E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idetë e reja për SME-të

• Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë qenë dje në fokusin e konferencës së VI studentore të Fakultetit Ekonomik.

Studentët me rezultate më mira kanë prezantuar dje studimet e tyre mbi tregun e SME-ve, zhvillimin e këtyre ndërmarrjeve dhe problematikat që hasin ato. Në konferencën e djeshme, përveç studentëve të Fakultetit të Ekonomikut merrnin pjesë edhe pedagogë të këtij fakulteti, ish-studentë, dekani Omer Stringa, rektori Dhori Kule, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduart Shalsi, deputetë të Komisionit të Ekonomisë si dhe shumë personalitete të tjerë.
Studimet
Për të gjashtin vit radhazi, studentët më të shkëlqyer të Ekonomikut të vitit të tretë dhe të katërt, kanë ndërmarrë nismën e organizimit të konferencës së gjashtë kombëtare studentore. Fjala e hapjes u mbajt nga organizatorja e kësaj konference, Besiana Bregasi. “Në emër të klubit studentor ’Financierët e së ardhmes’, është një kënaqësi e veçantë për mua të çel konferencën e VI-ët kombëtare studentore ’Ekonomia shqiptare në fokusin e studentëve të financës’. Me kontributin tonë, shpresojmë t’i ofrojmë këtij auditori një studim të vlefshëm, të mbushur me ide të reja, dhe urojmë të kontribuojmë në zgjidhjen e problematikave me të cilat ndeshet ekonomia shqiptare”, tha dje gjatë hapjes së konferencës, Besiana Bregasi. Gjatë konferencës u prezantuan mbi 20 studime të kryera nga vetë studentët e këtij fakulteti. “Ne studentët diplomohemi duke u bërë pjesë e një tregu, në të cilin përveç se kërkojmë të kontribuojmë me aftësitë tona intelektuale, njëkohësisht synojmë të bëjmë realitet vizionin progresiv, madje duke e shndërruar atë në faktor prodhimi. Kjo konferencë, tërësisht produkt i nismës dhe kontributit akademik të studentëve, të cilët janë në prag të përfundimit të fakultetit, afirmon punën e tyre shkencore në evidentimin e problematikave të ekonomisë sonë dhe alternativat e mundshme të zbutjes së tyre”, u shpreh dje Bregasi. Në fjalën e tij, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ka përgëzuar punën e bërë nga studentët, duke i ftuar ata të bëhen pjesë e stafit të mësimdhënies në fakultet. “Prioriteti ynë është reformimi i stafeve pedagogjike, sa më të mirë të jenë pedagogët, aq edhe më i mirë është niveli arsimor në vend. Fakulteti Ekonomik ka një staf të mirë dhe në kuadrin e pranimeve të reja, dua të theksoj se ka 110 vende të lira, dhe gjej rastin të them se shumë prej studentëve mund të bëhen pjesë e këtij stafi”. Çdo vit nga Fakulteti Ekonomik diplomohen gati 500 deri në 600 studentë, ku shumë prej tyre punësohen në sektorin privat. “Në sektorin publik impakti i njohurive të reja është më i ngadalshëm se në sektorin privat”, tha Kule. Studentët kanë marrë vlerësime goxha pozitive edhe nga dekani i fakultetit, Omer Stringa. “Kushdo që t’i lexojë punimet tuaja do të gjejë diçka interesante dhe padyshim që do t’u pëlqejë. Ju do të çoni përpara ekonominë e vendit”, tha ai. Një nga financuesit kryesorë të konferencës së djeshme ishte “Raiffeisen Bank”. “Do të vazhdojmë të jemi financues të këtyre aktiviteteve, sepse ne kemi parimin ‘ndihmojmë ata që ndihmojnë veten’, dhe studentët e këtij universiteti kanë ecur shumë përpara”, u shpreh dje Vilma Baçi, përfaqësuese e “Raiffeisen Bank” dhe njëkohësisht ish-studente e këtij fakulteti.    

Ja studimet më të mira
Nën moton “…Bëj diçka! Udhëhiq, ndiq të tjerët ose dil jashtë loje! Kjo është një botë mizore që nuk jep medalje për vendin e dytë!...”, studentët e Fakultetit Ekonomik kanë prezantuar mbi 20 studime për tregun e SME-ve në vend. Temat kryesore të këtyre studimeve lidheshin me problemet që hasin ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me legjislacionin, evazionin fiskal, lirinë ekonomike etj. Çdo studim është përgatitur nga një grup prej pesë deri në gjashtë studentësh. Në përfundim të konferencës së djeshme janë shpallur dhe studimet më të mira, ku përmendim studimin me temë “Biznesi i vogël VS Biznesi i madh”, “Kostot e krijimit të SME-ve dhe alternativat e zbutjes së tyre”, “Bizneset e vogla përballë të ardhurave të tatueshme”. Por një nga temat kryesore që ishin trajtuar nga studentët ishte edhe informaliteti i ekonomisë, si një nga problemet kryesore me të cilat haset biznesi. Në këtë pikë studimet më të arrira ishin ato me temë “Ekonomia informale, pjesë e pashmangshme e zhvillimit të biznesit në Shqipëri”, “Rruga e ngushtë e zhvillimit, dimensionet e lirisë ekonomike”, si dhe “Evazioni fiskal, fenomeni financiar në biznesin e vogël”.

Shpërndahen çmimet për studentët fitues  
Studimi me temë “Legjislacioni tatimor te SME-të”, ka fituar vendin e parë si studimi më i arrirë. Për vendin e dytë janë ndarë dy çmime. Fitues të këtij vendi kanë qenë studimet me temë “Punësimi. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, çelësi i duhur”, si dhe “Rruga e ngushtë drejt zhvillimit. Dimensionet e lirisë ekonomike”. Por përveç këtyre, në konferencën e djeshme janë ndarë certifikatat fituese edhe për vendin e tretë. Përkatësisht në vendin e tretë u renditën studimet me temë “Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Pse kaq të vogla dhe të mesme” si dhe “Biznesi i vogël VS Biznesi i madh”. Ky është viti i gjashtë radhazi që organizohet kjo konferencë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›