E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset e dëmtuara, më 26 mars përfundon përllogaritja nga Tatimet

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të dërgojë zyrtarisht pranë Ministrisë së Financave, brenda datës 26 mars 2008, vlerën e përllogaritur të dëmeve të shkaktuara subjekteve të prekura nga ngjarja në Gërdec. Sipas DPT-së, “grupet e punës, brenda datës 25 mars 2008, duhet të kenë përfunduar dorëzimin e vlerësimit të të gjitha dëmeve dhe duhet t’i kenë dorëzuar raport-inventarët pranë DPT-së”. Ministria e Financave urdhëroi ngritjen e grupeve teknike të punës për verifikimin dhe vlerësimin në terren të dëmeve të shkaktuara subjekteve, të cilat operojnë në juridiksionin e Bashkisë Vorë dhe komunat e fshatrat përreth. Në përbërje të grupeve të punës janë nga 2 inspektorë, respektivisht nga Dega e Tatimpaguesve të Mëdhenj dhe nga Dega e Tatimeve Tiranë, në varësi të statusit të subjektit. Grupi i punës, për çdo subjekt të verifikuar në terren, ka për detyrë që të hartojë dhe mbajë proces-verbal konstatimi dhe vlerësimi për dëmet e evidentuara. Proces-verbali duhet të përmbajë të dhëna të sakta duke specifikuar sipërfaqen e dëmtuar në metra katrorë, çmimin e përafërt të sipërfaqes së dëmtuar në lekë/m2, vleftën në lek/m2, si dhe të dhëna të tjera, të cilat gjykohen nga grupi i punës të nevojshme në ndihmë të procesit të vlerësimit. Urdhri i Ministrisë së Financave përfshin edhe shoqërimin e proces-verbaleve me fotografi dixhitale të objektit dhe pjesëve të dëmtuara të tij. Sipas urdhrit, “do të mbahen proces-verbale për bizneset, të cilat kanë ndërprerë aktivitetin e prodhimit për shkak të dëmtimeve, mungesës së energjisë elektrike apo ndonjë rrethanë tjetër që lidhet me ngjarjen. Për të gjitha rastet e konstatuara, administrata tatimore do të kryejë sistemimet përkatëse në këstet e paradhënies së tatim-fitimit si dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhat në vijim, duke evidentuar në dosjet respektive të subjekteve çdo sistemim dhe veprim të kryer”. Në proces-verbal do të shënohen edhe informacioni nga bizneset si dhe shoqëritë e sigurimeve për subjektet të cilat rezultojnë të dëmtuara nëse janë të siguruara pranë kompanive të sigurimeve, vleftën e objektit të siguruar dhe nëse kanë filluar apo janë në proces të procedurave të dëmshpërblimit nga ana e kompanive të sigurimit.

24 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›