E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, banorët bashkëjetojnë sërish me predhat



Laureta Rryçi

Në zonën ku ndodhi tragjedia e Gërdecit, që shkaktoi 26 viktima nga shpërthimi i 15 marsit të vitit të kaluar, është gjendur një predhë e pashpërthyer. Predha, në gjendje aktive, për pak sa nuk ka shkaktuar një tragjedi në një familje në Gërdec. Banori Selami Sefaj nga Gërdeci ka treguar se ka gjetur një predhë teksa punonte tokën para oborrit të shtëpisë së tij. Sefaj bëri të ditur se kur ka gjetur predhën brenda në tokë i janë rikthyer dhe njëherë pasazhet nga tragjedia që ndodhi vitin e kaluar nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëve që ndodhej në fshatin e tyre. Banori i Gërdecit tha se predha të tjera ka gjetur gjatë gjithë kohës në oborrin e tij edhe pas përfundimit të operacionit të ushtrisë për mbledhjen e municioneve në fshat. Por, predha e djeshme e gjetur teksa ai plugonte tokën para shtëpisë, ka alarmuar të gjithë familjen. Një shpërthim i saj mund të kishte qenë fatal për familjen Sefaj. Një prekje me lopatë do të kishte rezultuar vdekjeprurës për banorin nga kjo zonë.
Tragjedia
Gërdeci dhe mbarë Shqipëria u trondit një vit më parë, më 15 mars, kur shpërtheu fabrika e demontimit të armëve “Albademil”. Si pasojë humbën jetën 26 persona, mes të cilëve gra e fëmijë, u plagosën mbi 300 të tjerë, ndërsa u shkatërruan mbi dhjetëra biznese. Por, përveç humbjeve në njerëz, rreziku nga shpërthimi ishin municionet e shpërndara në gjithë fshatin, deri pranë autostradës Tiranë-Durrës. Për mbledhjen e tyre punoi ushtria. Ngjarja aktualisht po gjykohet në Gjykatën e Tiranës. Për këtë tragjedi Prokuroria ka dërguar në Gjykatë dosjen me 29 të pandehur dhe akuzoi për shpërdorim detyre ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, aktualisht ministër i Mjedisit. Por, pak muaj më pas, Gjykata e Lartë vendosi të pushojë çështjen ndaj Mediut me arsyetimin se ai është veshur me mandatin e deputetit nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Pak ditë më parë familjarë të viktimave të tragjedisë së 15 marsit 2008 në Gërdec dorëzuan në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzim penal ndaj ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu. Ata kërkojnë rihapjen e çështjes ndaj Fatmir Mediut. Ndërkohë, procesi me 29 të pandehurit ka vijuar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Të pandehurit që gjykohen në gjendje të lirë janë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha; zëvendësi Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Ardian Mullahi, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi. Ish-drejtori i kompanisë shtetërore “MEICO”, Ylli Pinari, administratori i kompanisë "Albademil", Mihal Delijorgji, ish-drejtori teknik i fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxolli, si dhe ish-punonjësi i MEICO-s, Sokol Gjeçi, janë në gjendje arresti.
Seanca
Seanca e djeshme për procesin e Gërdecit nuk ka mundur të zhvillohej dot. Shkak sërish është bërë mungesa e gjyqtares Fatmira e Hajdari, e cila, sipas kryesuesit të dosjes, vazhdon të ndodhet jashtë shtetit për arsye personale. Gjyqtari Ridvan Hado u shpreh në seancë se nuk do të ishte e arsyeshme të zëvendësohej gjyqtarja Hajdari me një gjyqtar tjetër për shkak se kjo do të ndikonte më shumë në zgjatjen e procesit. Ndërkohë që seanca e ardhshme u la për më 12 nëntor, avokatët reaguan ashpër duke u shprehur se kjo ditë ishte shumë e ngarkuar për ta. Me gjithë kundërshtitë e tyre, sërish seanca e radhës u përcaktua po më 12 nëntor.

Banorët lajmërojnë policinë prej të sëmurëve mendorë
Tiranë - Të sëmurët mendorë kohët e fundit kanë qenë në qendër të opinionit publik për shkak se disa prej tyre mbaheshin të lidhur me zinxhirë, ndërsa të tjerë alarmonin policinë për veprimet e tyre të rrezikshme. Dy raste si këto të fundit kanë ndodhur gjatë ditës së djeshme në Tiranë, ku policia është vënë menjëherë në lëvizje për të neutralizuar të sëmurët. Ngjarja e parë ndodhi paraditen e djeshme, kur V. M., banuese te godina nr. 4 në Institutin Bujqësor, ka telefonuar policinë pasi fqinja e saj, e sëmurë mendore, ndodhej në gjendje agresive dhe po e shqetësonte. Konflikti me fqinjën e sëmurë mendore ka shkaktuar panik te V. M., e cila ka kërkuar ndihmën e policisë. Efektivat blu shkuan menjëherë në vendngjarje dhe u përpoqën të zgjidhnin problemin. Ndërkohë që vetëm pak orë më pas, një tjetër i sëmurë mendor shqetësonte njerëzit. Policia u njoftua se përballë shkollës “Harry Fullc” në Tiranë një person po shqetësonte qytetarët. Menjëherë i sëmuri u transportua në spital nga një makinë e rastit, ndërsa policia nisi hetimet.

