E Shtunë, 31 Tetor 2026

Identifikohet vrasësi i deputetit Fatmir Xhindi

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Grupi i hetimit ka arritur që të identifikojë një shtetas si autor të mundshëm të ngjarjes. Burime nga grupi i hetimit kanë pohuar se janë në ndjekje të një personi si i dyshuari kryesor i ngjarjes, por identiteti i tij dhe rrethanat e tjera të ngjarjes mbahen tepër sekret. Nga burimet e informacionit pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë së Shtetit mësohet se janë siguruar informacione që do të çojnë në arrestimin sa më të shpejtë të autorit. Burimet e informacionit tregohen tepër të rezervuara në dhënien e detajeve pasi zbardhja e ngjarjes dhe operacioni për arrestimin e autorit konsiderohen si “top sekret”. Por burimet konfidenciale pohojnë se autori i ngjarjes është banor i zonës së Roskovecit dhe kishte njohje të vjetra me autorin. Sipas po të njëjtave burime, mësohet se edhe në vendin e ngjarjes janë siguruar prova, të cilat dyshohen se i përkasin autorit të krimit, por ato do të provohen vetëm kur policia të ketë bërë shoqërimet e personave të dyshuar dhe verifikimin e provave të gjetura në vendin e ngjarjes.
Operacioni
Burime nga Drejtoria e Policisë Fier bëjnë me dije se mbrëmjen e djeshme janë zhvilluar shumë kërkime në zonën e Roskovecit. Policia ka ushtruar kontrolle në banesat e disa personave të dyshuar, por nuk arriti që të bjerë në gjurmët e autorit. Kërkime janë zhvilluar edhe në kodrat e Roskovecit, pasi informacionet e marra tregojnë se autori nuk është larguar shumë nga vendi i ngjarjes. Drejtuesit e grupit të hetimit kanë zhvilluar pasditen e djeshme, por edhe gjatë orëve të mbrëmjes, mbledhje të shumta me ekspertët e kriminalistikës dhe forcat RENEA të cilët janë në gatishmëri të plotë për të bërë ndërhyrjen finale. Gjatë gjithë mbrëmjes ka pasur kontrolle të shumta në të gjithë zonën, por arrestimi i autorit dhe vendndodhja e saktë e tij mbetet ende enigmë. Burimet policore kanë konfirmuar mbrëmjen e djeshme se do të ketë kontrolle edhe gjatë natës, pasi dyshohet se autori nuk është larguar shumë nga zona, pasi edhe mundësitë për t u larguar pa lënë gjurmë kanë qenë të pakta për shkak të rrethimit të zonës.
Provat
Inspektorët e kriminalistikës kanë arritur të sigurojnë prova të shumta në vendin e ngjarjes, një ndër të cilat kanë qenë edhe një pako aspirina, e cila, pasi i është nënshtruar analizës në Laboratorin e Kriminalistikës në Tiranë ka rezultuar se nuk ka gjurmë të deputetit Fatmir Xhindi. Pakoja e aspirinave dyshohet se i përket autorit të ngjarjes. Por kjo provë nuk është konsideruar si vendimtare për të bërë lidhjen mes personave të dyshuar edhe autorit të ngjarjes, pasi ajo mund t i ketë rënë edhe ndonjë kalimtari të rastit ose është hedhur nga dikush tjetër aty pa ndonjë qëllim të caktuar. Por pak metra larg vendit të ngjarjes policia ka gjetur edhe disa gjurmë, të cilat dyshohen se i përkasin autorit. Janë bërë të gjitha matjet e nevojshme dhe tashmë mbetet të bëhet vetëm verifikimi mes të dhënave të personave të dyshuar dhe autorit që mund të ketë kryer vrasjen.

Prova nga vendngjarja
Sipas burimeve policore mësohet se në vendngjarje janë gjetur 15 gëzhoja automatiku kallashnikov , copa xhami dhe gjak. Vendi i ngjarjes ishte prishur, pasi kishin kaluar të afërm të deputetit për t i dhënë ndihmën e parë mjekësore. Në një cep fare pranë shtëpisë së tij, vend me bar të njomë, ishte prishur, gjë që sipas policisë aty mund të ketë qëndruar një person që i kishte zënë pritën. Ai kishte qëndruar në atë vend rreth 30 minuta, pohuan burimet policore fierake për gazetën. Qentë e policisë që u dërguan në vendngjarje i ndoqën gjurmët deri në kënetë, por s doli asnjë rezultat pozitiv. Kjo, pohuan burimet policore, do të thotë se atij i kishin zënë pritë. Pista e krimit është përforcuar edhe nga deklaratat e të afërmve, të cilët kanë pohuar se kishin dëgjuar një zë që e kishte thirrur në emër Fatmirin, dhe më pas u dëgjuan vetëm breshëri automatiku.

