"Gërdeci", dorëhiqen avokatët e Delijorgjit

Jep dorëheqjen nga gjyqi i Gërdecit, avokati i të pandehurit Mihal Delijorgjit, Maks Haxhia. Në seancën e ditës së hënë të tragjedisë së Gërdecit në Gjykatën e Tiranës, avokati i njohur si dhe avokatja tjetër e Delijorgjit Elira Kokona kanë deklaruar dorëheqjen nga mbrojtja e adminsitratorit të Alba Demil. Shkak për këtë largim është bërë rrëzimi i disa kërkesave të këtyre avokatëve për klientin e tyre, siç është ajo e lirimit nga paraburgimi i Delijorgjit. Kjo këkesë është rrëzuar nga gjykata e kryeqytetit me pretendimin se i arrestuari nuk i kishte përfunduar afati i paraburgimit. Ndërkohë që në vend të Maks Haxhisë, Mihal Delijorgji, ka marrë si avokat i cili do ta mbrojë në seanca të tjera të gjyqit të Gërdecit, Gëzim Veleshnja. Ky i fundit në seancën e ditës së hënë ka kërkuar kohë nga gjykata që të mund të njihet me dosjen që më pas të ketë mundësi për të mbrojtur klientin e tij. Kjo ka sjellë më pas që Ritvan Hado, kryesuesi i trupit gjykues të shtyjë seancën për ditën e premte, derisa avokati i ri i Mihal Delijorgjit të njihet me dosjen e tragjedisë së Gërdecit. Në këtë çështje akuzohen 29 persona, civil dhe ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes, mes tyre edhe katër të arrestuar, Ylli Pinari, ish-drejtor i MEICO, Mihal Delijorgji, administrator i firmës Alb-demil si dhe Dritan Minxolli, drejtori i fabrikës së demontimit në Gërdec si dhe ish-specialisti i MEICO, Sokol Ngjeçi.