Qeveria: Kriza ka prekur amerikanët që do blinin INSIG
Një ditë pasi socialistët deklaruan se procesi i shitjes së kompanisë shtetërore të sigurimeve, INSIG, është i dyshimtë dhe për të nuk ka asnjë informacion, zyrtarët e qeverisë kanë komentuar se shitja po shtyhet, për shkak se kompania që ka ofruar më shumë, është përfshirë nga kriza ekonomike në SHBA.
Kompania, për të cilën ekziston vetëm një informacion online, ai që ajo ka blerë INSIG shqiptar, i përket një njeriu të lidhur ngushtë me ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Por, tashmë vetë zyrtarët e Ministrisë së Financave e pranojnë se po negociojnë me blerësit, çka shton dyshimet se edhe për INSIG do të ndodhë siç ka ndodhur me ARMO-n apo të tjera privatizime, kur termat e kontratës janë ndryshuar më vonë, duke favorizuar blerësit dhe duke lënë me gisht në gojë pjesëmarrësit e tjerë në tender, që nuk kanë patur informacione për këto ndryshime.
“Kompania amerikane, ARLI, nuk është shprehur akoma zyrtarisht për heqjen dorë nga privatizimi. Deri tani ne kemi qenë në proces negocimi me kompaninë amerikane ARLI. Procesi ka qenë i gjatë dhe i vështirë, për shkak të krizës financiare botërore, e cila ka goditur më shumë SHBA”, - thanë zyrtarë të MF.
Më pas këta zyrtarë kanë sqaruar dhe pretendimin e opozitës se INSIG po humbet qëllimisht terren në treg që të shitej lirë.
Sipas tyre, edhe pse kjo duket komplet e gënjeshtërt, INSIG është i dyti në treg.
“Kompania e sigurimeve INSIG për vitin 2008 renditet e dyta në treg nga 10 kompani që operojnë për sigurimet e jetës dhe jo-jetës në Shqipëri, duke zotëruar mbi 16% të këtij tregu. Ndërsa në vitin 2003, kur kompania INSIG u vlerësua vetëm 25 milionë dollarë për 100% të aksioneve, në vitin 2008 vlera e tij ishte 53.2 milionë dollarë ose dy herë me lartë se periudha kur qeveriste partia e zotit Beqja”, - thanë këto burime zyrtare.
Ndërkohë, për sa i përket mungesës së transparencës gjatë tenderit, ata janë shprehur se gjithçka ka qenë e hapur për publikun. “Publiku është informuar për të gjitha fazat e tij dhe për këtë mund t'i referohen deklaratës më të fundit për shtyp që Ministria e Financave ka lëshuar për këtë qëllim”, - thuhet në deklaratën e tyre.
INSIG është një kompani që zotërohet e gjitha nga shteti dhe kjo duket se u ka dhënë dorë të lirë atyre që të abuzojnë me tenderin, duke mos patur nëpër këmbë emrat e BERZH dhe IFC. Këtë e kanë pranuar vetë zyrtarët e MF.
“Meqenëse BERZH dhe IFC ekzekutuan të drejtën e rishitjes së aksioneve, e cila skadonte në fund të vitit 2008, tashmë INSIG zotërohet 100% nga shteti dhe po menaxhohet në mënyrë shumë efektive”, - thanë ata.
PS: Shifrat e AMF tregojnë rrënimin e INSIG
Pas deklaratës së qeverisë për shitjen e INSIG kanë reaguar sërish socialistët përmes nënsekretarit për programin në PS, Ilir Beqja.
Sipas tij, shifrat që tregojnë se INSIG po humbet terren në mënyrë të frikshme nuk kanë dalë nga opozita, por nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
“E paaftë për t’u shpjeguar shqiptarëve se çfarë ndodh realisht me INSIG, Ministria e Financave rreket të përdorë si barkë shpëtimi sulmet ndaj Partisë Socialiste. Megjithatë, duhet të falënderojmë Ministrinë e Financave që vendosi të pranojë publikisht dështimin e bujshëm të privatizimit të INSIG. Nuk është faji i Partisë Socialiste pse privatizimi i INSIG u vonua deri në vjeshtën e vitit 2008, por është paaftësia dhe papërgjegjshmëria e qeverisë së Sali Berishës. Këtë paaftësi të pashoqe e kemi denoncuar në mënyrë sistematike për 45 muaj.
Nëse Ministria e Financave kërkon që të flitet me shifra, edhe ne këtë kemi bërë. Në përmbushje të misionit tonë politik dhe detyrimit të informimit të publikut për çfarë ndodh në vend, dje, përcollëm publikisht të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për situatën e tregut të sigurimeve në periudhën janar-shkurt 2009.
Të dhënat e AMF dëshmojnë se INSIG në këtë periudhë zotëron vetëm 7,7 % të tregut të sigurimit të jo-jetës (ky treg zë 93 % të të gjithë tregut të sigurimeve). Vetë Ministria e Financave pranon se vitin e kaluar INSIG zotëronte 16% të tregut. Pra, për dy muaj, në një treg që ka shënuar rritje në tërësi, INSIG është zvogëluar më shumë se dy herë. Shqiptarët janë aq të mençur, sa të kuptojnë se kush është mashtruesi sot në Shqipëri. Shqiptarët kanë sot një qeveri që mashtron, madje duke shpenzuar miliona lekë nga paratë publike për të zyrtarizuar mashtrimet e veta”, - tha Beqja.