E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapen tri qendra komunitare për të mbijetuarit e Gërdecit

Në këto qendra mund të trajtohen edhe personat me probleme mendore. Të gjitha mënyrat e trajtimit të personave me probleme mendore në këto qendra
Emanuela Sako
Për personat që kanë probleme me shëndetin mendor tashmë janë hapur disa linja trajtimi të veçanta në tri qendra komunitare në kryeqytet. Këto qendra janë në dispozicion të plotë për trajtimin e veçantë të personat që janë prekur nga tragjedia e Gërdecit. Nga takimet e kryera me familjarë të viktimave nga psikologët dhe punonjësit socialë ka rezultuar se gjendja e tyre emocionale është tepër e vështirë. Sipas specialistëve, ata janë tepër të traumatizuar nga ajo çfarë kanë parë dhe përjetuar. Kështu, Ministria e Shëndetësisë bën një thirrje të veçantë për trajtim special të personave që mbijetuan nga tragjedia e ndodhur në Gërdec. Ministria e Shëndetësisë vë në dijeni të gjithë të interesuarit për vendndodhjen e këtyre qendrave dhe trajtimin që u bëhet personave që e kanë të domosdoshëm një trajtim të tillë. Kështu, për të gjithë ata që kanë probleme të tilla nuk do të jetë më e nevojshme që të drejtohen vetëm në Spitalin Psikiatrik të Tiranës për të marrë këshilla apo për t’u trajtuar. Sipas kësaj ministrie, aktualisht në Tiranë funksionojnë tri qendra të rëndësishme të trajtimit të rasteve për të sëmurët që vuajnë nga sëmundje të shëndetit mendor. Të gjithë personat që e kanë të nevojshëm këtë shërbim apo familjarët e tyre mund të telefonojnë në numrat që qendrat kanë vënë në shërbim ose të interesohen direkt në vendndodhjen e këtyre qendrave. Njëra nga Qendrat Komunitare të Shëndetit Mendor, ajo Nr.1, ndodhet mbrapa Ambasadës Amerikane. Ndërsa Qendra Komunitare e Shëndetit Mendor Nr. 2 ndodhet tek “21 Dhjetori”, pranë çerdhes “Katër stinët”. Qendra Komunitare e Shëndetit Mendor Nr.3 ndodhet te Poliklinika e Specialiteteve Nr. 3. Këto qendra janë funksionale dhe veç popullatës prej 150 mijë banorësh ofrojnë shërbime dhe janë në dispozicion edhe për familjet e tragjedisë së Gërdecit. Ndërsa për zhvillimin dhe rehabilitimin e fëmijëve nga 0 deri 6 vjeç ekziston një qendër pritëse për fëmijët me probleme.
Shërbimet
Shërbimet që ofrojnë këto qendra janë gjithëpërfshirëse. Përveç trajtimit që u bëhet të sëmurëve në qendër, kryhen edhe vizita në shtëpi në raste të veçanta. Vizita në shtëpi ofrohet vetëm në rastet kur pacienti nuk mund të frekuentojë qendrën, në rastet e ndërhyrjes në krizë, në vëzhgimin e ecurisë së terapisë etj. Pacientëve që shkojnë në këto qendra u bëhet një vizitë e përgjithshme ku vlerësohet shkalla e problemit dhe më pas u bëhet trajtimi. Po kështu, specialistët kryejnë punë terapeutike me individin dhe familjen, për ndërgjegjësimin për gjendjen ku ndodhet vetë pacienti, mundësitë që ka për përmirësimin e funksionimit, këshillim, psikoedukim, psikoterapi. Njëkohësisht bëhen takime individuale me familjarët për informim mbi problemet e shëndetit mendor, për të rritur shprehitë e përballimit të situatës problematike. Këta persona, përmes qendrave ndihmohen edhe nga agjenci dhe institucione të tjera që mund të ofrojnë shërbime ndaj pacientit në rast nevoje. Këto qendra kanë krijuar kontakt edhe me Psikiatrinë në QSUT për të drejtuar pacientët në rast se është e domosdoshme. Stafi që shërben në këto qendra është i kualifikuar dhe aty punojnë tre mjekë psikiatër, 6 infermierë, 2 psikologë, 2 punonjës socialë, 2-3 terapistë okupacionalë.
Qendër për fëmijët
Për fëmijët me probleme ka qendra të posaçme të specializuara si Qendra Kombëtare e Mirëpritjes, Zhvillimit dhe Rehabilitimit të fëmijëve. Një qendër e tillë ndodhet në Kombinat, ku trajtohen fëmijët nga 0-6 vjeç. QKMZHRF ofron diagnostikim, vlerësim, psikoterapi, këshillim psikosocial, trajtim mediko-edukativ, pasi ky trajtim nuk mund të bëhet asnjëherë në kushtet e shtëpisë me përpjekjen e prindërve. Misioni i qendrës është të përmirësojë cilësinë e jetës së fëmijëve dhe të mbështesë familjet e tyre në procesin e mirërritjes, kujdesit dhe edukimit të fëmijëve. Procesi diagnostik dhe trajtues mundësohet edhe nga shërbimi me shtretër. Në këtë qendër punojnë 68 punonjës,
mjekë pediatër zhvillimi, mjekë psikiatër, psikologë, punonjës socialë, edukatorë zhvillimi, fizioterapistë, ergoterapistë, logopedistë.

Vendndodhja dhe kontaktet
1. Qendra Komunitare e Shëndetit Mendor Nr.1 (ndodhet mbrapa Ambasadës Amerikane), Nr. tel 04- 375-929
2. Qendra Komunitare e Shëndetit Mendor Nr. 2 (ndodhet tek “21 Dhjetori”, te çerdhja “Katër stinët”), Nr. tel 04-259-426
3. Qëndra Komunitare e Shëndetit Mendor nr.3 ( ndodhet te Poliklinika e Specialiteteve Nr. 3), Nr. cel 0682274042
4. QKMZHRF ndodhet në Kombinat, Tiranë, me Nr. tel 04- 351- 893

Shërbimi
3 mjekë psikiatër
6 infermiere
2 psikologe
2 punonjës socialë
2-3 terapistë okupacionalë

24 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›