Taci ne liri revolton Median, kepuce ndaj Kryeministrise
Akti barbar ndaj gazetarit Mero Baze dhe pafuqia e qeverisë për të arrestuar agresorin kryesor ka nxjerrë në shesh komunitetin e gazetarëve të vendin tonë, të cilët, në shenjë revolte, qëlluan me këpucë ndërtesën ku ndodhet qeveria. Neglizhenca e shtetit dhe qeverisë për të çuar para ligjit dhunuesin e gazetarit Baze mblodhi në shesh jo vetëm njerëzit e medias, por edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, politikanë, por edhe njerëz të thjeshtë. Kryetari i Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë, zoti Ylli Rakipi, i cili hapi protestën, adresoi një mesazh të qartë: “Qeveria duhet të lirojë dy truprojat që dhunuan Mero Bazen dhe duhet të ndalojë agresorin e tij”. Të njëjtin mesazh përcollën edhe gazetarë të tjerë, të cilët kërkuan publikisht që media të konsiderohet pushtet i katërt, si të gjitha pushtetet e tjera. Ndërkaq, disa prej organizatorëve akuzuan kryeministrin Berisha si personin që ka nxitur dhe ka shkaktuar një situatë të tillë, duke i përmendur të kaluarën e tij. Kjo ka qenë arsyeja kryesore që në drejtim të Kryeministrisë janë vërshuar me dhjetëra këpucë, shenjë kjo që interpretohet si pafuqi e strukturave të rendit për të prangosur dhunuesin kryesor të gazetarit Mero Baze.
Protesta
Vetëm 36 orë pas dhunimit të Mero Bazes dhe reagimit të dhjetëra organizatave, partive politike dhe institucioneve ndërkombëtare, shoqatat e gazetarëve dolën në shesh për të protestuar kundër qeverisë dhe për të kërkuar vënien para ligjit të autorit të aktit të rëndë që ndodhi mbrëmjen e së hënës. “Qeveria jonë ndaloi dy badiguardë. Ne jemi mbledhur sot për t’i thënë shtetit tonë, për t’i thënë qeverisë t’i lirojë badiguardët dhe të ndalojë agresorin e gazetarit”, - tha Ylli Rakipi, kryetari i Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë. “Nëse nuk ndalon agresorin e vërtetë, atëherë shteti është agresor ndaj gazetarit dhe gjithë gazetarëve”, - u shpreh kreu i shoqatës së gazetarëve.
Aleksandër Çipa, kryetari i Unionit të Gazetarëve, gjatë fjalës së tij theksoi se protesta nuk është për një individ, por është protestë për një dimension më të gjerë, lirinë. Analisti Andrea Stefani kujtoi të shkuarën aspak dashamirëse të kryeministrit Berisha dhe bëri apel për liri shprehjeje. Pa fjalën e medias nuk mund të ketë demokraci; nuk ka demokraci nëse media nuk ka pushtetin që kanë pushtetet e tjera”, - tha Stefani. Akuza të drejtpërdrejta ndaj kreut të qeverisë beri gazetari Filip Çakuli, i cili u shpreh para protestuesve se “ka një agresor që ka një emër, që quhet Sali Berisha. E ka treguar me fakte. Ai nuk është vetëm kundër gazetarëve, por edhe kundër deputetëve. E ka thënë në Parlament me sjelljen që ka treguar ndaj tyre”, - tha Çakuli. Një mesazh në mbështetje të gazetarit Baze dhe gjithë komunitetit të gazetarëve ka ardhur edhe nga regjisori dhe intelektuali i njohur, Kujtim Çashku. Protestës së djeshme iu bashkuan me qindra intelektualë, politikanë dhe qytetarë, të cilët apeluan paqësisht për lirinë e medias dhe respektimin e gazetarëve. Në përgjigje të drejtësisë së munguar, protestuesit u larguan duke hedhur këpucë ndaj godinës së Këshillit të Ministrave, një akt ky që vjen pas pafuqisë së Ministrisë së Brendshme për të vënë në pranga të akuzuarin kryesor për ngjarjen e ndodhur tri ditë më parë në qendër të Tiranës.
