Gazi rus trullos Kroacinë
Vizita që presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç zhvilloi në Moskë më 14 dhjetor, shënoi jo vetëm një rekord protokollar, sepse ishte e pesta herë gjatë mandatit të tij presidencial që bënte vizitë zyrtare në Rusi, por edhe një ndryshim interesant në politikën e jashtme kroate. Ndërsa në vitin 2007 kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, kishte refuzuar ofertën e presidentit të atëhershëm rus, Vladimir Putin për të përfshirë Kroacinë në projektin rus të gazsjellësit “South Stream”, Stipe Mesiç shkoi në Moskë me kërkesën zyrtare për të bashkuar Kroacinë me projektin e gazsjellësit rus. Kjo ka qenë tema kryesore e bisedimeve zyrtare, që ai zhvilloi me kryeministrin rus, Vladimir Putin, dhe jo e bisedimeve me homologun e tij, Dimitri Medvedev, me të cilin ai u takua gjithashtu. Disa analistë rusë e shpjegojnë këtë spostim protokollar bisedimesh me faktin se presidenti kroat ka marrëdhënie shumë të mira personale me kryeministrin rus, por disa të tjerë e shpjegojnë me synimin për t’i dhënë kënaqësi Vladimir Putinit, të cilit tani i paraqitet një lutje nga shteti që dikur e refuzoi. Në të vërtetë, në kanale diplomatike ruso-kroate ishte rënë dakord të shkonte për vizitë në Moskë kryeministrja Jadranka Kosor, por nga Zagrebi u paraqit kërkesa e re që të shkonte presidenti dhe vizita e kryeministres u la për më vonë. Rezultati është se tashmë është pothuaj e sigurt, që edhe Kroacia do t’i bashkohet projektit rus të gazsjellësit “South Stream”. Gazeta ruse “Komersant”, e datës 15 dhjetor, njoftonte se marrëveshja qeveritare është pothuajse gati, por detajet po mbahen sekret, dhe dy vendet do të nënshkruajnë së shpejti memorandumin dypalësh. Në këtë mënyrë, edhe Kroacia do t’i bashkohet gazsjellësit rus “South Stream”, ashtu sikurse bënë dy shtete fqinj të saj, Serbia në dhjetor të vitit 2008 dhe Sllovenia në nëntor të vitit 2009. Në pamjen e parë duket sikur Kroacia, e cila paraqiti tani kërkesën për t’u bashkuar me projektin e gazsjellësit rus, është më e interesuara nga të dy palët. Por, po ta analizosh më në thellësi, del se nuk është plotësisht ashtu. Në radhë të parë duhet vënë në dukje se Kroacia nuk hyn në radhën e atyre vendeve që kanë varësi absolute dhe jetike nga gazi rus. Ajo i plotëson vetë mbi 60 për qind të nevojave të veta për gaz dhe pjesën tjetër e merr nga Rusia. Interesi i Rusisë është më i madh për ta pasur Kroacinë në hartën ruse të ‘Gazpromit’. Rusia ka një interes strategjik për të pasur Kroacinë në rrethin e kontrolluar prej saj të shteteve marrëse dhe tranzituese të gazit. Kroacia ka një pozicion gjeografik dhe strategjik joshës, dhe nëpërmjet territorit të saj duhet të kalojnë linjat e furnizimeve energjetike nga Ballkani apo Adriatiku për në Europë. Ky pozicion strategjik i jep Kroacisë peshën e preferencës për projekte gazsjellësish dhe burimesh energjetike jo ruse. Këtë alternativë të kalimit apo futjes së linjave jo ruse të furnizimeve energjetike, Moska synon që ta parandalojë. Rusia kërkon të ruajë monopolin energjetik në Ballkan. Ndaj, në strategjinë ruse mbisundon synimi që të fusë në rrethin e Gazpromit të gjitha shtetet ballkanike. Sepse, dihet që rajoni i Ballkanit është fushë-kalimi kryesor dhe i vetëm i gjithë gazsjellësve apo naftësjellësve, që do të vijnë qoftë nga Rusia, qoftë nga Turqia, qoftë nga shtetet e Azisë Qendrore. Rusia ka përfshirë në projektin e gazsjellësit të vet “South Stream” edhe Bullgarinë, edhe Greqinë, edhe Serbinë, edhe Slloveninë. Kroacia mbetet një objektiv me interes, ndaj dhe Vladimir Putini personalisht i bëri asaj ofertën më 2007, gjë të cilën qeveria e mëparshme e Ivo Sanaderit e refuzoi, por qeveria e re e Jadranka Kosorit duket ka ndryshuar qëndrim. Rusia, në fakt nuk kërkon thjesht pjesëmarrjen e Kroacisë në gazsjellësin “South Stream”. Ajo kërkon një prani dhe një kontroll më të plotë në vendin ballkanik. Presidenti kroat pohoi në konferencën e shtypit, pas takimit me udhëheqësit rusë, se Rusia po kërkon stacione, depozita dhe infrastrukturë energjetike nga Kroacia. Sipas burimeve diplomatike, kryeministri Vladimir Putin vuri kushtin që Kroacia t’i njohë Rusisë të drejtën e pronësisë