E Diel, 1 Nëntor 2026

Kredia për Durrës-Kukës me interesat më të larta, si kredi konsumatore

Nga Fitim Zekthi

Kredia e marrë nga qeveria shqiptare për të financuar punimet në rrugën Durrës-Kukës është ndër kreditë më të shtrenjta që vendi ynë ka marrë ndonjëherë. Të dhëna zyrtare të Ministrisë së Financave bëjnë me dije se norma e interesit të kësaj kredie prej 250 milionë eurosh është 9,6% duke mos përfshirë në të normën e euriborit. Qeveria shqiptare dy ditë më parë ka bërë me dije se ajo siguroi kredinë prej 250 milionë eurosh nga Deutsche Bank dhe Alpha Bank dhe se norma e interesit është 9,6% plus normën e euriborit, i cili në momentin e tanishëm është 1,7%. Siç dihet, qeveria shqiptare kërkoi të marrë kredi për financimin e rrugës Durrës-Kalimash në një vlerë prej 300 milionë eurosh, gjë që nuk u bë e mundur për shkak të gjendjes së përgjithshme problematike në sistemin financiar botëror dhe mundi të marrë vetëm një kredi prej 250 milionë eurosh dhe me një normë interesi shumë të lartë.

Me normat aktuale të euriborit interesi i kredisë në total është 11.3%. Kjo normë është dy herë më e lartë nga ajo e kredisë tregtare prej 230 milionë eurosh që qeveria mori vitin e kaluar nga dy banka greke për të financuar rrugën Durrës-Kukës.

Vitin e fundit, si pasojë e krizës financiare, Banka Qendrore Evropiane ndërmori një politike agresive duke ulur normën bazë të interesit për euron në nivelet minimale historike, në përpjekje për të furnizuar tregun me likuiditet. Kjo ka bërë që euribori të jetë aktualisht në nivelin më të ulët historik, me vetëm 1.7%, ose rreth 3 herë më i ulët nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ku ai ishte rreth 5%. Ekspertët thonë se sapo të stabilizohet situata financiare në treg, euribori do rikthehet sërish në nivelet e zakonshme të viteve të kaluara, çka do ta çonte interesin total të kredisë që qeveria nënshkroi një ditë më parë mbi nivelin 15%. Kredia tregtare prej 250 milionë eurosh merret për të financuar rrugën Durrës-Kukës. Ajo është një kredi sindikate e marrë nga disa banka, ku pjesën qendrore e zë Deutsche Bank dhe Alfa Bank. Përfundimi i punimeve në rrugën Durrës-Kukës është domosdoshmëri dhe buxheti i shtetit e ka të pamundur ta financojë atë me financim të brendshëm e kësisoj u desh që të merreshin kredi tregtare me terma shumë të ashpra, të cilat sigurisht që do të paguhen nga taksapaguesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›