Dhuna
Mbrëmjen e së hënës, rreth orës 23:00, biznesmeni Rezart Taçi dhe disa nga truprojat e tij dhunuan në një lokal në kryeqytet gazetarin Mero Baze. Të pranishëm në vendngjarje ishin dy gazetarët e njohur Arban Hasani dhe Andi Bushati. Policia arrestoi truprojën e tij, Bledar Lilo dhe shtetasin Arjan Selfo, ndërsa shpalli “në kërkim policor Rezart Taçin. Prokuroria nisi hetimin për pronarin e ARMO-s pas denoncimit të bërë nga gazetari Baze. Pasditen e së martës, Rezart Taçi bëri një deklaratë për mediat, ku tha se nuk ka ushtruar dhunë fizike ndaj gazetarit dhe e gjitha kjo bëhet për t’i marrë bizneset. Një deklarim i tillë bie ndesh me deklaratat e bëra në media nga dëshmitarët në vendngjarje. Dy ditë më parë pati reagime të shumta për ngjarjen, përfshirë edhe organizatat dhe ambasadat e huaja, të cilat u shprehën të skandalizuara për ngjarjen. Megjithëse kanë kaluar tri ditë nga akti i shëmtuar, ende qeveria dhe strukturat e shtetit nuk kanë vënë përpara Drejtësisë të akuzuarin kryesor.
Dhuna ndaj Bazes, Topi: “Alarm për institucionet”
TIRANË – “Ngjarja duhet të ngrejë në alarm të gjitha institucionet”. Ky ka qenë përshkrimi i bërë nga presidenti Topi vetëm disa orë pas dhunimit të gazetarit Mero Baze. Gjatë fjalës që ka mbajtur kreu i shtetit në një takim rajonal për zhvillimin e medias, ka dënuar sërish aktin barbar ndaj Mero Bazes, duke e cilësuar atë si një ngjarje të papranueshme. Presidenti Topi është shprehur se liria e medias është diçka thelbësore në një shtet demokratik, duke theksuar se nuk ka demokraci pa media të lirë. “Ngjarja me gazetarin Mero Baze është e papranueshme. Nuk ka demokraci pa media të lira", - deklaroi Topi. "Rruga në vite nuk ka qenë e lehtë për median dhe reforma në legjislacion për to është e nevojshme”, - ka shtuar Topi. Kryetari i shtetit ka denoncuar edhe influencën e politikës te mediat shqiptare dhe ka shtuar se është koha për një reflektim të thellë. “Ka politikanë që s’flenë pa u mbyllur shtypi. Disa media ngjajnë si parti politike. Media është një fushë e lakmueshme nga politikanët, por ajo duhet të jetë përtej interesave të biznesit”, - u shpreh Topi.
REAGIME
Shoqata e Gazetarëve në Kosovë: “Fajtorët, para Drejtësisë”
PRISHTINË – Për dhunën ndaj gazetarit Mero Baze ka reaguar dje edhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili dënon sulmin që ndodhi më 2 nëntor në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, kur u dhunua nga biznesmeni Rezart Taçi dhe truprojat e tij gazetari Baze. “Sulmin ndaj gazetarit dhe botuesit të gazetës ‘Tema’, Mero Baze, Shoqata e Gazetarëve kosovarë e konsideron si të papranueshëm dhe si cenim i shprehjes dhe lëvizjes së lirë të gazetarëve. Unioni i Gazetarëve të Kosovës përshëndet reagimet e kolegëve të tyre ndaj sulmit mbi gazetarin Mero Baze, ndërsa kërkon nga ta që sa më shumë të bëjnë presion mbi institucionet e Republikës së Shqipërisë, por edhe të mekanizmave ndërkombëtarë që fajtorët e sulmit të vijnë para Drejtësisë”.
“Unioni i Gazetarëve të Kosovës i dënon ashpër akte të tilla, të cilat janë të papranueshme dhe janë hap prapa drejt integrimeve euroatlantike. Me këtë sulm fizik ndaj Bazes edhe njëherë u pa qartë se vendet në rajon kanë probleme me lirinë e shprehjes”, - thuhej më tej në deklaratë.
Ambasada e Italisë: “Të zbardhet sa më shpejt ngjarja”
Edhe selia diplomatike italiane në vendin tonë ka reaguar për ngjarjen e ndodhur tri ditë më parë. “Ambasada e Republikës së Italisë në Shqipëri dënon me forcë çdo veprim që bie ndesh me ligjin, që cenon lirinë e shprehjes e të mendimit e që në mënyrë të veçantë cenon lirinë e shtypit: parim botërisht i njohur si një prej garancive themelore të një shteti demokratik”, - thuhet në deklaratën e posaçme që lëshoi Ambasada e Italisë në vendin tonë. “Duke u mbështetur në këto parime, Ambasada Italiane uron që të hidhet dritë sa më shpejt rreth ngjarjes në të cilën u dhunua gazetari Mero Baze”, - përfundon deklarata për mediat.
Në lidhje me këtë ngjarje kanë reaguar Ambasada Amerikane, zyra e Prezencës së OSBE-së dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare të akredituara në vendin tonë.
5 Nentor 2009