E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inflacioni, rritja 5 për qind e çmimeve të ushqimeve, rrit 3 për qind varfërinë

• Rritja e çmimeve të mallrave ushqimorë rrit numrin e familjeve të varfra.

Në Shqipëri rritja e çmimeve ka një efekt negativ më të madh se në çdo vend tjetër, pasi edhe të ardhurat janë në nivele goxha të ulëta, gati 50 dollarë për frymë. Sipas ekspertëve të Bankës Botërore, edhe një rritje prej 5 për qind e ushqimeve mund të rrisë nivelin e varfërisë me 2 deri në 3 për qind. Në fakt, çmimet e disa mallrave, si drithëra dhe karburante janë rritur në të gjitha tregjet, por në vende si Shqipëria ndikimi mund të jetë veçanërisht i ndjeshëm, sepse konsumi i artikujve ushqimorë përbën pjesën më të madhe të konsumit të tyre. “Shumë shqiptarë ndodhen ndoshta vetëm pak sipër kufirit ndarës të varfërisë. Ndoshta janë lart, por shumë pak. Kështu një rritje e vogël e çmimeve i sjell ata në nivelin e varfërisë. Kështu që një fenomen si ky i krizës së ushqimeve mund të ketë pasoja të tmerrshme mbi varfërinë, sepse vetëm me një ndryshim të vogël të çmimeve fasha e të varfërve zgjerohet”, ka thënë dje Paolo Verme, profesor në universitetin e Torinos. Zyrtarët e Bankës Botërore paralajmëruan dje se vendet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore po përballen me ritme më të ulëta të zhvillimit ekonomik, si rezultat i rënies ekonomike në SHBA dhe vendet e Evropës Perëndimore. Në një situatë të tillë qeveritë e këtyre vendeve duhet të shumëfishojnë përpjekjet e tyre për të mbrojtur të varfrit dhe shtresat në nevojë nga pasojat e çmimeve më të larta të energjisë elektrike dhe artikujve ushqimorë. Shigeo Katsu, zv.presidenti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore tha dje: “Rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë dhe energjisë që vihet re në gjithë rajonin, do të çojë në rritjen e inflacionit, e kombinuar kjo me vështirësi në rritje për likuiditete. Rezultati i pritshëm  do të jetë zhvillimi i ngadaltë dhe një goditje shumë më e fortë mbi të varfrit. Për këtë arsye, ne i këshillojmë qeveritë e rajonit që të ndihmojnë shtresat më të dobëta të popullsisë në përballimin e këtyre problemeve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›