Kapen 27 tonë kafeje kontrabandë në Kapshticë
Sasia më e madhe e kafesë kontrabandë e kapur ndonjëherë në një operacion të antikontrabandës në Kapshticë ka bërë që të nisin hetimet për këtë rast. Të paktën 27 tonë kafeje e fshehur në një maune në një formë të sofistikuar u kapën gjatë një kontrolli dhe operacioni të agjentëve në pikën doganore të Kapshticës, pasi mjeti kishte hyrë nga Greqia dhe kishte si destinacion tregun vendas. Sasia e madhe e kafesë kontrabandë u kap në orën 21:30 të së shtunës gjatë kontrollit doganor nga ana e antikontrabandës dhe agjentëve të saj. Malli kontrabandë ka qenë i fshehur në maunen e një firme private hekuri dhe transportonte llamarina, por nga kontrolli janë gjetur një numër i madh thasësh me kafe. Ky rast ka bërë që drejtori i përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi, të vijë me urgjencë në doganën e Kapshticës, duke e quajtur këtë rast të kontrabandës më të madhin në rang rajoni për sa i përket sasisë së transportuar dhe të kaluar pa dokumentacion në mënyrë të paligjshme dhe jashtë detyrimeve financiare. Ai ka thënë se e ka vlerësuar këtë rast për faktin se ka një kontrabandë të sofistikuar kur në mjet ishte krijuar një vend i posaçëm për fshehjen e mallit në pjesën e dyshemesë dhe e izoluar me plastmasë, për të mos lejuar përhapjen e erës së kafesë që mund të identifikonte edhe kontrabandën gjatë kontrollit doganor. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, sipas Dervishit, ka kërkuar nisjen menjëherë të hetimeve dhe të procedimit penal për këtë rast të rëndë, ndërkohë që bashkë me të, në pikën doganore kanë qenë forca të shumta të policisë dhe strukturave të krimit të organizuar, përfaqësues të Prokurorisë së Rrethit të Korçës, agjentë të antikontrabandës dhe strukturat e policisë kufitare. Për shkak të sasisë së madhe të lëndës kontrabandë, edhe një ditë pas kapjes së maunes me targa të Korçës, ka vazhduar peshimi i thasëve të gjetur në mjet. Policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit, S.V, ndërsa hetimet do të përfshijnë edhe pronarët e firmës. Dervishi tha se do të kërkohet edhe bashkëpunim me palën greke për të verifikuar origjinën dhe nëse kemi të bëjmë me një rast të përsëritur. "Kemi kërkuar që të nisin hetimet menjëherë për këtë rast, nisur nga fakti se bëhet fjalë për sasinë më të madhe të kontrabandës së kapur ndonjëherë në rajon", u shpreh Dervishi. Nga ana e agjentëve doganorë, në bazë të informacioneve në rrugë operative, pritej që të futej një sasi lënde kontrabandë që kishte të bënte me firmën e hekurin dhe me llamarinat, por në fakt, nga kontrolli doli se qëllimi ishte për të kaluar kafe. Nga shmangia e detyrimit doganor kemi të bëjmë me një vlerë të lartë dëmi ekonomik dhe në rast të një gjobe, ajo do të shkonte në të paktën 280 mijë euro. Një gjobë ndaj firmës që ka futur këtë sasi të madhe prej 27 tonësh kafeje kontrabandë është përllogaritur sa pesëfishi i dëmit ekonomik të shkaktuar, megjithatë për këtë rast kanë nisur hetimet dhe nga ana e policisë nuk përjashtohen edhe arrestime të tjera për këtë rast pas atij në flagrancë të drejtuesit të mjetit. Dervishi ka zhvilluar një takim me grupin hetimor, agjentët e antikontrabandës, strukturat e krimit të organizuar në drejtorinë e policisë dhe policinë kufitare për këtë çështje.