Hetimet
Konflikti për një objekt në Kurjan, familjarët e mohojnë

Një ndër pistat që shpresohej që të çonte grupin e hetimit drejt autorit të ngjarjes ishte ajo e vrasjes për konflikte pronësie. I ndjeri Fatmir Xhindi kishte arritur që të privatizonte një magazinë në fshatin Kurjan të komunës me po të njëjtën emër. Sipas të dhënave, për shkak të kësaj godine, Xhindi ka pasur përplasje me një tjetër shtetas që pretendonte pronësinë e saj. Por kjo pistë është hedhur poshtë kategorikisht nga familjarët, të cilët kanë pohuar se nuk kanë pasur asnjëherë përplasje për motive pronësie dhe pikërisht për objektin në fjalë. Por edhe pas deklaratave të familjarëve, grupi i hetimit nuk e ka përjashtuar këtë pistë hetimi. Gjithashtu, Prokuroria është duke punuar edhe në pista të tjera për të gjetur sa më shumë prova për të arrestuar autorin e vrasjes. Dy janë pistat që janë verifikuar ditën e djeshme. E para është vrasja për shkak të cilësive të veçanta, pasi i ndjeri ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë, që përfaqësonte qytezën e Roskovecit dhe zonat përreth. Grupi hetimor deklaroi se është verifikuar veprimtaria e fundit e tij, por deri më tani nuk ka të dhëna për vrasje për motive politike. Grupi i hetimit ka marrë në pyetje edhe banorë të zonës si dhe persona të dyshuar për të përforcuar më shumë apo për të eliminuar pistat e hetimit në mënyrë që hetimet të përqendrohen në një drejtim të vetëm. Por një tjetër pistë është ajo për motive banale. Grupi i hetimit, duke zbardhur të gjithë veprimtarinë e tij të kohëve të fundit po përpiqet të gjejë të dhëna për ndonjë përplasje të tij kohët e fundit. Por edhe pse ka pasur kërkime intensive në këtë pistë, nuk është arritur të sigurohet ndonjë provë konkrete. Hetimet janë shtrirë në të gjithë zonën e Roskovecit dhe të Fierit, por pjesë të grupit të hetimit operojnë edhe në Tiranë duke krijuar kështu një rrjetë të gjerë të shtrirjes së hetimeve duke filluar nga zbardhja e përgjimeve të bëra e deri tek kërkimet në terren që nuk kanë qenë të pakta orët e fundit të mbrëmjes së djeshme.

Prokuroria lëshon urdhrat e përgjimit
Prokuroria ka firmosur urdhrat e parë të përgjimeve për personat që dyshohen se janë ekzekutorët e deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi. Gjatë ditës së djeshme, katër prokurorë dhe dy hetues të Krimeve të Rënda kanë firmosur disa urdhra përgjimi, të cilat janë vënë në zbatim menjëherë në godinën e akuzës qendrore, ku sektori i përgjimeve dje ka qenë në detyrë me kohë të plotë. Të gjithë të dyshuarit, sipas akuzës, po mbahen nën përgjim dhe vëzhgim, ku po përdoren të gjitha metodat speciale të hetimit. Puna hetimore ishte ndarë midis hetuesve të çështjes, ku një pjesë ishin në vendngjarje dhe një pjesë tjetër urdhëronin kryerjen e akteve të ekspertimit dhe merrnin të dhënat në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Provat analizoheshin dhe më pas urdhërohej veprimi në terren, pasi mbahej kontakt në çdo kohë. Në krye të hetimit është vetemëruar kryeprokurorja Ina Rama, e cila ka marrë kontakte të drejtpërdrejta me zyrtarët e lartë të policisë dhe prokurorisë. Për më shumë se tri orë, Kryeprokurorja ka përcaktuar pistat hetimore dhe ka dhënë urdhra të drejtpërdrejta për zbardhjen sa më parë të autorit të ngjarjes së rëndë.

Grupi i posaçëm hetimor
Pas ngjarjes, me urdhër të Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, u formua një grup hetimor nën drejtimin e prokurorit Kosta Beluri. Gjithashtu, grupit të hetimit i janë bashkuar edhe prokurorët e Krimeve të Rënda, Ardian Nezha dhe Besnik Muçi. Ky është grupi i posaçëm i hetimit që do të merret me zbardhjen e ngjarjes. Informacionet shkëmbeheshin dhe drejtuesit e Prokurorisë urdhëronin vartësit që puna të kryhej në bashkëpunim me hetuesit e policisë. Mësohet se pasditen e djeshme, hetuesit e Krimeve të Rënda kanë marrë kontakte me familjarë të deputetit të vrarë, nga ku kanë klasifikuar të gjitha pistat hetimore. Natyrisht që ngjarja është klasifikuar "vrasje për shkak të cilësive të veçanta", që u atribuohet të gjithë funksionarëve publikë.

Zbardhen tabulatet telefonike
Hetimet e Prokurorisë janë përqendruar më së shumti edhe në përgjimet telefonike. Ditën e djeshme janë tërhequr edhe tabulatet telefonike të deputetit Xhindi, të cilat i janë nënshtruar një zbardhjeje të imtë. Burimet pranë Prokurorisë nuk bëjnë me dije se çfarë provash kanë arritur të sigurojnë nga zbardhja e tabulateve telefonike, por ato saktësojnë se është arritur të zbardhen të gjitha bisedat e kryera nga deputeti ditët e fundit. Sipas të dhënave konfidenciale, mësohet se Xhindi nuk ka pasur ndonjë presion apo ngacmim telefonik, por nga zbardhja e telefonatave shpresohet të nxirret ndonjë e dhënë që do të çojë drejt zbardhjes së plotë të ngjarjes dhe motivit të vrasjes.

Ky lajm është publikuar: 05/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›