Gërdeci, dëshmia në Gjykatë: Ushtria vihej në “rresht” nga Ylli Pinari
Laureta Rryçi
Ushtria shqiptare ka transportuar municione drejt punishtes së demontimit në Gërdec jo mbi bazën e një grafiku të përcaktuar, por mbi bazën e urdhrave verbalë të kompanisë “MEICO”, që drejtohej nga Ylli Pinari. Dëshmia u dha dje nga Lavdërim Çota, ish-shefi i Brigadës Logjistike në Komandën Mbështetëse në vitin 2007, gjatë seancës për gjyqin e Gërdecit, që është duke u zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë. Ish-ushtaraku në atë kohë kishte pasur detyrën edhe të specialistit të armatimit. Dëshmitari tregoi se “Ushtria shqiptare ka transportuar municione në fabrikën ‘Albademil’ në Gërdec, jo siç parashikonte kontrata, por në bazë të urdhrave verbalë nga Ylli Pinari i MEICO-s. Urdhrat bëheshin në çdo orë të ditës, me telefon, SMS etj.”. Në këtë mënyrë dëshmitari pohoi se në shumë raste, kompania “Albademil” bënte një kërkesë jo sipas rregullave dhe grafikëve të përcaktuar nga Ushtria shqiptare, por në bazë të sasisë që mund të demontonte brenda një dite apo një jave. Në këtë mënyrë, Albademil ka përfituar më shumë municion dhe nuk ka paguar transportin, sikundër ishte përcaktuar në kontratën e saj.
Relacioni
Denoncimi i ushtarakut nuk u bë vetëm dje, ai shpjegoi se në kohë kishte përpiluar një relacion duke ngritur pikërisht këtë shqetësim. Për këtë çështje, Çota u kishte bërë një relacion eprorëve të tij, relacion që dje u lexua në sallë. Nëpërmjet atij relacioni deklaronte se të gjitha kërkesat për transportin e municioneve drejt Gërdecin bëheshin në mënyre verbale nga MEICO. Sipas tij, MEICO i kërkonte Komandës Mbështetëse (e përcaktuar me urdhër të ish-ministrit të Mbrojtjes për transportin e municioneve drejt Gërdecit) kërkonte sasi jo mbi bazën e një grafiku sikundër parashikohej në kontratë. Me këtë dëshmi është thelluar më tej skandali se si u përdor ushtria nga privatët. Në seancat e mëparshme është deklaruar nga specialistët e ushtrisë se për të gjitha shërbimet e transportit për llogari të firmës “MEICO” dhe indirekte Albademil nuk është marrë asnjë qindarkë, ndërkohë që fatura kishte vajtur 75 milionë lekë. Në seancë nuk ka pasur asnjë reagim nga Ylli Pinari, që u implikua direkt për dhëniet e kërkesave verbale që kishte bërë për transportin e municioneve.
Dëshmia
“Raportimi për zbatimin e urdhrit bëhet në mënyrë operative ditën që zbatohet ai. Gjatë kohës që ka dalë urdhri, Forcat e Armatosura ishin në procesin e inventarizimit të vlerave materiale, ndërkohë që dokumentet në të tilla raste mbahen pezull deri në përfundim. Me urdhrin për demontim jam njohur, por nuk më kujtohet nëse është zbatuar. Për MEICO-n kanë ardhur dy urdhra. I pari nga Komanda e Mbështetëse, ku jepte tabelat e municioneve, llojet, sasitë për repartet vartëse. Grafikë nuk ka pasur. Çdo kopje e urdhrave shkonte në batalionin e Policisë Ushtarake, e cila kishte për detyrë të ruante transportin. Kërkesa bëhej nga MEICO në mënyrë verbale. Një sasi municioni është kthyer. Ishim ndarë në grupe të veçanta për të klasifikuar municionet prej tunxhi. Transporti bëhej përmes kërkesës verbale të MEICO-s. Nga urdhrat e ardhur nuk ka pasur kufizim. Për ngarkimin e municionit kemi pasur vështirësi, ndërsa për karburantin nuk kam dijeni. Nuk kemi pasur lidhje me shoqërinë ‘Albademil’. Problemet për transportin janë evidentuar te eprorët”. Kjo ishte dëshmia e dhënë nga Çota.
Seanca
Ndërsa dëshmuan edhe Jonida Deliu dhe Bujar Alla, ky i fundit me detyrë shef i Logjistikës në Ministrinë e Mbrojtjes. Ai tha se nuk ka pasur vështirësi në furnizimin me karburant sepse kanë zbatuar vetëm urdhrat. Edhe Shahin Toçilla, shef i Logjistikës në Batalionin e Armatimeve, tha se për çdo veprim janë mbështetur te urdhri i komandantit të Komandës së Bashkuar. Pas dëshmisë së Çotës seanca vijoi me dëshmitë të ushtarakëve të tjerë që kishin pasur si detyrë specialistë të armatimit dhe municioneve. Të gjithë pjesë të Komandës Mbështetëse, që drejtohej nga gjenerali Zija Baja dhe aktualisht është i pandehur në këtë proces. Procesi gjyqësor në ngarkim të 29 të pandehurve vazhdon me pyetjen e dëshmitarëve në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Në tragjedinë e 15 marsit 2008 humbën jetën 26 persona, 300 u plagosën si dhe mijëra banesa e subjekte private u dëmtuan.
27 Prill 2010