Ndryshimet statutore, grupi i punës në PS programon takimet me bazën
Shaban Sulçe
Dje është zhvilluar mbledhja e parë e grupit të punës së krijuar nga Partia Socialiste, i cili do të diskutojë dhe do të propozojë ndryshimet në Statusin e kësaj partie. Mbledhja është zhvilluar në drejtimin e Gramoz Ruçit, i cili është caktuar nga Asambleja Kombëtare e PS-së si drejtuesi dhe kryesuesi i këtij grupi pune. Sipas burimeve në Partinë Socialiste, mbledhja e djeshme ka qenë vetëm formale dhe prezantuese, ndërsa javën e ardhshme do të zhvillohet mbledhja e radhës së këtij grupi. Në këtë mbledhje do të hartohet kalendari dhe programi i takimeve që grupi i punës për ndryshimet statutore do të zhvillojë me bazën dhe organizatat socialiste. Kjo pasi Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka vendosur që për ndryshimet statutore të merret edhe mendimi i anëtarësisë socialiste.
Anëtarësia
Mendimi i anëtarësisë socialiste për ndryshimet në Statut do të merret në dy mënyra. Së pari, do të jenë takimet e drejtpërdrejta që grupi i punës në PS do të zhvillojë me organizatat socialiste. Për këtë, grupi i posaçëm i punës do të hartojë kalendarin e punës mbi të cilin do të jenë të programuara takimet që do të zhvillohen. Mënyra e dytë do të jetë ajo e shprehjes së mendimit me anë të formularëve të posaçëm, që do të plotësohen nga anëtarët e Partisë Socialiste.
Anëtarësia socialiste do të ketë mundësinë që të shprehet në lidhje me pikën më të nxehtë që po shoqëron prej disa kohësh Partinë Socialiste dhe që është ajo e rikandidimit ose jo të kryetarit të Partisë në rast se humben zgjedhjet. Anëtarët e Partisë Socialiste do të kenë mundësinë që të shprehen edhe në lidhje me organizimin dhe strukturat drejtuese të PS-së, për mënyrën e zgjedhjes së kryetarëve të degëve, të kryetarëve të organizatave, madje edhe të kandidatëve për deputetë.
Ndryshimet në Statut
Në debatin për ndryshimet statutore në Partinë Socialiste, deri tani janë hedhur të paktën tri propozime. Një paketë propozimesh u paraqit nga deputeti dhe anëtari i Kryesisë, Ben Blushi, ku propozimi kryesor ishte ai që kryetari i partisë nuk duhet të rikandidojë në rast se humbet zgjedhjet. Por kjo paketë propozimesh u rrëzua nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste në mbledhjen e zhvilluar në muajin gusht. Një tjetër paketë propozimesh për ndryshimet në Statutin e Partisë Socialiste ishte ajo e paraqitur nga ish-kandidati për kryetar të kësaj partie, Maqo Lakrori. Sipas tij, PS-ja duhet të drejtohet në mënyrë kolegjiale dhe të shkëputet nga kulti i individit, ndërkohë që duhet të ketë ndryshime në mënyrën e zgjedhjes së kandidatëve për deputetë, të kryetarëve të organizatave, kryetarëve të degëve të PS-së në rrethe, si dhe të strukturave të tjera drejtuese. Propozime për ndryshimet në Statutin e Partisë Socialiste janë paraqitur edhe nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Një ndër pikat kryesore të këtyre propozimeve është që deputetët aktualë, për të hyrë sërish në listën e kandidatëve, duhet të votëbesohen në qarqet ku janë zgjedhur.
Ndryshimet në Statut, Kongresi do të vendosë në prill 2010
Propozimet e organizatave socialiste do të kenë një vend të veçantë në hartimin e programit të ri të Partisë Socialiste, si dhe në ndryshimet e Statutit të saj. Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste janë përcaktuar edhe fazat e diskutimit dhe miratimit të propozimeve për programin e ri politik dhe për ndryshimet statutore. Sipas Asamblesë Kombëtare të PS-së, diskutimi dhe miratimi i propozimeve të ardhura nga anëtarësia do të bëhet në tri faza. Diskutimi i parë do të bëhet në muajin janar të vitit 2010, në Kryesinë e Partisë Socialiste. Më pas vendimet dhe propozimet e saj do t’i kalohen për shqyrtim dhe propozim Asamblesë Kombëtare në muajin shkurt, ndërsa miratimi i programit të ri do të bëhet përfundimisht nga Kongresi i Partisë Socialiste, në muajin prill të vitit të ardhshëm.
Anëtarët e grupit të punës për ndryshimet statutore
Kryesia e Partisë Socialiste ka vendosur të ngrejë një grup të posaçëm pune, i cili do të merret me hartimin e propozimeve për ndryshimet statutore. Në përbërje të këtij grupi, i cili drejtohet nga Gramoz Ruçi, bëjnë pjesë deputetët: Namik Dokle, Fatmir Xhafaj, Bashkim Fino, Erion Braçe, Blendi Klosi, Damian Gjiknuri, Saimir Tahiri, Taulant Balla, Arben Ahmetaj dhe Ilir Gjoni. Gjithashtu, në këtë grup merr pjesë edhe Maqo Lakrori, Musa Ulqini, Genc Gjonçaj, Agustin Marku, Rajmonda Gjoni dhe Ndue Doda.
Organizatat e PS-së, në proces rinovimi
Partia Socialiste ka nisur më datë 20 tetor procesin e rinovimit të organizatave të saj në bazë. Duke filluar nga 20 tetori dhe deri në datën 20 dhjetor të këtij viti, socialistët kanë planifikuar të kryejnë zëvendësimin e kryetarëve dhe sekretarëve të organizatave. Objektiv i këtij rinovimi do të jenë kryesisht ato organizata, të cilat arritën një rezultat jo të kënaqshëm në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Procesi i rinovimit ka nisur pas miratimit të vendimeve me pikëpamje organizatave nga ana e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare e PS-së, përveç vendimeve politike siç ishte ai i bojkotit të zgjedhjeve të pjesshme të 15 nëntorit, u morën edhe disa vendime që kishin të bënin me organizimin dhe rinovimin e strukturave socialiste. Për të arritur në këtë pikë, selia rozë ka miratuar hapjen e një procesi të gjerë debati e konsultimi me përfshirjen e të gjithë anëtarësisë, përfaqësuesit e rinisë dhe të gruas, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit. Në këtë kuadër është vendosur që brenda periudhës 20 tetor - 20 dhjetor 2009 të zhvillohen në të gjithë vendin mbledhjet për zgjedhjet e reja në organizatat socialiste, me anë të të cilave synohet të arrihet identifikimi, analizimi dhe përmirësimi i problematikave dhe mangësive të konstatuara në organizimin edhe veprimin politik të PS-së, kryesisht gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit. Gjatë kësaj faze do të zgjidhen kryetarët dhe sekretarët e organizatave të partisë, si dhe do të bëhet i mundur verifikimi i anëtarësisë efektive të kësaj force. Procesi i zgjedhjeve të reja në organizatat socialiste do të monitorohet nga drejtuesit lokalë të PS-së, si dhe nga anëtarët e Asamblesë Kombëtare.
5 Nentor 2009