rreth 40 mijë qytetarë që nuk kanë pasaportë, ndërkohë që numri i përgjithshëm i kësaj kategorie është rreth 80 mijë. Megjithatë, Poni thotë se kjo shifër prej 40 mijë aplikimesh, është vërejtur nga 107 mijë aplikimet e para, të cilat kompania koncensionare ka nxjerrë numrat e identitetit dhe ia ka paraqitur ministrisë. Nga të dhënat, qendrat e ngritura në Tiranë megjithëse kanë kapacitete për të pranuar deri në 6 mijë aplikime në ditë, numri real i aplikimeve në 24 orë është rreth dy mijë. Përveç 291 stacioneve që po funksionojnë tani normalisht në të gjithë vendin, janë gati për t’u konfiguruar edhe 118 stacione të tjera, të cilat përfshijnë komunat dhe bashkitë me një numër të vogël popullsie. Nga një llogaritje e thjeshtë e zv/ministrit të Brendshëm, rezulton se me një ritëm aplikimi normal, deri në fund të prillit mund të aplikojnë të gjithë qytetarët pa pasaportë. “Një komunë me 5 mijë banorë, ka rreth 3500 votues dhe që ka afërsisht 1 mijë shtetas pa pasaportë. Nëse do të ketë një stacion aplikimi, mesatarja është 40 aplikime në ditë, që do të thotë 25 ditë për të gjithë shtetasit pa pasaportë. Nëse jap një afat krejt real, që nëse të gjitha stacionet do të jenë operative brenda 27 marsit, sipas llogarive, të gjithë shtetasit pa pasaportë përfundojnë aplikimin brenda prillit”, theksoi më tej Poni.
te dhenat e ministrise
145 zyra të gjendjes civile, ku janë hapur qendrat e aplikimit
291 stacione të ngritura pranë gjendjeve civile
221.395 aplikime deri në datën 10 mars (disa data):
10.308 aplikime në datën 6 mars
11.097 aplikime në datën 9 mars
11.763 aplikime në datën 10 mars
12 mijë aplikime përpunojnë makinat e prodhimit në një ditë
23.448 karta janë tërhequr nga qytetarët (disa data):
1280 karta janë tërhequr në datën 6 mars
957 karta janë tërhequr në datën 7 mars
1365 karta janë tërhequr në datën 9 mars
1381 karta janë tërhequr në datën 10 mars
130 mijë karta do jenë gati deri në fund të javës
76 për qind është shtrirja me qendra të hapura deri tani
39.190 aplikues në Tiranë, të cilët nuk kanë pasaportë
2 mijë aplikime bëhen mesatarisht çdo ditë në Tiranë
118 stacione të reja aplikimi janë duke u konfiguruar
30 mars afati për t’u lajmëruar qytetarët për numrin e qendrës së votimit