"Gërdeci" dorëzohet sot në Gjykatën e Lartë
GËRDECI
Dosja me 28 të pandehurit e e shpërthimit të vitit të kaluar pritet të mbërrijë sot bashkë me kërkesën për gjykim
Ish- Ministri i Mbrojtjes, Mediu, kreu i Shtabit dhe pjesëtarë të administratës së ministrisë e Shtabit, akuzohen për disa vepra penale
TIRANË- Dy ditë para se të përkujtohen 26 të vdekurit dhe mbi 300 të gjymtuarit nga tragjedia e Gërdecit, grupi hetimor i Prokurorisë së Përgjithshme përfundon hetimin dhe paraditen e sotme pritet të dorëzojë dosjen penale me 28 të pandehurit pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Lajmi bëhet me dije nga burimet zyrtare, pranë institucionit qendror të akuzës, të cilët shtuan se me njohjen me aktet nga i pandehuri i fundit i arrestuar Sokol Ngjeçi dhe me përpilimin e kërkesës për gjykim, dosja penale me 8500 faqe do të dorëzohej sot në Gjykatë.
Listës së 28 të pandehurve i prinë ish-Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral-lejtnant Luan Hoxha duke u ndjekur më pas me ish-vartësit e tyre.
Gjithashtu, kësaj dosjeje penale i janë bashkuar edhe të pandehurit që ndodhen në qelitë e paraburgimit "Jordan Misja" (313), ish-drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, ish-inspektori i tij Sokol Ngjeçi dhe presidenti i firmës "Albademil", Mihal Delijorgji e kunati i tij Dritan Minxholli.
Mësohet se vetëm ndaj këtyre të katër të arrestuarve, prokuroria ka ngritur përveç akuzave të "shkatërrimit të pronës" e "shpërdorimit të detyrës" edhe akuzën e "vrasje me dashje, më shumë se njëherë dhe kundër dy ose më shumë personave" në bashkëpunim.
Ndërkaq, dje vetë kryeprokurorja Ina Rama e pyetur nga media për hetimin e dosjes Gërdeci, u shpreh se "dosja nuk ka shkuar ende në gjykate. Ne jemi në përfundim e sipër të të gjitha veprimeve, por është çështje ditësh që dosja të përfundojë në Gjykatën e Lartë",-tha kryeprokurorja.
Ndërkaq, burimet e akuzës, në lidhje me mbylljen e hetimit u shprehën se të 28 të pandehurit e kësaj dosjeje, në role dhe kohë të ndryshme në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer një sërë veprash penale, që nga "shpërdorimi i detyrës"; "shkatërrimit të pronës"; "falsifikimit të dokumenteve" dhe "vrasje me dashje, më shumë se njëherë kundër dy ose më shumë personave".
"Nga hetimet e dosjes ka rezultuar se të pandehurit e kësaj dosjeje, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por, në role dhe kohë të ndryshme, me veprimet dhe mos veprimet e tyre me dashje, kanë hartuar shkresa të paligjshme në respektim të zbatimit të urdhrave të kundraligjshme të firmosura nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, veprime këto që kanë faktuar një lidhje shkakësore me pasojat e ardhura nga ngjarja e ndodhur në Gërdec",- thuhet nga burimet.
Gjithashtu, këto burime theksuan se në punishten e çmontimit të municioneve në Gërdec, organizimi i punës bëhej duke u përqendruar në një numër të madh punëtorësh në një sipërfaqe shumë të vogël pune, çka ka cënuar kushtet e sigurisë teknike dhe kontrollin mbi procesin e çmontimit.
"Në proceset e punës janë përdorur mjete të papërshtatshme në aspektin teknik, si dhe është lejuar kryerja e veprimeve që kanë mundësuar premisa për ngjarje të jashtëzakonshme.
Është provuar gjithashtu, se në këtë punishte demontimi, baruti ruhej në kontenierë të zakonshëm transporti dhe në ndërtesa të pa përshtatshme, jashtë çdo kriteri teknik",-thuhej ndër të tjera në kërkesën për gjykim.
-----------------------------------------------------------------------------------
Favoret ndaj Delijorgjit
Burime të Prokurorisë së Përgjithshme, konfirmuan se në dosje është theksuar se të pandehurit, ish- funksionarët shtetërorë, me veprimet dhe mos veprimet e tyre me dashje, dhe në mënyra të ndryshme, kanë favorizuar shoqërinë "SAC-Albademil".
Kjo e fundit pas marrëveshjes me ndërmarrjen shtetërore MEICO kryente edhe demontimin e municioneve në repartin e Gërdecit, ku ndodhi edhe shpërthimi për shkak të mungesës së masave të sigurisë.
Nga hetimet 11- mujore është provuar se municionet që çmontoheshin në Gërdec, nuk ishin vetëm stoqe të vjetra, por edhe municione në gjendje të rregullt teknike.
"Repartet ushtarake kanë falsifikuar mbishkrimet e arkave të fishekëve duke i paraqitur në Gërdec si municione të vjetra dhe jo të rregullta teknikisht.
Pasi "shiteshin" nga repartet ushtarake ato përfundonin nën administrimin e shoqërisë "Sac-Albademil" dhe më pas vendosej nëse do të demontoheshin apo do të ricikloheshin nga punonjësit e kësaj punishte demontimi",-thuhej nga burimet e akuzës.
