E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Evropës: Të shqetësuar për gazetën “TemA”

Nga Enton Palushi

Dy bashkëraportuesit e Këshillit të Evropës, të cilët vizituan Tiranën para disa javësh, kanë publikuar raportin me të dhënat e mbledhura gjatë vizitës së tyre.

Jaakko Laakso dhe David Wilshire, të cilët mbërritën në Shqipëri për të trajtuar çështjen e ligjit të lustracionit, janë marrë gjerësisht me çështjen e gazetës “TemA” dhe shkarkimin nga delegacioni shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KE, të deputetit demokrat, Aleksandër Biberaj.

Në lidhje me çështjen e lustracionit, raportuesit thonë se Komisioni i Venecias duhet të japë sa më shpejt një opinion për ligjin, i cili po shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese.

Për sa i përket gazetës “TemA”, raportuesit kanë paraqitur faktet kryesore të mbledhura gjatë takimit me drejtorin e gazetës “TemA”, ndërsa kanë deklaruar se do vijojnë të mbledhin të tjera informacione për çështjen “TemA”, që e kanë konsideruar të rëndësishme, gjatë takimeve të tjera dhe do e paraqesin atë në raportin vjetor.

Rasti Biberaj është trajtuar me kujdes, për shkak se raportuesit, siç dhe kishte deklaruar Asambleja, nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në çështjet e brendshme të parlamentit shqiptar. Por ata kanë nxjerrë një kronologji interesante të ngjarjes.

Më poshtë vijojnë përmbledhjet e raportuesve për të tri ngjarjet.

Ligji për lustracionin

- Ligji për lustracionin u miratua vetëm me votat e mazhorancës qeverisëse, pavarësisht shqetësimit publik, përfshi këtu dhe komunitetin ndërkombëtar.

- Një analizë e bërë nga ekspertët e Këshillit të Evropës ngre shqetësimin në lidhje me rangun e gjerë të zyrtarëve që preken dhe faktin që prek zyrtarë që mbajnë aktualisht poste, ndershmërinë dhe proporcionalitetin e procedimeve, sanksionet e rënda të parashikuara dhe fakti që nuk ka limit kohor.

- Të gjithë interlokutorët që përfaqësonin mazhorancën qeverisëse na theksuan se ligji kishte hyrë në fuqi dhe se nuk mund të rihapej debati parlamentar.

- Kryeministri Berisha na tha se është i gatshëm të mirëpresë ndihmë nga Këshilli i Evropës për implementimin e ligjit, por nuk ishte i përgatitur për të kërkuar nga parlamenti të rishikojë ligjin.

- Presidenti Topi na sqaroi se ai kishte qenë i angazhuar në vitin 2006 me hartimin e një ligji për lustracionin, por tha se ai draft ishte shumë i ndryshëm nga ky ligj i ri.

- Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut konkludoi në një çështje në vitin 2006 se, nëse një shtet do të miratojë masa lustrative, atëherë ai duhet të bëjë të mundur që të gjithë ata që preken nga lustracioni, do përfitojnë të gjitha garancitë procedurale, sipas Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

- Na u dhanë dy arsye të ndryshme për kohën kur po bëhej ligji dhe për nxitimin me të cilin u miratua në parlament, edhe pse kjo çështje ishte ngritur shumë kohë më përpara në parlament. E para, afrimi i zgjedhjeve të përgjithshme dhe e dyta çështjet e rëndësishme të korrupsionit që po hetoheshin nga prokurorët.

- Ne deklarojmë se Komisioni i Venecias duhet të pyetet për këtë çështje, nëse ligji plotëson standardet evropiane dhe rekomandojmë që Komiteti Monitorues ta bëjë një kërkesë të tillë çështje urgjente.

Çështja Biberaj

- Duke theksuar se çështja është e brendshme dhe nisur nga fakti që ne do vinim në Shqipëri, na u sugjerua që të përdornim këtë mundësi për të diskutuar këtë problem me parlamentarët shqiptarë.

- Gjatë këtyre diskutimeve ne konstatuam:

- Më 28 dhjetor 2008, sekretari i delegacionit shqiptar dërgoi një e-mail në Strasburg duke rekomanduar se delegacioni për vitin 2009 do të jetë i njëjtë si në vitin 2008.

