E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ishulli” i Blushit, një roman brilant!

• Arian ÇANI

Një njeriu që ashtu si unë, mendon se konvertimi në Islam është një fatalitet”. Sa mirë më bënë këto fjalë që Ben Blushi m’i dedikoi duke më dhuruar romanin e tij të parë. Jo për gjë – mendova - por të paktën nuk jam i vetëm në këtë ishull.  “Te jetosh në ishull” titullohet romani  ...që nëse nuk shkon ta shijosh, do të humbasësh shumëçka. Në një vend ku magjia e librit është pronë e shumë pak njerëzve, romani i parë dhe i papritur i Blushit për shumëkënd,  ka shumë gjasa të zgjojë interesin dhe kuriozitetin e një rrethi shumë më të gjerë njerëzish, të cilët të zhgënjyer nga banaliteti apo cilësia e dobët e produkteve në treg, do të rikonfirmojnë ashtu si unë se të bësh një libër apo roman të vërtetë, nuk është një lojë e thjeshtë dhe nuk mund ta bëjë kushdo. Ben Blushi e bëri dhe romani i tij i parë është thjesht brilant.

Si një lexues i thjeshtë, i tentuar kryesisht nga publicistika politike dhe jo shumë i tërhequr nga letërsia, “Të jetosh në ishull” më bindi sërish se pak romane ia vlen të lexohen në këtë botë. Më bëri të udhëtoj, herë-herë të fluturoj nga Kostandinopoja (Stambolli) në Voskopojën e mençur të Komnenëve, nga Kreta e diellit dhe e trimave në fshatin e vogël të Tepelenës, nga ishulli i dashurisë Lesbos në Berat dhe Janinën e Ali Pashës...

Shumë njerëz njoha dhe pashë në Ishullin e Blushit. Ibrahimin e Sarës dhe Sarën e çifutes Sheba, Arianit Komnenin dhe 12 apostujt e Kretës, Mihal Komnenin dhe djalin e tij Isak, Metod Antarkidin, Sali Benishin dhe Aishen, jevgun Bilal, Paridin dhe Thanasin, Petron dhe Ali Tepelenën, por dhe shumë të tjerë, të cilët më shumë se gjithçka tjetër më dukeshin si pasardhësit e Jezusit dhe Muhamedit. Pashë shkëlqimin dhe pastaj shkatërrimin e Voskopojës, ku mençuria, dituria dhe librat nuk mjaftuan për të mbrojtur qytetin nga barbarët. 

Në Ishullin e Blushit, pashë me dëshpërim se si hëna i bëri fatalisht hije diellit dhe se si errësira mbuloi dritën. Kuptova se sa shumë të ndryshëm jemi nga fqinjët tanë jugorë dhe veriorë, që ashtu si ne, të pushtuar nga turqit e uritur, u rezistuan në shekuj këtyre të fundit duke luftuar pa e ndërruar fenë e tyre.

Në Ishullin e Blushit, mësova se si një histori e madhe rrëfehet thjesht - me një stil dhe poezi që është vetëm e Blushit – nëpërmjet një historie të vogël të një familjeje apo fisi. Kuptova se ata që më kishin thënë e stërthënë deri më sot se Shqipëria është shembulli i një bashkëjetese të shkëlqyer fetare, në fakt nuk më kanë thënë të vërtetën. Ishulli i Blushit më konfirmoi se bashkëjetesa e të krishterëve që mbetën në minorancë me myslimanët, që u bënë shumicë gjatë gjithë këtyre shekujve në këto trevat tona, ka qenë një bashkëjetesë e detyruar. Ashtu si një ishull që nuk zgjedh të shkëputet nga pjesa tjetër e tokës, por detyrohet të ekzistojë i rrethuar nga deti dhe me detin. A është ky një fatalitet? Për mua po. Por debati është gjithmonë i hapur…     

P.S. “Të jetosh në ishull” është një roman që ti nuk do të mund ta anashkalosh. Dhe nëse dëshiron që, duke e lexuar të ndjehesh vërtet në ishull, më lejo të të jap një këshillë. Bëj atë që bëra unë. Lexoje në ballkon. Kënga e hoxhës nga minarja do të shoqërojë disa herë në ditë.
(ariancani@gmail.com)  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›