Fondet e shpenzimeve, qeveria shtyn miratimin e projektbuxhetit të vitit 2010
Ervin KOÇI
Qeveria ka shtyrë për në mbledhjen e saj të ardhshme miratimin e projektbuxhetit të vitit 2010, i paraqitur dje nga Ministri i Financave, Ridvan Bode në mbledhjen e qeverisë. Pas shumë negociatash, edhe pse ministri Bode i ka dorëzuar qeverisë për miratim projektbuxhetin e vitit 2010, shpërndarja e fondeve për sektorët e ndryshëm ka bërë që anëtarët e kabinetit qeveritar të kenë rezerva. Puna për hartimin e projektbuxhetit ka nisur që më 10 korrik 2009, me qëllim miratimin e tij në qeveri në datën 25 tetor. Kjo ngutje synonte që projektbuxheti të kalonte më 1 nëntor në Kuvend për tu votuar, por me sa duket planet e Financave nuk kanë shkuar sipas parashikimeve. Shkak kanë qenë negociatat e vazhdueshme me aleatët në qeveri, të cilët kërkonin më tepër fonde për digasteret e tyre sesa ishte plani. Kjo gjë solli vonesa në miratimin e projektbuxhetit. Megjithatë, Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se në mbledhjen e radhës së qeverisë, do të miratohet projekti i Financave. Ndryshe nga tri vitet e kaluara, shpenzimet parashikohen të jenë më të reduktuara, si pasojë e përfundimit të rrugës Rrëshen-Kalimash. Në total, projektbuxheti i hartuar nga Financat parashikohet të jetë rreth 413 miliardë lekë, rreth 13 miliardë lekë më shumë se suplementari i vitit 2009. Sa u takon të ardhurave, plani është për rreth 363 miliardë e 300 milionë lekë, me një rritje prej 11.4 për qind. Në këtë pikë, qeveria synon të mbajë një deficit buxhetor jo më të lartë se 3.5 për qind, megjithatë për ta ruajtur atë, janë vendosur rezervë rreth 7 miliardë lekë.
Të ardhurat
Në projektbuxhetin 2010, janë parashikuar rreth 363.3 miliardë lekë të ardhura, ku vetëm nga tatimet dhe doganat mundësohen 250.7 miliardë lekë, me një rritje prej 12.6 për qind, krahasuar me 2009-n. TVSH do të jetë taksa me të ardhurat më të larta, rreth 129 miliardë lekë, ku pjesa dërrmuese do të mblidhet nga doganat. Në këtë plan, Ministria e Financave ka llogaritur edhe zgjerimin e bazës së taksapaguesve me TVSH, falë uljes së xhiros vjetore në 5 milionë lekë. Edhe kontributet shoqërore dhe shëndetësore do të kenë rritje të ardhurash të konsiderueshme, në rreth 61.2 miliardë lekë. "Këtë parashikim e kemi bërë nisur nga rritja ekonomike, ulja e informalitetit, niveli i pagave dhe punësimi", arsyeton Ministria e Financave. Pothuajse për të gjitha taksat pritet rritje të ardhurash, përfshi edhe taksat e pushtetit lokal, ndërsa te taksat doganore që aplikohen për mallrat e BE-së, CEFTA-s dhe Turqisë, pritet ulje.
Shpenzimet
Ndryshe nga plani i mëparshëm, miratuar në korrik 2009, Ministria e Financave e ka ulur nivelin e buxhetit, me rreth 4 miliardë lekë, duke pranuar kufirin prej 413 miliardë lekësh. Rritja në total është rreth 3 për qind, shifër modeste nëse e krahasojmë me buxhetet e kaluara. Ministria sqaron se përfundimi i rrugës Rrëshen-Kalimash, ndikoi në zbutjen shpenzimeve. Sa u takon investimeve kemi ulje me rreth 10 miliardë lekë, kurse shpenzimet për mirëmbajtje dhe personel, janë rritur ndjeshëm.
INSTAT: Deficiti tregtar thellohet me 17.1 për qind në muajin shtator
Në muajin shtator 2009, deficiti tregtar ka shënuar një rritje prej 17.1 për qind krahasuar me muajin gusht, ndërsa importet u rritën me 20.6 për qind dhe eksportet me 33.6 për qind. Ky është raportimi më i fundit që bën Instituti i Statistikave lidhur me përpjesëtimin e importeve dhe eksporteve në vendin tonë gjatë kësaj periudhe. Sipas tij, në muajin shtator u eksportuan 9,5 miliardë lekë mallra, me rritje 33.6 për qind në krahasim me muajin gusht 2009 dhe ulje me 10.9 për qind në krahasim me shtatorin e kaluar. Ndërkohë që po këtë muaj janë importuar 40,6 miliardë lekë mallra me rritje 20.6 për qind në krahasim me gushtin e kaluar dhe rritje 9.7 për qind në krahasim me shtatorin e vitit të kaluar. Deficiti tregtar i këtij muaji është 31 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 17.1 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 18.1 për qind krahasuar me Shtator 2008. Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Europian janë 68 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 63.3 për qind dhe importi 20.7 për qind, ndërsa me Greqinë, eksporti është 6.2 për qind dhe importi 16.7 për qind.
Prifti: “Bizneset e huaja do të favorizohen në se investojnë në Shqipëri”
Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, i ka bërë thirrje dje investitorëve të huaj të vijnë në Shqipëri pasi është bërë gati një projektligj për të krijuar ambient të favorshëm për investitorët privatë, vendas apo të huaj. Në fjalën e tij mbajtur në konferencën e dytë për investimet, Prifti deklaroi se Shqipëria ofron një legjislacion liberal dhe garantues për investimet e huaja. “Investitorët e huaj kanë të drejtë të hapin një aktivitet ekonomik në Shqipëri brenda një dite pa nevojën e ndonjë autorizimi apo leje paraprake. Sipas ligjit shqiptar ata kanë të drejtë të kenë trajtim të barabartë dhe gëzojnë të gjitha mbrojtjet e siguritë për investimet e tyre në Shqipëri”,- deklaroi ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Sipas tij, “’One Stop Shop’, baza ligjore e standardeve evropiane për investimet, taksa e sheshtë 10 për qind si edhe ulja e taksave që e bën Shqipërinë vendin me barrën fiskale më të ulët në Europë, favorizojnë dhe lehtësojnë biznesin”.
5 Nentor 2009