E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri nis hetimet ndaj lejeve të Delijorgjit

Nga Antena brenda familjes

Flamuri dje e kishte ditë pune. Fushata elektorale nisi dhe ai ishte shumë i gëzuar. Bashkë me fushatën vijnë dhe paratë. Biznesmenët tani, me atë nam që ka fituar nga rubrika “Antena”, shkojnë vetëm te Flamuri. Ai burri dje në Durrës foli për luftë kundër korrupsionit dhe tha se ajo na futi në NATO. Flamuri e pa të udhës t’i forconte këto fakte dhe të jepte shembull personal se si duhej demaskuar korrupsioni.

- Nga ta nis, tha me vete, nga të nis…. U kujtua. Fjalimi i Jozefinës, që Edi Rama nuk guxon ta përmendë Delijorgjin, i dha shumë zemër të fillonte hetimet për këtë çështje. I zuri me radhë të gjitha lejet e ndërtimit të Edi Ramës, pastaj gjithë studiot e projektimit, pastaj gjithë partnerët e atyre që kishin marrë leje. Në fund, arriti të bëjë një listë të plotë me emra të dyshimtë. I vetmi person i identifikuar i dilte Rrahmani, por për këtë bisedoi me Qukapin dhe u mbyll si çështje. Të tjerët i bëri gati.

- Tani ua tregoj unë këtyre, - tha. - Mirë pará që s’na paguajnë më, por paskan dhe ortakë. Thirri kryeredaktorin e gazetës “55” dhe i dha porosi.

- Hape gazetën, - tha, - me ortakët e Delijorgjit. I kam gjet të gjithë emrat. Firma më e rrezikshme është një që ka ortak Mihal Delijorgjin me dy gra, njëra me mbiemër Balliu, tjetra me mbiemër Xhillari.

- Mos u nxito, - i tha kryeredaktori, - se mos na del ndonjë joni. Shiko gjej ndonjë tjetër.

- Jo, jo, kjo më duhet, - i tha Flamuri. - Do ta bëjmë copë këtë Edi Ramën, se ky punon bashkë me Delijorgjin. Këtij nuk ia falim kurrë ne. Dhe ju jeni gazeta më e pakorruptuar dhe e ndershme që ka mbetur. Unë them që ju duhet ta botoni këtë.

- Po këta mbiemra janë shumë familjarë në gazetën tonë, - i tha kryeredaktori. - Marrim rrogat prej tyre.

- Jo, mos u mërzit, - i tha Flamuri, - se e kam parë me kujdes, është Mihal Delijorgji dhe dy gra. Mbiemrat koincidojnë me të Fahriut dhe atij Xhillarit, po s’besoj se janë ata. Se Fahriu na e ka prezantu si demokrat atë.

- Lëre këtë, - i tha kryeredaktori, - na gjej ndonjë gjë tjetër kundër korrupsionit.

- Mirë, - tha Flamuri, - po të jap një tjetër. Kontrolli i Shtetit ka kontrolluar Ministrinë e Jashtme. Çfarë s’ka gjetur aty. Ka qenë një drejtor auditi që në çdo ambasadë që ka shkuar ka kërkuar pará për shpenzime rasti që shkojnë qindra-mijëra euro, po t’i mbledhësh. Tani që u bë kontrolli, del që ky drejtori i auditit nuk i paska kthyer këto pará dhe ato nuk figurojnë askund.

- Kjo qenka e mirë, - tha kryeredaktori. - Ja, të pyes mos i njohim gjë këta që e kanë bërë këtë vjedhje dhe të them.

- Madje këtë praktikë po vazhdojnë akoma tek auditi, - tha Flamuri.

Pas pak Flamuri u lidh prapë me të.

- Nuk e bëjmë dot, - tha, - se ashtu është një punë, është njeriu ynë ai që i ka ndodh kjo fatkeqësi. Nga halli e ka bërë. Ka qenë me gruan në disa nga këto ambasadat dhe s’i kanë dalë lekët. Thjesht i ka marrë borxh. Pastaj Lul Basha i ka thënë: “S’ka nevojë t’i kthesh, se ju për punë i keni marrë.”

- Po ç’t’u jap tjetër unë, - tha Flamuri. - Shiko mos gjeni këtë letër-porosinë e Fatmir Mediut. Se aty ka shumë numra llogarie që i japin pará atij për ta korruptuar, por s’ia kanë dal dot. Bëni ndonjë gjë se na duhet patjetër të tregojmë që po e luftojmë korrupsionin. Se vetëm ju më keni ngelur dhe gazeta e Sandrit. Por atij s’i bie dot më qafë, se ka halle dhe i duhet të bëjë ca lek shpejt e shpejt.

- S’ka problem se ne tituj na duhen, - i tha kryeredaktori, - se faktet i sajojmë vetë.

- E di, e di, s’ua kam merakun, - tha Flamuri, - por desha të jepja dhe unë një kontribut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›