mbi rrjetin naftësjellës në Kroaci, i cili ka qenë ndërtuar në kohën e ish-Jugosllavisë dhe të cilin Beogradi e pretendon se ka qenë pjesë e Industrisë serbe të naftës, NIS, të cilën Serbia ja ka shitur Rusisë. Deri tani Zagrebi e ka hedhur poshtë këtë pretendim të Serbisë se, pronat e NIS-it në Kroaci kanë qenë prona serbe. Gazpromi rus po lobon të marrë pjesën që ka kompania hungareze ‘MOL’ në kompaninë kroate të naftës ‘INA’, ku hungarezët kanë 47 për qind të aksioneve. Gjithashtu, Gazpromi ka shprehur interes që të marrë pjesë në ndërtimin e një terminali të madh gazi në Adriatikun Verior, terminal të cilin qeveria kroate ka vendosur ta ndërtoje në ishullin Kërk. Siç shihet, kemi të njëjtën praktikë dhe politikë ruse të zbatuar në të gjitha shtetet që kanë nënshkruar marrëveshje energjetike me atë, që Rusia jo vetëm të fitojë kalimin e gazsjellësit, por edhe të ketë pjesëmarrje dhe kontroll në tërë rrjetin shpërndarës, në stacione furnizimi, në depozita, terminale, etj. Politika energjetike ruse nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me gazin, por përçon një strategji të vendosjes e influencës së saj në Ballkan. Rrjeti energjetik rus nëpër Ballkan është në fakt një rrjet i vendosjes së influencës së Moskës në rajon. është e kuptueshme politika që ndjek Serbia në raportet e saj me Rusinë, me të cilën ka nënshkruar edhe një marrëveshje të aleancës strategjike, dhe me të cilën gjithashtu ka nënshkruar një marrëveshje për ndërtimin e një baze të përbashkët emergjence dhe logjistike në qytetin e Nishit. Serbia nuk është vend anëtar i NATO-s, dhe as ka ndër mend që të kërkojë zyrtarisht anëtarësim në NATO. Madje, Serbia ka zhvleftësuar edhe ftesën gjeneroze që i bëri Aleanca Atlantike më 2006 për pjesëmarrje në “Partneritetin për Paqe”, sepse Serbia ka adoptuar zyrtarisht më 2007 doktrinën e neutralitetit ushtarak, pikërisht për të bllokuar ndonjë përpjekje për anëtarësim. Nuk duket e qartë përse Kroacia ndërmori këtë ndryshim në politikën e saj nga një qeveri në tjetrën. E përsërisim, këtu nuk është çështje gazi apo çështje ekonomike, sepse nuk mund të mendohet se qeveria e Sanaderit nuk donte ta ngrohte popullin e vet, kurse qeveria e Kosorit do ta ngrohë popullin. Marrëveshjet energjetike me Rusinë kanë efekte të drejtpërdrejta politike, dhe këtë e dëshmojnë fare qartë marrëdhëniet energjetike të Rusisë me Ukrainën, Moldavinë apo Gjeorgjinë. Një shpjegim i këtij ndryshimi kroat mund të jetë rivaliteti me Serbinë, ku Kroacia, duke parë marrëdhëniet e veçanta mes Rusisë dhe Serbisë, dhe impaktin që ato mund të kenë mbi Kroacinë si shtet fqinj, synon të zbusë efektet, duke ndërmarrë avanca drejt Moskës me qëllim që të neutralizojë ndonjë përçapje negative serbo-ruse ndaj Kroacisë. Presidenti kroat, Stipe Mesiç, gjatë vizitës së tij në Moskë, manifestoi një patetizëm diplomatik në drejtim të Rusisë, jo vetëm me deklaratat se “Rusia është një superfuqi botërore dhe është nder dhe privilegj të bashkëpunosh me të”, por edhe me bashkimin e tij publik me qëndrimet e Vladimir Putinit për vlerësimet e Luftës së Dytë Botërore, me daljen kundër vendosjes së mburojës antiraketë të SHBA në Europë, dhe me përkrahjen e projektit politik rus të Traktatit të ri të Sigurisë në Europë, në një kohë kur NATO, ku Kroacia është anëtare, e ka hedhur poshtë këtë projekt rus, i cili synon pikërisht likuidimin e NATO-s. Një shpjegim tjetër mund të jetë politika individualiste që po karakterizon shtetet e Europës në raportet me Rusinë dhe me gazin e saj. Një vështrim i bisedimeve, marrëdhënieve, marrëveshjeve dhe i tratativave të shteteve të veçanta, të mëdhenj ose të vegjël të Europës me Rusinë dhe me Gazpromin, dëshmon dukurinë jo pozitive, ku secili shtet po i ndërton marrëdhëniet me gazin rus mbi baza interesash individuale. Kjo ka qenë në favor të Rusisë, sepse duke përçarë dhe përplasur interesat e qëndrimet e vendeve të veçanta europiane me njeri-tjetrin, ka qenë në gjendje të pengojë unifikimin e politikës energjetike europiane dhe të përfitojë kushte më të favorshme ekonomike e politike për Rusinë. Pikëpyetjet dhe mëdyshjet janë të shumta, por ajo që duket deri tani, është fakti se gazi rus po e trullos Kroacinë.