Rrjedha e Drinos rrëmben mjetin, shpëtohen 3 vetë
GJIROKASTER - Rrjedha e lumit Drino rrezikoi jetën e tre personave ditën e djeshme. Sipas policisë, të rrezikuarit ishin nga zona e Lunxhërisë, por ata arritën të shpëtonin mrekullisht, pasi njoftuan ngjarjen në kohë. Ata guxuan me automjetet e tyre të ecnin mespërmes luginës së përmbytur, në momentin kur thellësia e ujit ishte rreth 50 cm, por kur panë se vala e ujit erdhi papritur rrufeshëm, nuk u ngeli gjë tjetër, veçse të hipnin mbi tavanet e automjeteve dhe të kërkonin ndihmë. Pasi telefonuan policinë dhe informuan se gjendeshin së bashku me dy automjetet Mercedez-Benz në Urën e Aznakut, në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e PMNZSH-së. Fill pas tyre mbërritën edhe zv. drejtori i Policisë së Qarkut, si dhe prefektja Mimoza çomo në cilësinë e shefes së Shtabit të Emergjencave Civile. Fundosja e automjeteve në ujë ishte e menjëhershme si pasojë e ardhjes së rrjedhës së lumit Drino në një lartësi prej 80 cm. Mjetet e PMNZSH së bashku me efektivat e policisë, u afruan me shumë vështirësi tek personat e rrezikuar nga mbytja. Operacioni për shpëtimin e tyre zgjati një orë. Automjetet e tyre u tërhoqën disa momente më pas, por sipas burimeve, ato kishin pësuar dëme. Mësohet se tre personat nga zona e Lunxhërisë nuk kishin pësuar dëmtime, veç panikut. p.n