E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI-ja: “Të dorëhiqet Berisha, Bode, Barka dhe Nishani!”

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së: “Berisha ka dalë jashtë kontrollit”. Petrit Vasili: “Ministritë nuk funksionuan, të dorëhiqen drejtuesit!”
Shaban Sulçe
Lëvizja Socialiste për Integrim insiston se përgjegjësi kryesor i tragjedisë së Gërdecit është kryeministri Berisha dhe qeveria e drejtuar prej tij. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, kërkoi dorëheqjen jo vetëm të kryeministrit Berisha, por edhe të tre ministrave të tij, përkatësisht të ministrit të Financave Ridvan Bode, ministrit të Rendit Bujar Nishani dhe ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale Kosta Barka. “LSI-ja ka bërë tashmë të qartë qëndrimin e saj të palëkundur për dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Berisha, tek i cili bien përgjegjësitë kryesore politike, shtetërore dhe morale për tragjedinë e Gërdecit që përbën kulmin dramatik të mosqeverisjes dhe kaosit shtetëror ku është zhytur vendi. Ngjarja e Gërdecit tregoi qartë se shumë ministri të rëndësishme nuk kanë funksionuar dhe si rrjedhim i kësaj edhe pasojat e prodhuara kanë qenë tepër të rënda. Qeveria shqiptare dhe shumë ministri të saj kanë pushuar realisht së funksionuari dhe dorëheqja e ministrave që drejtojnë Ministrinë e Financave, Mnistrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale dhe Ministrinë e Brendshme duhet të pasojnë veprimin e ministrit të Mbrojtjes, duke dhënë dorëheqjen e menjëhershme nga detyra”, - tha sekretari i Përgjithshëm i LSI-së.
Bode
Sipas Vasilit, Ministria e Financave ka lejuar abuzimet e rënda fiskale me biznesin e çmontimit të municioneve në Gërdec dhe për këtë arsye titullari i kësaj ministrie duhet të japë dorëheqjen. “Ministria e Financave nuk ka ushtruar asnjë nga kompetencat e saj të detyruara me ligj, duke mos mbledhur as tatimet dhe as sigurimet shoqërore që lidheshin me këtë biznes ekonomik, që zhvillohej shumë pranë Tiranës duke lejuar haptas një abuzim dhe evazion fiskal korruptiv të pastër.
Ndaj duhet të japë dorëheqjen kryeministri dhe ministri i Financave”, - tha ai.
Barka
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së kërkoi dorëheqjen e ministrit të Punës, Kosta Barka, pasi dikasteri i drejtuar prej tij nuk ka ushtruar kontrolle për sigurinë e kushteve të punës të punonjësve në fabrikën e Gërdecit. “Është skandaloz fakti që në këtë biznes, shumë pranë Tiranës dhe me rrezikshmëri shumë të lartë, Ministria e Punës nuk ka ushtruar asnjë nga përgjegjësitë e saj lidhur me garantimin e kontrollit të sigurisë së kushteve të punës, si dhe ka lejuar punësimin e shfrytëzimin çnjerëzor të minorenëve, duke ligjëruar kështu një nga fenomenet antiligjore më të shëmtuara shtetërore dhe sociale. Ndaj duhet të japë dorëheqjen kryeministri dhe ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale”.
Nishani
Sipas sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, edhe ministri i Brendshëm Bujar Nishani duhet të japë dorëheqjen pasi është treguar indiferent në lidhje me ankesat për fabrikën që ndodhej në Gërdec. “Është absolutisht i patolerueshëm qëndrimi i Ministrisë së Brendshme lidhur me ankesat e vazhdueshme të kryetarit të Bashkisë Vorë lidhur me këtë fabrikë të vdekjes dhe indiferenca e papërgjegjshmëria e plotë e kësaj ministrie e ngarkon me përgjegjësi tepër të rëndë atë. Ndaj duhet të japë dorëheqjen kryeministri dhe ministri i Brendshëm”, - deklaroi sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili.

24 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›