Dëbora bllokon Shkodrën dhe Gjirokastrën, situata emergjente
Zonat përreth Shkodrës dhe Gjirokastrës janë gjendur të mbuluara me dëborë. Sipas të dhënave, gjatë natës në shkallë qarku, në lartësinë mbi 300 m, ka rënë dëborë. Për pasojë, lëvizja e mjeteve në akset Qafë Çelë-Pukë-Qafë Mali-Qafë Shllak dhe Qafë Mali-Fierzë bëhet vetëm me zinxhirë. Në Qafë-Mali të Rrethit të Pukës, në Qafë-Bordolec të Rrethit të Malësisë së Madhe dhe në Malin e Shkoshit Dukagjin ka rreth 30 cm dëborë të re dhe reshjet në këto zona po vazhdojnë. Të dhënat tregojnë se gjatë natës, në Rrethin e Pukës u është dhënë ndihmë disa mjeteve dhe nuk ka pasur bllokime e dalje nga rruga. Ndërsa mjetet borëpastruese vazhdojnë punën për mbajtjen e rrugëve hapur. Edhe në lagjet e sipërme të Gjirokastrës ka vështirësi qarkullimi për shkak të reshjeve të dëborës dhe lëvizja e automjeteve aty bëhet vetëm me zinxhirë. Në Gjirokastër, të gjitha akset rrugore nacionale janë të hapura dhe lëvizja bëhet pa zinxhirë. Edhe Qafa e Muzinës është e hapur dhe lëvizja bëhet pa zinxhirë si për mjetet e vogla ,edhe për të mëdhatë. Por akset rrugore rurale të Komunës Pogon dhe Zagori janë të kalueshme vetëm me zinxhirë, pasi trashësia e dëborës në to ka arritur në 20 centimetra.
Shkodër, arrestohet personi që do të hidhte në treg 1000 euro false
Një 47-vjeçar është arrestuar nga policia e Shkodrës duke vënë në qarkullim 1000 euro të falsifikuara. Mark Bashota, 47 vjeç, lindur në fshatin Qerret dhe banues në fshatin Bardhaj të Rrethit të Shkodrës, u arrestua dje në lagjen “Vojo Kushi” të qytetit të Shkodrës nga specialistët e Sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit. Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën 10 kartëmonedha të prerjes 100 euroshe të falsifikuara. Materialet në ngarkim të shtetasit Mark Bashota i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale “Vënie në qarkullim e monedhave të falsifikuara”.
19 Shkurt 2009