E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: «Të jemi të sigurt për gjakun që përdorim për pacientët»

Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, zhvilloi një vizitë në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut në QSUT, ku ka deklaruar se gjaku ka qenë i domosdoshëm për përballimin e situatës së Gërdecit dhe i sigurt. Njëkohësisht ka bërë thirrje për dhurime të tjera të gjakut, pasi mungesat janë të zakonshme. Ministri theksoi se edhe personeli duhet të rrisë përgjegjësinë dhe kontrollin në vazhdimësi për sigurinë e gjakut. «Ne, në çdo rast, duhet të jemi të sigurt në gjakun që përdorim për pacientët. Një pakujdesi sado e vogël do të kishte një kosto shumë të rëndë për jetën e njeriut dhe do të ishte e pafalshme për ne", - u shpreh Ndoka. Ai ka falënderuar të gjithë dhuruesit e gjakut jo vetëm shtetasit shqiptarë, por edhe ata të huaj, që u solidarizuan në këtë situatë të vështirë. Dhurimet vullnetare të gjakut në rang vendi për të plagosurit nga shpërthimi në Gërdec shkuan deri në rreth 800 njësi gjaku, ndërsa vendi është ndihmuar edhe nga Kosova, Italia dhe Greqia, të cilat kanë dhuruar rreth 1200 njësi gjaku. Ministria e Shëndetësisë synon sigurimin e gjakut të dhuruar në mënyrë vullnetare pasi është i sigurt.

Drejt Zvicrës, dy pacientë të mbijetuar nga tragjedia e Gërdecit

Dy pacientë që mbijetuan nga shpërthimet e mëdha në Gërdec janë nisur drejt spitaleve të Zvicrës, pasi gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, dy të plagosurit deri tani janë trajtuar në reanimacionin e Shërbimit të Djegie-Plastikës në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Kështu, është shtuar numri i të plagosurve që po kurohen në spitalet e huaja.
Deri tani numërohen 23 pacientë që po kurohen në Itali, Greqi apo Zvicër. Numri i të plagosurve që po kurohen në QSUT dhe në Spitalin Ushtarak është 36, ndërsa të tjerët janë larguar pranë familjarëve të tyre, ku po trajtohen nga personeli mjekësor i ndodhur pranë vendbanimit të tyre.

24 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›