E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli hap dyert e Kuvendit për gratë

Kuvendi i Shqipërisë hapi dje dyert për gratë, nënat, vajzat, për të përçuar në mënyrë simbolike mesazhin se dyert e politikës dhe vendimmarrjes janë të hapura për të gjitha ato që dëshirojnë të jenë pjesë e saj. Gra nga e gjithë Shqipëria mbërritën në Kuvend dhe vizituan mjediset e tij, zyrat, sallat ku merren vendimet e miratohen ligjet. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka pritur e takuar gratë që dje erdhën në Kuvend, duke u uruar atyre, dhe veçanërisht nënave, 8 Marsin, por mbi të gjitha duke i inkurajuar ato të ecin përpara dhe duke ftuar të gjitha vajzat dhe zonjat që dëshirojnë të bëhen pjesë e vendimmarrjes së madhe. Një vizitë e veçantë u konsiderua ajo e një grupi me mbi 50 gra të administratës qeveritare të Kosovës. Gratë kosovare i shprehën mirënjohjen Kryetares së Kuvendit për gjithçka që Kuvendi i Shqipërisë ka bërë për Kosovën. Topalli theksoi se sakrifica dhe kurajoja e nënave dhe grave kosovare nuk duhet të harrohet, përkundrazi duhet të shërbejë si motivim për të gjithë brezat në Kosovë, por edhe në Shqipëri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›