GREQI, shërbimi sekret kërkon në Shqipëri kryeterroristin e organizatës “EA”
Artan CENA
ATHINË - Shërbimi sekret grek ka zbarkuar në Shqipëri, ku po kërkon kreun e organizatës terroriste që e shkatërroi pak ditë më parë. Kjo gjë është bërë e ditur nga gazeta greke "Ethnos tis Kiriakis", që ka cituar burime pranë shërbimit sekret në Athinë. Nga të dhënat që disponon media helene, mësohet se agjentët grekë janë drejtuar për në Shqipëri, duke theksuar se aty gjendet një nga krerët e organizatës terroriste "Sehta Epanastaton" (Lufta revolucionare). Sipas gazetës "Ethnos tis Kiriakis", para 4 muajsh agjentët mundën të identifikonin sinjalin e telefonit të njërit prej krerëve të organizatës terroriste "Sehta", që vinte nga Shqipëria. Nga të dhënat që disponon policia, personi që gjendet në Shqipëri lidhet direkt me organizatën terroriste. Policia greke e shkatërroi këtë organizatë disa ditë më parë, pas një hetimi që kishte bërë më shumë se një vit. Të arrestuarit, gjashtë veta, janë akuzuar për terrorizëm, vrasje dhe akuza të tjera të shumta. Ata akuzohen dhe për vrasjen e një polici, të ndodhur në Sava, Patias në qershor të vitit të kaluar.
Hetimi
Siç bëhet e ditur nga gazeta greke, shërbimi sekret zbuloi katër muaj më parë që një nga krerët e këtij grupi terrorist kishte kaluar Shqipërinë dhe strehohej në zonat kufitare. Por, gjatë hetimeve të bëra në Greqi, policia kishte bërë të mundur që të zbulonte dhe vendndodhjen e të dyshuarit. Ai është gjetur me anë të sinjaleve që lëshonte celulari. Mësohet se ai cilësohet si përgjegjës për disa sulme dhe gjatë këtyre 15 ditëve të fundit, kur Policia greke ka ndërmarrë operacionin për shkatërrimin e kësaj organizate terroriste, të ketë komunikuar me anëtarë të tjerë, të cilët ende nuk janë ndaluar. Pas arrestimeve të bëra, policia për herë të parë tha se nuk janë ndaluar të gjithë anëtarët, por pa dhënë emra. Pas sulmit me armë në “Nea Ionia” në prill të 2007-s, organizata terroriste është shfaqur në tetor të vitit të kaluar, ku dështoi në një atentat me bombë. Zyrtari i shërbimit sekret grek ka bërë të ditur se gjashtë të arrestuarit e tanishëm për shtatë vjet kanë qenë truri dhe zemra e kësaj organizate. Tani janë duke u mbledhur të dhëna dhe për katër persona, që janë krahu i veprimit të organizatës, si dhe kreu i saj që, sipas gazetës greke, ndodhet në Shqipëri. Provat që rëndojnë mbi këtë të fundit mësohet se janë siguruar nga një kapuç i gjetur në një vendngjarje, ku gjatë analizave të flokëve është arritur të identifikohet dhe autori i sulmit. Gjatë hetimeve dhe kontrolleve të ushtruara nga policia pas arrestimeve në Greqi, kishte gjetur dhe një disk me të dhëna të rëndësishme të ushtrisë, që ishte denoncuar si i zhdukur nga një pjesëtar i marinës greke.
Arrestimet
Policia greke beson se ka goditur rëndë organizatën kryesore të armatosur në vend, "Lufta revolucionare" (EA), duke zbuluar në qendër të Athinës arsenalin e saj të armëve dhe eksplozivëve, njoftuan burime zyrtare të Policisë greke. Pas arrestimit të gjashtë personave disa ditë më parë, të cilët akuzohen se i përkasin kësaj organizate kriminale, mbrëmjen e djeshme policia zbuloi në një apartament në qendër të Athinës sasi të mëdha eksplozivi, armësh dhe municionesh. Sipas burimeve policore, në apartamentin e katit të pestë u gjetën shtatë raketa, një armë antitank RPG-7, dy automatikë kallashnikovë, pistoleta, granata, si dhe sasi e madhe bombash, të gatshme për t’u përdorur. Armët dhe eksplozivi ishin paketuar sikur anëtarët e grupit po përgatiteshin t'i transportonin diku tjetër. Për masa sigurie policia evakuoi të gjithë pallatin, për të kryer më pas sekuestrimin e armëve. Me këtë operacion, Policia greke beson se ka zbuluar bazën kryesore të organizatës guerile “Lufta revolucionare”, që konsiderohet si më e madhja në vend. Baza ndodhet fare pranë godinave të Gjykatës së Athinës, që përbënte dhe objektivin e aksionit të parë të organizatës në fjalë në vitin 2003. Shërbimi antiterror ka dyshime të bazuara se në arsenalin e gjetur ndodhet edhe arma me të cilën u godit në janar 2008 selia e Ambasadës Amerikane në Athinë.
Objektivat e terroristëve
Disa ditë më parë, antiterrorizmi grek arrestoi gjashtë persona, pesë burra dhe një grua, anëtarë të organizatës, të cilët akuzohen për pjesëmarrje në një bandë të armatosur dhe për vrasje. Ndër të tjera, policia zbuloi edhe një magazinë ku u gjetën 150 kilogramë eksploziv. Policia zbuloi edhe disa lista me emra objektivash, ku ndër të tjera u gjetën emrat e disa bankierëve, gazetarëve dhe ai i kryeministrit Jorgo Papandreu. Zbulimi i fundit në qendër të Athinës konfirmon se ky operacion, më i madhi në këto vitet e fundit, e ka goditur rëndë oranizatën “EA” duke çarmatosur një nga grupet më të rrezikshme, trashëgimtari i organizatës së famshme marksiste "17 Nëntori".
“Lufta revolucionare” konsiderohet organizata më e madhe guerile në vend, pas asgjësimit të organizatës “17 Nëntori” në vitin 2002, që ishte organizata më jetëgjatë në Europë.
27 Prill 2010