E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, apelohet për një 8 Mars të pamanipuluar nga politika

Me rastin e 8 Marsit, lëvizja "Mjaft!" dhe grupime të tjera qytetare organizuan dje një aksion sensibilizues për gratë e Gërdecit. Ky aktivitet publik u zhvillua te Parku Rinia, në formën e një ekspozite të improvizuar me foto nga tragjedia, si dhe një kënd ku qytetarët lanë mesazhet e tyre në solidaritet me gratë e Gërdecit. Shumë kalimtarë u ndalën dhe lanë shënime, ku shprehën indinjatën e tyre përkundrejt këtij realiteti, si dhe mesazhe mbështetjeje për viktimat femra të kësaj tragjedie. Ky aktivitet është pjesë e fushatës ndërgjegjësuese të Frontit Qytetar 15 Mars dhe ka për qëllim rikonceptimin e datës së 8 Marsit, si një çast reflektimi dhe solidariteti për të drejtat dhe angazhimin e femrës në shoqërinë shqiptare. Në këtë kontekst, Gërdeci ishte edhe një tragjedi që rrëfeu se si femrat në shoqërinë shqiptare janë veçanërisht të ekspozuara ndaj abuzimit dhe agresionit të sistemit. "Data 8 Mars duhet të marrë simbolikën e vërtetë, duke mos qenë thjesht një ditë kur partitë politike ftojnë femrat shqiptare në dreka e darka festive, por të shërbejë si një moment reflektimi për të drejtat dhe angazhimin e femrës në shoqërinë shqiptare, ku roli i gruas është i nënvlerësuar dhe me përfaqësim real shumë të kufizuar", theksuan përfaqësuesit e "Mjaft"-it. Sipas tyre, është e patolerueshme që në vitin 2009, pothuajse një shekull pas protestave të para, kur gratë u rebeluan në kërkim të të drejtave të tyre, ende sot në Shqipëri kemi rastin e Gërdecit, ku më shumë se gjysma e punonjësve ishin femra që punonin në kushte primitive, apo bëhemi dëshmitarë edhe të rasteve të abuzimit, deri te skandalet seksuale të politikanëve me pushtetin. "Prandaj ekziston nevoja që 8 Marsi të marrë një kuptim të ri, duke u shndërruar nga një ditë festive, në një ditë ndërgjegjësimi, që politika mos të kufizohet në caktime kuotash fiktive përfaqësimi, por të ndërmarrë nisma të qarta dhe efikase për t‘i dhënë femrës shqiptare vendin që meriton në shoqërinë tonë", kërkuan aktivistët e "Mjaft"-it.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›