E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, dështon procesi ende pa filluar

Autori i Lajmit: red.
Dosja “Gërdeci”

Gjyqi për tragjedinë e Gërdecit është shtyrë ende pa filluar. Ashtu dhe siç ishte parashikuar numri i madh i të pandehurve do të ishte shkaku kryesor i dështimit të këtij procesi. Që në seancën e parë pjesa më e madhe e të pandehurve nuk ishte paraqitur duke kërkuar që të mbroheshin nga avokatët e tyre. Por edhe disa të pandehur të tjerë as nuk ishin paraqitur, por edhe nuk kishin autorizuar avokatë për t u përfaqësuar në gjyq. Pjesa më e madhe e të pandehurve kishte marrë nga dy avokatë për t u mbrojtur. Gjithashtu, një prej të pandehurve preferoi që të përfaqësohej vetë në gjyq duke mos marrë avokat mbrojtës. I pandehuri Zenun Ferro ka pohuar se është në gjendje që të mbrohet vetë, duke e parë të panevojshme marrjen e një avokati mbrojtës. Por nga ana tjetër, edhe Prokuroria kishte bërë një mobilizim sa më dinjitoz, duke u përfaqësuar nga të pesë prokurorët e çështjes, me në krye drejtorin e hetimit, Sokol Stojani.
Shtyrja
Shkak për shtyrjen e seancës është bërë mungesa e disa prej avokatëve dhe parregullsitë e disa prokurave të lëshuara nga të pandehurit. Të pandehurit që janë bërë shkak për shtyrjen e seancës së parë kanë qenë Agim Lala, i cili sipas avokatit Artan Kodheli, ndodhej jashtë vendit dhe nuk kishte mundësinë për t i lëshuar një prokurë avokatit të tij mbrojtës. Shkëlzen Madani ishte një tjetër i pandehur që nuk u paraqit. Madani, i cili gjatë fazës së hetimeve është mbrojtur nga avokati Hysni Beti, nuk është paraqitur në seancën e djeshme, por nuk ka autorizuar edhe avokatin e tij që të paraqitej në gjyq. Gjithashtu, edhe i pandehuri Dritan Minxholli, që nuk ishte paraqitur në sallë, por kishte preferuar të mbrohej nga avokati Arben Prifti, kishte lëshuar një prokurë të pavlefshme, pasi në të emri i tij ishte shkruar Artan Minxholli, çka detyroi Kolegjin Penal që ta cilësojë si të pavlefshme këtë prokurë. Edhe personi shoqëria “Albademil”, që do të gjykohet si person juridik, nuk kishte asnjë përfaqësi në sallë.
Gjyqi
Nëse seanca e parë do të zhvillohej atëherë kjo do të bëhej vetëm me prezencën e avokatëve, pasi pjesa më e madhe e të pandehurve nuk ishin paraqitur. Në total nga 30 të pandehur në sallë ishin të pranishëm vetëm 13, ndërsa 17 të tjerët nuk kishin preferuar të ishin të pranishëm në fillimin e procesit gjyqësor. Seanca do të njihet si e para e zhvilluar në vend për përmasat e saj të mëdha, si në numrin e madh të të pandehurve, plot 30, avokatëve, prokurorëve dhe dëshmitarëve. Në superseancën e djeshme gjyqësore morën pjesë përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, Avokati i Shtetit, familjarë të personave që humbën jetën në tragjedi dhe të akuzuarit. Çështja "Gërdeci" u regjistrua në Gjykatën e Lartë në mars të vitit 2009, pas përfundimit të hetimit njëvjeçar të Prokurorisë së Përgjithshme. Shumë nga të pandehurit e çështjes në fjalë akuzohen për "shpërdorim të detyrës, në bashkëpunim". Mes të akuzuarve për këtë çështje është edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha. Trupi gjykues kryesohet nga gjyqtari Besnik Imeraj.

Banorët e Gërdecit, pjesëmarrës në sallë
Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe një numër i madh familjarësh të viktimave të Gërdecit. Mbi 20 persona ishin të pranishëm brenda në sallë, ndërkaq edhe shumë të tjerë qëndronin jashtë dyerve të gjykatës. Për banorët e Gërdecit ishte përcaktuar një vend i posaçëm për qëndrimin e tyre. Tragjedia e Gërdecit është ngjarja më tragjike e ndodhur në dekadat e fundit për Shqipërinë. Më 15 mars të vitit 2008, në fshatin Gërdec pranë Vorës, 15 km nga Tirana, shpërtheu një fabrikë e demontimit të armëve, ku ushtronte aktivitetin e demontimit të municioneve shoqëria “Albademil” sh.p.k. Si pasojë e shpërthimit humbën jetën tragjikisht 26 persona, u plagosëm mbi 300 të tjerë, ndërsa qindra shtëpi e dhjetëra biznese u shkatërruan.

Të pandehurit që mungonin

1. Fatmir Mediu
2. Ylli Pinari
3. Ardian Mullai
4. Shkëlzen Madani
5. Armand Tartari
6. Agim Lala
7. Shpëtim Spahiu
8. Zija Bahja
9. Adriatik Mema
10. Fatbardh Kuçi
11. Fari Toska
12. Fiqeret Mato
13. Dritan Minxholli
14. Mihal Delijorgji
16 Juliana Margariti
17. Shoqëria “Albademil
Ky lajm është publikuar: 05/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›