E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, akuza “bllokon” gjithë ndërmarrjen MEICO

• Agjentët amerikanë të specializuar për hetimin e shpërthimeve, kanë kërkuar ndihmën e të mbijetuarve të tragjedisë së Gërdecit për të zbardhur shkaqet e shpërthimit.

Dashamir Biçaku

Ndërkaq prokurorët shqiptarë kanë urdhëruar bllokimin thuajse total të ndërmarrjes MEICO, ku çdo dokument i saj është sekuestruar për verifikim. Amerikanët kanë kërkuar të marrin në pyetje dëshmitarët dhe të mbijetuarit, me qëllimin për të saktësuar momentin e shpërthimit që aktivizoi më pas djegien e depozitave të barutit. Lajmi është konfirmuar për gazetën “Panorama”, nga burime të grupit të hetimit, të cilat pohuan se, veç eksperimenteve që amerikanët do të kryejnë me lëndët luftarake si baruti, predhat dhe municionet që ndodheshin në Gërdec, ata do të rimarrin në pyetje edhe punëtorët që ndodheshin në fabrikë kur ndodhi shpërthimi, si edhe banorët e zonës. Të gjithë ata punëtorë që kanë qenë në fabrikë ditën e shpërthimit, do të pyeten në mënyrë specifike, mbi atë çka ata kanë parë në momentin e shpërthimit. Ata pritet të japin sqarime për agjentët amerikanë edhe lidhur me procedurën e punës, si dhe elementë të tjerë në interes të hetimit. Specialistët e grupit të hetimit të caktuar për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, janë munduar të kontaktojnë gjatë ditës së djeshme me dy ish-punonjës të fabrikës, për t’i pyetur në lidhje me hyrje-daljet që kryheshin aty dhe respektimin e kushteve të punës. Personat e kontaktuar nga hetuesit mësohet se kanë qenë specialistë të armatimit, që më që më parë kanë shërbyer në Forcat e Armatosura dhe pas daljes në lirim ishin punësuar në Gërdec. Sipas hetuesve të dy këta dëshmitarë, një prej tyre me banim në Kombinat dhe tjetri tek zona e Bërrylit në Tiranë, janë kontaktuar por nuk u morën në pyetje nga grupi i hetimit. Ky i fundit tashmë është ndarë në tri grupe që kryejnë hetim në tri drejtime të ndryshme lidhur me ngjarjen.
Hetimi
Një grup hetuesish dhe prokurorësh, kryejnë hetimin në drejtim të zbulimit dhe dokumentimit të shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes së ndodhur në Gërdec. Një tjetër grup po punon, për të hetuar një trafik të mundshëm apo kontrabandim të armëve dhe municioneve luftarake nga Shqipëria në drejtim të Kabulit. Grupi tjetër, me oficerë të Task-Forces, do të hetojë dokumentacionin në drejtim të zbardhjes së veprimeve korruptive, apo shpërdorimit të detyrës nga funksionarët shtetërorë. Hetuesit thanë se, vëmendje i është kushtuar sekuestrimit të dokumenteve në ndërmarrjen MEICO. Dokumentacioni i sekuestruar përbëhet nga më tepër se 30 fashikuj me shkresa të ngjeshura e dosje, me deri në 600 faqe secila. Ato u sekuestruan në zyrën e protokollit të ndërmarrjes së Ministrisë së Mbrojtjes javën e kaluar, prej specialistëve të grupit hetimor të dosjes “Gërdeci”. Në të gjithë dokumentet shkresore të sekuestruara veç kontratave të nënshkruara për shitjen e municioneve për skrap nga ndërmarrja MEICO, ndodhen edhe shkresa për shitjen e mjeteve luftarake si tanket dhe avionët e ushtrisë shqiptare. Objekte të kontratave shitëse të MEICO-s për skrap kanë qenë avionë, tanke e municione, të gjitha të destinuara për nxjerrje metali. Në dokumentacionin e sekuestruar është zbuluar se një pjesë e kontratave janë zbatuar kurse pjesa tjetër ka qenë në zbatim në momentin e bllokimit. Dokumentet e sekuestruara mësohet se i përkasin periudhës para vitit 1996, ku pasqyrohet veprimtaria e MEICO-s në import-eksportin e armëve dhe municioneve.

Prokuroria: “Skaner” kasafortës dhe kompjuterit të Ylli Pinarit

TIRANE – Pak ditë më parë me urdhër të Prokurorisë dhe me miratim nga gjykata hetuesit ushtruan një kontroll në zyrën e Ylli Pinarit, ish-drejtorit të arrestuar të ndërmarrjes MEICO. Prokuroria urdhëroi sekuestrimin e kompjuterit të ish-zyrtarit të lartë të import-eksportit të armëve dhe municioneve, si dhe bllokimin e kasafortës së tij, ku mbaheshin korrespondencat lidhur me shitjen e armëve dhe municioneve. Verifikimi i këtyre të dhënave të gjetura në zyrën e Ylli Pinarit sipas prokurorëve, ka siguruar të dhëna, informacione e prova të vlefshme për hetimin e ngjarjes. Sipas burimeve nga organi i akuzës mësohet se, pas shqyrtimit të provave që janë marrë në zyrën e Ylli Pinarit, në katin e parë të Ministrisë së Mbrojtjes, janë gjetur prova për abuzimet me kontratat e nënshkruara, mungesën e studimit në përcaktimin e Gërdecit si pikë çmontimi, mungesën totale të kontrollit në fabrikën e Mihal Delijorgjit, si dhe urdhrat “arbitrarë” që kërkonin furnizimin mbi normë të firmës “Alba Demil”, me predha të destinuara për demontim. Organi i akuzës pretendon se pas kontrollit të ushtruar në zyrën e ish-drejtorit të ndërmarrjes MEICO janë siguruar të dhëna, të cilat flasin edhe për raportet e kësaj ndërmarrjeje me firmat amerikane AEY dhe SAC, të cilave u janë shitur municione. Kompjuterit të Ylli Pinarit po i bëhet një ekspertizë me qëllim rikuperimin e të dhënave, që në rast se sigurohen nga hetuesit e Prokurorisë mund të zbulojnë fakte të tjera rreth abuzimeve me municionet e ushtrisë shqiptare të destinuara për demontim. tr.so

shtabi
Pasi kanë bllokuar thuajse të gjithë dokumentet e ndërmarrjes MEICO, hetuesit e Prokurorisë pritet të sekuestrojnë edhe shkresat e Shtabit të Përgjithshëm. Burimet nga grupi i hetimit janë shprehur dje se, fillimisht do të bëhet një sekuestrim total i të gjitha shkresave dhe dokumenteve të brendshme dhe më pas ato do të merren në shqyrtim. Pas analizës dhe verifikimit paraprak do të jenë hetuesit ata që do të përcaktojnë funksionin e provave dhe veprën penale që mbështesin ato. Kjo analizë do të bëhet me qëllim klasifikimin e dokumenteve dhe vendosjen e tyre në mënyrë hierarkike dhe ligjore në dosjen penale.

MINISTRIA
Ditët e fundit Prokuroria ka marrë në pyetje dhjetëra zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe ndërmarrjes MEICO. Edhe dikasteri i Mbrojtjes sipas Prokurorisë nuk bën përjashtim. Në protokollin e Ministrisë së Mbrojtjes do të administrohen të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me Gërdecin dhe me procesin e demontimit të municioneve të destinuara për asgjësim. Prokurorët do të kërkojnë në ministri edhe dokumente që lidhen me sigurinë në repartet e demontimit dhe në depot ushtarake, ku mbahen sasi të mëdha municionesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›