E Shtunë, 31 Tetor 2026

3.2 milionë dollarë për modernizimin e Muzeut Kombëtar

Veç Muzeut, edhe institucione të tjera kulturore shqiptare do të përfitojnë nga ky program dyvjeçar.

Petrika GROSI
Pasi Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit fitoi konkursin mes 50 vendeve kandidate, të cilat kishin aplikuar pranë Fondit Spanjoll për Arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit në projektin “Kultura dhe Trashëgimia për zhvillimin Social dhe Ekonomik”, shuma prej 3.2 milionë dollarësh kalon për fuqizimin e institucioneve kulturore shqiptare dhe kryesisht për rikonceptimin e modernizimin e Muzeut Historik Kombëtar në kryeqytet. Lançimin zyrtar të këtij programi e bënë dje gjatë një konference për mediat, të zhvilluar në mjediset e Muzeut Kombëtar, ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobio, zv.kryeministri Genc Pollo dhe ministri i Turizmit e Kulturës, Ylli Pango. Programi i kulturës dhe trashëgimisë, që financohet nga qeveria e Spanjës, do të zbatohet për një periudhë dyvjeçare nga UNESCO dhe PNUD-i, në partneritet me Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë.
Ky program fillimisht ka si qëllim rikonceptimin e MHK-së dhe transformimin e tij në një institucion kulturor modern më tërheqës për shqiptarët dhe të huajt. Po kështu, programi vjen në ndihmë të institucioneve kulturore shqiptare, në drejtim të fuqizimit të kapaciteteve të tyre, në fushën e menaxhimit të kulturës dhe të trashëgimisë. Ambasadori spanjoll, Manuel Montobio, u shpreh mes të tjerash se “Shqipëria, ashtu si dhe vende të tjera të vogla, po kalon një tranzicion të dyanshëm, social dhe kulturor. Në epokën e globalizmit ne duhet të jemi më të organizuar dhe më të bashkuar për të bërë të mundur reforma më të mira dhe një bashkëqeverisje më të mirë globale.” Montobio vuri theksin në rëndësinë e përmirësimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore shqiptare, të parqeve arkeologjike si dhe fuqizimin e institucioneve kulturore, duke shprehur besimin se Shqipëria do t’ia dalë mbanë në këtë integrim të shumanshëm europian. Ai nuk anashkaloi as rëndësinë e kulturës së një vendi të vogël si Shqipëria, pa të cilën mozaiku global nuk do të ishte i plotë.
Në fund të fjalës së tij, ambasadori Montobio u shpreh: “Dikur Martin Luter King tha:‘Unë kam një ëndërr’. Ne sot kemi diçka edhe më të mirë, një projekt për ta kthyer një ëndërr realitet”. Ndërkaq, zv.kryeministri Pollo e ka cilësuar këtë projekt për rikonceptimin e Muzeut Historik në kryeqytet si një ndër nismat që e vendosin kulturën tradicionale shqiptare në kuadrin e duhur.
“Modernizimi i Muzeut Historik Kombëtar zë një vend të rëndësishëm, pasi ka ardhur koha që ai të rikonceptohet nga një periudhë e mëparshme që ka demonstruar luftën për mbijetesë, në një periudhë që karakterizohet nga paqja dhe stabiliteti dhe për pasojë edhe nga prosperiteti, ku dalin në pah elementet kulturore”. Në anën tjetër, ministri i MTKRS-së, Ylli Pango, është shprehur: “Ky projekt vjen si rezultat i një procesi të gjatë dhe të kujdesshëm konsultimi dhe planifikimi ndërmjet ekspertëve të MTKRS-së, përfaqësuesve të Zyrës së PNUD-it në Tiranë, Zyrës së Bresce të UNESCO-s si dhe Ambasadës Spanjolle në Tiranë”. Ai shton: “Ky moment kohor i jep Shqipërisë mundësi të shfrytëzojë kulturën e vet si një instrument në ndihmë të përpjekjeve për të promovuar identitetin kombëtar, i cili është thelbësor për ripërtëritjen dhe zhvillimin social dhe ekonomik të vendit. Ndërsa imazhi i Shqipërisë i kthehet një pamjeje më të qëndrueshme e pozitive, trashëgimia jonë e larmishme mund të shfrytëzohet jo vetëm për zhvillimin social dhe ekonomik, por edhe për zhvillimin njerëzor”.

Plani i programit “Një OKB”

-Një plan afatgjatë dhe rikonceptimi i Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë si një institucion modern kulturor. Ky projekt parashikohet të jetë rezultati më i mirë i programit të përbashkët dhe do të vendosë një standard të ri për zhvillimin dhe administrimin e muzeve në Shqipëri.

-Aktivitete për të mbrojtur, rritur dhe për të financuar më mirë parqet arkeologjike të Apollonisë dhe Antigonesë si dhe monumentet kulturore, të cilat i shërbejnë jo vetëm rikuperimit të identitetit kulturor...

-Aktivitetet për të mbështetur shërbimet artizanale dhe turizmin lokal, të cilat kanë efekte veçanërisht të forta pozitive në lidhje me mundësitë dhe barazinë gjinore.

-Hartimin e një strategjie marketingu për ndryshimin e imazhit të Shqipërisë në botë dhe promovimin e turizmit shqiptar.

Ekspozitë për viktimat e komunizmit

Më 20 shkurt, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar do të çelet ekspozita në nderim të viktimave të terrorit komunist dhe gjenocidit ndaj popullsisë shqiptare gjatë periudhës ‘44-‘90. Në këtë ekspozitë është përfshirë edhe një pavijon i rëndësishëm mbi vrasjet e popullit kosovar, të trajtuara në një mënyrë të re konceptimi, ndërthurur me komponentë të rinj, që do të kalojnë kornizat e së zakonshmes përmes efekteve të ndriçimit, zërit, formave etj.

19 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›