Uldedaj: Të liberalizohet tregu me Malin e Zi
Kriza globale ekonomike ka mbledhur krerët e dhomave të tregtisë. Kriza dhe efektet e saj kanë qenë në qendër të debatit të djeshëm gjatë një takimi të zhvilluar mes kreut të Dhomës së Tregtisë Gjok Uldedaj dhe atij të Malit të Zi. Në fjalën e tij, Uldedaj theksoi rëndësinë e liberalizimit të tregut me Malin e Zi, si dhe të intensifikohen marrëdhëniet tregtare dhe të punohet në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, në mënyrë që këto shkëmbime të shtohen dhe tregu rajonal të jetë tërësisht atraktiv dhe konkurrues. Liderët e Dhomave të Tregtisë të rajonit, duke ndjekur me shqetësim zhvillimet problematike në këtë periudhë, po intensifikojnë takimet dhe duket se janë në kërkim të rrugëve më efikase për zbutjen e krizës. Dhomat e Tregtisë, si përfaqësuese të interesave të gjera të organizatave të biznesit dhe të sipërmarrjes, kanë luajtur dhe do të luajnë një rol të rëndësishëm në të gjitha këto zhvillime. Ato kanë inkurajuar intensifikimin të mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike e tregtare, po ashtu kanë promovuar në mënyrë reciproke bizneset dhe sipërmarrjet reciproke. Uldedaj tha se Dhomat e Tregtisë po punojnë fort për të krijuar klimën e përshtatshme që këto shkëmbime të gjejnë një dimension të ri, në përshtatje me situatën e brishtë ekonomike në të cilën gjendet rajoni. Impaktet e krizës globale kanë filluar të ndjehen edhe në vendet tona. Në këtë situatë, ka thënë Uldedaj, ne duhet të gjejmë zgjidhjet më të mira për të mbështetur njëri-tjetrin dhe ekonomitë e brishta të vendeve tona. Ne duhet të identifikojmë rrugët për përmirësimin e shkëmbimeve dypalëshe, edhe në këto kushte kur duhet impenjim maksimal dhe bashkëpunim i të gjithë aktorëve.