Faturat e energjisë, familjarët paguajnë 55%, biznesi 45%
Edhe gjatë vitit që shkoi familjarët kanë konsumuar më shumë energji elektrike sesa biznesi, sipas të dhënave zyrtare, pavarësisht zotimit të kryeministrit dy vite më parë se ai nuk do të pranonte këtë disbalancim mes biznesit dhe familjarëve. Është e qartë se në një vend që rritet ekonomikisht me 6% çdo vit dhe kërkesa për energji rritet me rreth 20% çdo vit, familjarët të vazhdojnë të paguajnë më shumë se 55% të energjisë. Është e qartë se familjarët janë thjesht pjesa më korrekte në pagimin e faturave të energjisë, ndërsa biznesi duket se arrin të shmanget. Drejtori i korporatës së energjisë, Gjergj Bojaxhi, në fillim të vitit 2007 premtoi se kompania do të maste me anë të një pajisjeje të re energjinë e shpenzuar nga çdo biznes dhe në rast se do të viheshin re shkelje subjektet do të gjobiteshin ashpër. Kjo gjë nisi dhe kurrë nuk përfundoi. Energjia që konsumonte biznesi në vitin 2007 ishte 42%, ndërsa në vitin 2008 ajo është rritur në 45%. Kryeministri, Sali Berisha, premtoi dy vite më parë se ai nuk do të lejonte që të rriteshin çmimet e energjisë para se biznesi të faturohej saktësisht dhe ai të paguante saktësisht faturat e tij. Kryeministri tha se familjarët janë duke paguar më shtrenjtë çmimet e rritura të energjisë dhe se ai ishte i vendosur të mos lejonte më këtë diferencë në konsum të energjisë mes familjarëve dhe biznesit. Aktualisht, në vitin 2009, kur shpërndarja e energjisë është privatizuar, përsëri konsumi i energjisë në sektorin e biznesit, sipas të dhënave zyrtare, të cilat e llogarisin konsumin në bazë të arkëtimeve respektive është shumë më i ulët sesa ai i familjarëve. Në anën tjetër, në sektorin energjitik humbjet vazhdojnë të jenë në nivele alarmante. Për 2008, mbi 30% e energjisë humbi në rrjet. Bilanci i vitit 2008 është pozitiv për prodhimin e energjisë elektrike. Rreth 60% e energjisë, vitin e kaluar, është siguruar nga prodhimi i brendshëm dhe, më saktësisht, vetëm nga hidrocentralet, pasi, edhe pse në sasi modeste në të shkuarën, termocentralet gjatë vitit 2008 nuk kanë prodhuar energji. Për vitin 2008, sasia e energjisë së prodhuar dhe importuar, arriti në 6.6 GWh, nga 5.8 që arriti një vit më parë, ose 12.4% më shumë. Gjatë vitit të kaluar, është prodhuar në vend 3.8 GWh, ose 34.3% më shumë se në 2007. Situata e mirë e prodhimit ka sjellë një rënie të lehtë me 6% të importeve, ku në sasi, për vitin e kaluar, kemi importuar rreth 2.5 GWh energji elektrike. Për vitin e kaluar, humbjet arritën në rreth 2.2 GWh, ose 2.6% më shumë se në vitin 2007. “Humbjet në shpërndarje janë rritur 2.9%. Ato vazhdojnë të zënë pjesën më të rëndësishme të humbjeve në rrjet, me 90%”, - citohet në raport. Rreth 63% e totalit të disponueshëm të energjisë për përdorim, shkon për konsum final.