E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gerdeci, deshmia: Gruaja ime ende vuan pasojat e shperthimit

TIRANE- Vazhdojnë dëshmitë rrënqethëse në seancën gjyqësore në ngarkim të 29 të pandehurve për tragjedinë e Gërdecit. Ish punonjës të fabrikës së demontimit të municioneve, Alba Demil, ata që kanë parë vdekjen me sy tregojnë momentet e tmerrit që përjetuan mesditën e 15 marsit 2008.“Në momentin, kur shpërtheu zjarri u mundova të largohesha”- tregon zoti Lufti Gërdeci i cili atë ditë punonte në fabrikë së bashku me bashkëshorten e tij. “Gruan e gjeta një ditë më pas në spital. Ajo kishte djegie në 30 % të trupit, ndërsa pasojat e asaj tragjedia vazhdon ti vuajë dhe sot”- rrëfen dëshmitari. Seanca në gjykatën e Tiranës filloi 40 minuta me vonesë, në pritje të disa prej avokatëve mbrojtës të të pandehurve. Lufti Gërdeci,ish punonjës i fabrikës tregoi para trupit gjykues se ishte punësuar në fabrikën e vdekjes më 15 qershor të 2007, nga Dritan Minxolli, ish drejtori i fabrikës. Së bashku me të ishin punësuar dhe bashkëshortja e tij, i vëllai, e ëma dhe kunati.“Nuk ka pasur asnjë moment trajnimi lidhur me punën që bënim”- trego në rrëfimin e tij dëshmitari i cili ka punuar në të dy fazat e demontimit, si në atë të demontimit të fishekëve, ashtu dhe në demontimin e predhave, nga ku ndodhi dhe shpërthimi tragjik. Zoti Lufti, i cili mban mbiemrin e fshatit që u bë i njohur pas tragjedisë së 15 marsit, ku gjetën vdekjen 26 persona, ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë, tregon momentet si ishte punësuar duke firmosur vetëm në një fletë të bardhë.Dëshmitari rikonfirmon thëniet e disa dëshmitarëve të mëparshëm në këtë seancë, se në fabrikë nuk kishte asnjë element sigurie, apo dhe mjete të tjera për shuarjen e zjarrit. “Në një rast kur ra zjarri në fabrikë e fikëm me kova uji”- kujton zoti Lutfi Gërdeci.Gjyqi për 29 të pandehurit e tragjedisë së gërdecit zhvillohet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Ish-drejtori i kompanisë shtetërore MEICO, Ylli Pinari, administratori i kompanisë "Alba Demil", Mihal Delijorgji dhe ish-drejtorin teknik të fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxolli, si dhe ish punonjësi i MEICO-s Sokol Gjeci janë në gjëndje arresti. Ata akuzohen për vrasje masive dhe shkatërrim prone. Mes të pandehurve që gjykohen në gjendje të lirë, kryesisht janë ish- funksionare te larte te Ministrise se Mbrojtjes dhe Shtabit te Pergjithshem te Ushtrise.(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›