Policia zbardh vrasjen e dyfishtë pas 13 vitesh
Dibër - Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Dibër dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat, kanë mundur të identifikojnë autorët e një vrasjeje të dyfishtë të ndodhur 13 vjet më parë. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se për rreth dy vjet, hetuesit kanë kryer një punë intensive për të identifikuar autorët e vjedhjes me armë me pasojë vrasjen e shtetasve Asllan Meçi dhe Rasim Elezi, ngjarje e ndodhur në datën 19 nëntor të vitit 1996 në vendin e quajtur Shënlleshën të rrethit Dibër. Policia deklaroi dje se ka identifikuar autorët, por, për arsye hetimi, nuk mund të bëjë të ditur emrat e tyre pasi ata janë shpallur në kërkim. “Autorët e këtij krimi, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë për arsye hetimi, të armatosur dhe të maskuar, u kanë dalë përpara autobusit të pasagjerëve të Komunës së Reçit, kanë vrarë drejtuesin e autobusit shtetasin Rasim Elezi dhe arkëtarin e Komunës shtetasin Asllan Meçi dhe më pas kanë marrë lekët e Komunës, një shumë rreth 12 milionë lekë e janë larguar nga vendi i ngjarjes. Për autorët e kësaj vepre penale, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër, me Vendim Nr.73, datë 27.10.2009, është caktuar masa e sigurisë ‘arrest me burg’”, - deklaroi sot Policia e Shtetit. Sipas policisë, hetimet e kryera kanë treguar se autorët e këtij krimi kanë rezultuar të jenë autorë të dyshuar edhe të disa veprave të tjera të rënda penale, të ndodhura në kohë të ndryshme në qarqet Dibër dhe Tiranë.
Nga strukturat e Policisë së Shtetit vazhdon puna intensive për dokumentimin në tërësi të aktivitetit kriminal të këtyre shtetasve.

Ministri Basha raporton për reformat e reporterëve të KE-së
Tiranë - Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, priti në një takim raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, David /////Ëilshire dhe Jaako Laakso. Sipas njoftimit zyrtar, ministri Basha i informoi raporterët e Këshillit të Europës në veçanti për progresin e arritur në përmbushjen e kritereve për përfitimin e liberalizimit të vizave me BE-në. “Megjithëse procesi i lëshimit të pasaportave biometrike nisi më 1 maj dhe pati një ndërprerje për shkak të angazhimit për pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime elektronike për zgjedhjet e qershorit, deri tani numërohen 245 mijë aplikime për pasaporta biometrike, 234 mijë prej të cilave janë prodhuar. Ky fakt dëshmon se Shqipëria ka ritmin më të lartë të pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike në rajon, - u shpreh ministri Basha. Gjatë takimit me raporterët //Ëilshire dhe Laakso, ministri Basha informoi edhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Në këtë aspekt Basha informoi se mesatarja e kriminalitetit në Shqipëri është vlerësuar si më e ulët se në vendet e BE-së.

Superhajduti vjedh pistoletën e shërbimit të ushtarakut
Tiranë - Superhajduti 12-vjeçar Markeljan C. ka qenë sërish dje në polici. Kësaj herë “shënjestër” e tij ishte një punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili Markeljani i kishte hyrë në banesë ku i vodhi atij pistoletën e shërbimit. Gjithçka ndodhi në orët e para të ditës së djeshme në rrugën “Dalip Topi”, lagjja “Qesarakë” në Tiranë, kur i mituri ka hyrë në banesën e 50-vjeçarit Mehmet L. Në bazë të dëshmisë së këtij të fundit, autori ka vjedhur në banesën e tij 3000 lekë dhe pistoletën e tij të tipit “Makarov”. Policia u vu menjëherë në lëvizje për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit. Nuk ka qenë e vështirë për policinë të identifikojë autorin e vjedhjes sapo një dëshmitar tregoi se kishte parë një djalë të vogël t’i afrohej banesës. Policia mundi të gjente të miturin dhe të kryente shoqërimin e tij në komisariat.

Harron gjellën në zjarr, i shkrumbohet shtëpia
Gjirokastër – Një e moshuar ka harruar gjellën në petrogaz dhe për pasojë ka marrë flakë ena dhe më pas e gjithë banesa. Zjarri shkrumboi banesën e së moshuarës, ndërsa rrezikoi banesat përreth.
Ngjarja ndodhi dje në fshatin Llovinë të komunës Dropulli i Sipërm në Gjirokastër, kur banesa e 71-vjeçarit Jorgo Ziko u përfshi nga flakët e zjarrit. Policia e sinjalizuar për ngjarjen me anë të një telefonate u vu menjëherë në lëvizje bashkë me repartin e zjarrfikëses. Me ndërhyrjen e zjarrfikësve, të forcave të policisë dhe të banorëve të fshatit u bë e mundur që flakët të viheshin nën kontroll duke mos lejuar përhapjen e mëtejshme të zjarrit në banesat ngjitur me banesën e shkrumbuar nga zjarri. Pas një ore zjarri është fikur plotësisht dhe përveç banesës së të moshuarit Jorgo Ziko nuk pati asnjë banesë tjetër të dëmtuar nga zjarri.

Konflikti me djalin i kushton prangat 75-vjeçarit
Durrës - Forcat e policisë së Durrësit kanë kapur në flagrancë 75-vjeçarin Ibrahim Dervishi, lindur dhe banues në fshatin Karpen të Durrësit, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, iu gjend një automatik dhe dy krehër me fishekë. Burimet nga policia e këtij qyteti konfirmuan se gjatë kontrollit në banesën e tij, që u mundësua pas konfliktit që ai kishte pasur me djalin 35-vjeç. Të informuar për këtë, forcat policore kanë shkuar menjëherë në banesën e tij, aty ku dhe kanë gjetur automatikun me numër 0780087-89, si edhe dy krehra me fishekë automatiku me 51 copë, model 56 kalibër 7.62, të cilat i kishte pa leje.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga Neni 278/2 i Kodit Penal.

5 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›