Grupi më i madh hetimor i ngritur ndonjëherë nuk zbardh dot vrasjen e Xhindit
Edhe pse për zbardhjen e motiveve dhe autorëve të vrasjes së deputetit të PS, Fatmir Xhindi, po heton grupi më i madh hetimor i ngritur ndonjëherë për zbardhjen e ngjarjeve kriminale, hetuesit nuk kanë arritur në asnjë përfundim. Burime pranë grupit hetimor thonë se nuk ka asnjë emër konkret mbi autorin e mundshëm të vrasjes së Xhindit, duke rrëzuar kështu aludimet e medieve të ndryshme. Ata e konsiderojnë këtë ngjarje si tepër të vështirë për t’u zbardhur. Ndërkohë, moszbardhja e vrasjes ka lindur dyshimet për paaftësi të oficerëve të policisë dhe hetuesve, pasi, edhe pse u bënë pesë ditë që nga ekzekutimi i deputetit të PS, të dhënat mbi ngjarjen dhe autorin janë shumë të pakta.
Grupi hetimor
Si asnjëherë tjetër më parë, duke parë dhe rëndësinë e ngjarjes, grupi hetimor që po heton për vrasjen e deputetit të PS, Fatmir Xhindi, është më i madhi i ngritur ndonjëherë për zbardhjen e ngjarjeve kriminale. Madje, burime pranë prokurorisë bëjnë me dije se numri i personave që po hetojnë për këtë ngjarje është edhe më i madh se numri i atyre që hetuan ngjarjen më të rëndë të ndodhur gjatë këtyre viteve të fundit në vendin tonë, atë të Gërdecit. Kështu, mësohet se për zbardhjen e motiveve dhe autorëve të mundshëm të vrasjes së deputetit Xhindi janë përfshirë mbi 100 persona. Këta i përkasin shërbimit sekret apo siç njihet ndryshe SHISH, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Departamentit të Ushtrimit dhe Ndjekjes Penale, Departamentit të Krimeve të Hapura, Departamentit të Krimit të Organizuar, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Por, pavarësisht numrit të madh të tyre dhe faktit që kanë plot pesë ditë që po hetojnë për ngjarjen e rëndë, ende nuk ka asnjë të dhënë konkrete që mund të çojë në zbardhjen e motiveve të vrasjes së Xhindit dhe identifikimit të autorëve. Edhe pse në media u bë me dije se grupi hetimor ka mundur që të identifikojë autorin e vrasjes, burime pranë hetuesve thonë se nuk ka asgjë të vërtetë dhe për momentin nuk ka asnjë të dyshuar konkret. Burimet bëjnë me dije se po përpunohet çdo informacion që flet, jo vetëm për orët e fundit të jetës së deputetit, por edhe kontaktet e të ndjerit të disa ditëve apo dhe viteve më parë.
Këto burime thonë se hetimi i ekzekutimit të deputetit të PS është shumë i vështirë, pasi autori nuk ka lënë asnjë gjurmë në vendin e ngjarjes. Për më tepër, i ndjeri Xhindi nuk ka pasur konflikte me ndonjë person, çka mund të bënte që të ngrihej ndonjë hipotezë për vrasjen e tij. Moszbardhja e kësaj ngjarjeje, duke qenë se ka plot pesë ditë që ka ndodhur dhe duke qenë se në hetime janë përfshirë një numër i madh personash, bën që të ngrihen dyshime reale mbi aftësinë e këtyre të fundit.
Nga skenari që policia ka ndërtuar mbi mënyrën e vrasjes së deputetit, mësohet se autori, pasi e ka pritur për më se 40 minuta në këtë vend, e ka qëlluar atë plot 12 herë, nga të cilat 9 plumba kanë qëlluar trupin e viktimës. Autori dyshohet të ketë përdorur armë për herë të parë, pasi nga shpërndarja e plumbave tregohet se arma i ka dalë nga kontrolli, ndërsa qëllonte. Ndërkaq, shpërblimi prej 250 mijë eurosh për personin që do të jepte të dhëna të sakta në lidhje me vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi, ka bërë që në Policinë e Shtetit të mbërrijnë një numër i madh telefonatash. Persona të ndryshëm kanë telefonuar në numrat e vënë në dispozicion nga Policia e Shtetit, duke dhënë detaje nga më të ndryshmet. Burime nga policia thanë se të gjitha të dhënat e telefonuesve janë marrë në konsideratë dhe janë verifikuar, por deri më tani asnjëra prej tyre nuk ka çuar hetuesit në motivin e saktë apo tek autorët që ekzekutuan deputetin Xhindi