- Më 8 janar 2009, një tjetër letër u dërguar, kësaj radhe nga Jozefina Topalli, kryetare e parlamentit shqiptar, për zotin Lluís Maria de Puig, president i Asamblesë, duke rekomanduar që zoti Aleksandër Biberaj të zëvendësohej nga Ilir Rusmali, si anëtar dhe si kryetar delegacioni.

- Në një letër të 22 janarit 2009 për presidentin e Asamblesë, zoti Biberaj sqaronte se ai nuk ishte informuar për ndryshimet deri përpara hapjes së sesionit të pjesshëm të Asamblesë në janar.

- Kur e takuam zotin Biberaj në Tiranë, ai na tha se as nuk ishte konsultuar dhe nuk i ishin dhënë arsye për këtë ndryshim.

- Gjatë vizitës tonë, zonja Topalli na informoi se ndryshimet ishin vendosur gjatë pushimeve të Krishtlindjeve, në mungesë të njerëzve, të cilët kishin të bënin më ngjarjen në fjalë. Ajo sqaroi se në seancën e parë plenare për vitin 2009 në Kuvendin shqiptar, më 26 janar (pasi kredencialet ishin sfiduar), ajo informoi parlamentin për ndryshimet në delegacion.

- Valentina Leskaj, kryetare e grupit parlamentar të PS në parlament, na tha se kryetarja e kishte informuar parlamentin për ndryshimet, por nuk kishte marrë në konsideratë kontestimet nga grupi i PS. Ajo pretendon se dështoi marrja në konsideratë e nenit 7.3 për Rregullat e Procedurës Parlamentare.

- Është tej termave tona të referencës që të përfshihemi në punët e brendshme administrative të parlamentit të një shteti anëtar. Megjithatë, ne e marrim në konsideratë faktin se do të ndihmonte shmangien e pakënaqësive të mëtejshme, nëse parlamenti shqiptar do të rishikonte nenin 7.3 në dritën e zhvillimeve të fundit.

Gazeta “TemA”

- Duke pasur në vëmendjen tonë vazhdimisht pretendimet se masat e fundit administrative dhe ligjore sollën mbylljen e të përditshmes “TemA”, ne pranuam të kërkojmë një takim me drejtorin e gazetës, Mero Baze, dhe e ngritëm këtë çështje me autoritetet.

- Zoti Baze thotë se më 16 dhjetor 2008, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës anuloi pa asnjë njoftim një kontratë 20-vjeçare me të përditshmen “TemA për ambientet e saj brenda një godine në pronësi të shtetit. Gazeta ngriti një padi pas kësaj. Më 6 janar 2009, Gjykata e Faktit në Tiranë lëshoi një urdhër për ministrinë që të ndalojë masat për largim, derisa të merret një vendim përfundimtar për çështjen. Në një deklaratë të bërë publike më 9 janar, ministria thekson se të gjitha kontratat mes ministrisë dhe bizneseve të vendosura në godinë janë anuluar, duke cituar interesin publik si të vetmin shkak, dhe si rezultat 10 biznese të tjera janë larguar nga ambientet.

- Ne na u tha që më 8 janar, policia bllokoi hyrjen e ambienteve të gazetës “TemA”, duke cituar një vendim qeverise, sipas të cilit ambientet ishin deklaruar të një rëndësie të veçantë, që kur ato do të shërbenin si vend për printimin e kartave të reja të identitetit dhe pasaportave biometrike, prandaj asnjë biznes nuk do mund t’i përdorë ato. Aksioni i policisë vazhdoi gjatë gjithë ditës së 9 janarit, duke sjellë dhe një tubim të gazetarëve përballë godinës për të kundërshtuar vendimin.

- Drejtori i gazetës “TemA” dhe të tjera gazetarë akuzojnë se bllokimi i gazetës është i motivuar politikisht, për shkak se ata kanë publikuar informacione në lidhje me raste korruptive, ku përfshihen zyrtarë dhe anëtarë qeverie.

- Zoti Baze gjithashtu kërkon të lidhë djegien e makinës së tij jashtë shtëpisë me publikimin e këtyre akuzave.

- Ne nuk patëm kohën e mjaftueshme dhe mundësi për të hetuar plotësisht këto akuza, por do e bëjmë këtë gjatë vizitës tjetër dhe do e përfshijmë në raportin për detyrimet dhe angazhimet e Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›