E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cilën Shqipëri të zgjedh?!

Gent STRAZIMIRI * 

15 marsi duket se do të jetë një ditë e ngarkuar me aktivitete të organizuara nga të gjitha rrymat opozitare, të cilat kërkojnë afirmim politik në prag të zgjedhjeve politike të qershorit. Mesa është deklaruar deri tani nga organizatorët, megjithëse të gjitha këto veprimtari do të kenë temë “Gërdecin”, duket se përkujtimi i aksidentit të rëndë do t’i ngjajë një proteste “Trebicka 2”, ku një tjetër aksident tragjik u deformua publikisht nga të njëjtët individë në “likuidim dëshmitari të sikletshëm”.
Në tentativë për të induktuar opinionin publik me psikologjinë e krizës, fushata elektorale për fraksionet e së majtës, përveç prodhimit të sondazheve të “Zogby” në Top Channel, mesa duket, pikën më të fortë do të ketë sajimin e aktiviteteve funebër mbi “Shqipërinë e Berishës”, për të motivuar nevojën për ndryshim dhe lindjen e një “Shqipërie tjetër”. Se cila do të jetë kjo, duket se do ta marrim vesh më 15 mars, gjatë aktivitetit funebër “Trebicka 2” me temë “Mos harro…”
Sipas z. Erjon Veliaj, përfaqësues i fraksionit të Edi Ramës, politika e re dhe ithtarët e saj, “Shqipërinë e duan tepër për t’ia lënë në dorë Berishës…”.
Kështu, më 28 qershor do të na duhet të zgjedhim midis dy Shqipërive të ndryshme, asaj të Berishës dhe kësaj tjetrës së 15 marsit.
“Shqipërinë e Berishës” e njohim dhe po e jetojmë çdo ditë me të gjitha arritjet dhe mosarritjet e saj.
E shpjeguar me fjalët e Kryeministrit, është ajo që na bëri qytetarë të NATO-s, që po na asocioi me qytetarët e Bashkimit Evropian, që nga viti në vit rriti buxhetin dhe të ardhurat mesatarisht me mbi 1 miliard euro, që po përfundon projektin ambicioz e gati të pamundur të rrugës Durrës-Kukës dhe rreth 6.000 kilometra rrugë të tjera rurale etj. Që ka ngritur në nivelin më të lartë historik kontaktet dhe marrëdhëniet me SHBA dhe BE, që më në fund ndërtoi një marrëdhënie partneriteti me FMN dhe Bankën Botërore, e cila zëvendësoi mbikëqyrjen e tranzicionit.
E shpjeguar me fjalët e fraksionit kryesor të së majtës ose shifrat e “zogbystëve”, kjo e Berishës është Shqipëria e politikës së vjetër; e vrasjeve masive si “Gërdeci”; e zhdukjes së dëshmitarëve si “Trebicka”; e skandaleve korruptive si rruga Durrës-Kukës, të cilën s’po del asnjë gjykatë ta marrë në shqyrtim, pasi nuk paska as vepër penale; e konflikteve me SHBA, ku një diplomat pa emër dhe fytyrë i akredituar në Tiranë paralajmëron me siguri që nuk do pranohemi në NATO; e konfliktit me BE, ku në qershor aplikojmë për statusin e kandidatit, dhe, në fund, Shqipëria e skandaleve të moralit tip “Pango”, ministrit të shkarkuar në harkun kohor të 4 minutave.
Megjithatë, përtej Shqipërisë së prodhuar nga “zogbystët”, “të politikës së re” dhe asaj që shohim e përjetojmë çdo ditë në vështirësitë e përpjekjet e secilit prej nesh si qytetarë, më 28 qershor do të na duhet të zgjedhim Shqipërinë që do të donim të kishim.
Çështja është, nëse Shqipërinë e moralshme, atë të respektit ndaj familjes dhe përkushtimit për bijtë a ma ofron dot z. Rama, i cili ende sot duhet të më sqarojë, nëse djali i tij, në fakt, është i vëllai apo i biri?
Shqipërinë e moralshme, atë të kujdesit për etërit, a ma ofron dot z. Rama, i cili ka akuzuar zyrtarisht në gjykatë të atin për incest, arsye për të cilën ka marrë edhe divorcin nga e ish-bashkëshortja?
Shqipërinë e moralshme, atë të kujdesit dhe vlerësimit për femrën a ma ofron dot z. Rama, për shkak të të cilit një grua, e ëma e fëmijës së tij endet sot rrugëve të Tiranës herë zbathur e herë pa krehur, gjysmë e çmendur?
Po Shqipërinë evropiane, atë që në themel do të kishte vlerat universale të njerëzimit, të Evropës, respektin ndaj dinjitetit njerëzor a ma ofron dot z. Rama, i cili sapo paska emërtuar një rrugë me emrin “Ndreko Rino”, ish-gjeneral i Sigurimit të Shtetit, i njohur për masakrimin e Shkodrës dhe Malësisë në ‘46-ën dhe egërsinë me të cilën shtypi revoltën e Burgut të Spaçit në vitin ’75?
 Dhe për ta mbyllur, ç’Shqipëri do të mund të më ofrojë “politika e re” e z. Erjon Veliaj, i cili, së bashku me z. Rama, “këtë vend e dashka tepër shumë, për ta lënë në dorë të Sali Berishës…?”
Cilado qoftë dashuria e tyre për këtë vend, nuk do të mund të ishte më e madhe se dashuria e z. Rama për fëmijën e tij të lënë pa atësi; sesa respekti për flokët e bardhë të të atit të akuzuar për incest në fund të jetës.
Kjo Shqipëri e neveritshme do të ishte një vend orgjish të dhunshme të heronjve me xhelatët, vlerave me antivlerat, kodoshëve të njomë e të mplakur me njeriun e ndershëm, atë që jeton vetëm me djersë. Do të ishte një Shqipëri, produkt i një “politike të re”, aq sa ç’janë të reja krimet perverse të Ndreko Rinos, Kadri Hazbiut, Fehmi Abdiut.
Do të ishte një Shqipëri perfekte ndoshta për “zogbystët” dhe të papunët e administratës socialiste, që analizojnë në mënyrë “të pavarur” situatën, dhe që zgjidhjen e gjejnë … tek morali i z. Rama!
* Zv.ministër i Brendshëm

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›