Municionet e rregullta teknikisht u shitën si të skaduara
"I gjithë procesi i parregullt administrativ, i urdhëruar nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka mundësuar ndërmarrjen MEICO dhe kompanitë "SAC-ALBADEMIL", të realizojnë procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit në një situatë kaotike, pa vendosur dhe zbatuar asnjë rregull standard të sigurisë në administrimin dhe ruajtjen e municioneve, në procesin teknik të çmontimit dhe çmilitarizimit, si dhe në procesin e administrimit të produkteve të dala nga ky proces.
Hetimet e kryera tregojnë se shkeljet e lartpërmendura të akteve ligjore dhe nënligjore, shkelja e rregullave të sigurimit teknik në magazinimin e municionit, në procesin e çmontimit dhe administrimit të produkteve të dala nga ky proces, kanë sjellë shkaktimin e zjarrit të pasuar me shpërthimet masive",- thuhet ndër të tjera nga dosja hetimore do të dërgohet sot në Gjykatën e Lartë për gjykim.
Pasojat e shpërthimit të ndodhur më 15 mars 2008
TIRANË- Nga hetimi i çështjes është provuar dhe vërtetuar se ngjarja e 15 marsit 2008 ka shkaktuar vdekjen e 26 personave, plagosjen e rëndë të 11 personave, plagosjen e lehtë të 31 personave dhe dëmtime të natyrës më të lehtë të 260 personave të tjerë, pa përmendur këtu lëndimin e shëndetit mendor dhe emocional të një numri të konsiderueshëm personash të tjerë.
Ndërsa, si pasojë e shpërthimit në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit janë dëmtuar 5413 banesa dhe objekte private, 32 biznese private dhe 34 ferma bujqësore.
Të gjitha dëmtimet e shkaktuara, sipas një vlerësimi paraprak, i akt-ekspertimit kontabël të datës 16 prill 2008, të Entit Kombëtar të Banesave, kap vlerën e 2.039.216.418 lekë të reja.
Gjithashtu, kjo ngjarje ka cenuar rëndë një serë interesash të tjera të shtetit dhe të shoqërisë, siç janë: cenimi i rendit dhe i sigurisë në rajonin që përfshiu ngjarja, si dhe dëmtimin e imazhit të shtetit në raport me komunitetin e shoqërisë dhe më gjerë.
TË PANDEHURIT DHE AKUZAT:
1. Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, "shpërdorim detyre" dhe "favorizim në tenderë"
2. Luan Hoxha, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, "shpërdorim detyre"
3. Agim Lala, ish-zv\Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, "shpërdorim detyre"
4. Shpëtim Spahiu, ish-Komandant i Forcës së Bashkuar, "shpërdorim detyre"
5. Zija Bahja, ish-komandant i Komandës Mbështetëse, "shpërdorim detyre"
6. Ramadan Tartari, ish-drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes, "shpërdorim detyre"
7. Ndue Marku, ish-drejtor i Harmonizimit të Legjislacionit, "shpërdorim detyre"
8. Ardian Mullahi, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë, "shpërdorim detyre"
9. Adriatik Mema, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, "shpërdorim detyre"
10. Shkëlzen Madani, ish-drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit, "shpërdorim detyre"
11. Dashnor Çaushaj, kryetar i Komisioni i Kategorizimit të municioneve, "shpërdorim detyre"
12. Zenun Fero, anëtar i Komisioni i Kategorizimit të municioneve, "shpërdorim detyre"
13. Hysni Coçka, anëtar i Komisioni i Kategorizimit të municioneve, "shpërdorim detyre"
14. Hilmi Laçaj, anëtar i Komisioni i Kategorizimit të municioneve, "shpërdorim detyre"
15. Fari Toska, anëtar i Komisioni i Kategorizimit të municioneve, "shpërdorim detyre"
16. Rezart Tërshana, anëtar i Komisionit të çmimeve të fishekëve, "shpërdorim detyre"
17. Besnik Dauti, anëtar i Komisionit të çmimeve të fishekëve, "shpërdorim detyre"
18. Agim Babameto, anëtar i Komisionit të çmimeve të fishekëve, "shpërdorim detyre"
19. Fiqiret Mato, drejtor i uzinës mekanike Gramsh për "falsifikim dokumentesh"
20. Lavdi Shatro, drejtor i Kombinatit Mekanik Poliçan për "falsifikim dokumentesh"
21. Gëzim Oshafi, anëtar i Komisioni të çmimeve të municioneve të rënda, "shpërdorim detyre"
22. Denis Hajdari, anëtar i Komisionit të çmimeve të municioneve të rënda, "shpërdorim detyre"
23. Jorgo Mino, anëtar i Komisionit të çmimeve të municioneve të rënda, "shpërdorim detyre"
24. Fatbardh Kuçi, anëtar i Komisionit të çmimeve të municioneve të rënda, "shpërdorim detyre"
TË PANDEHUR NË BURG
25. Ylli Pinari, ish-drejtori i MEICO-s, "vrasje me dashje, më shumë se njëherë dhe kundër dy ose më shumë personash"; "shpërdorim detyre" e "falsifikim të dokumenteve" në bashkëpunim dhe "shpërdorim detyre" nga Kodi Penal Ushtarak
26. Mihal Delijorgji, administrator i shoqërisë "Albademil", "vrasje me dashje, më shumë se njëherë dhe kundër dy ose më shumë personash" dhe "shkatërrim prone" në bashkëpunim
27. Dritan Minxholi, drejtor teknik i shoqërisë "Albademil", "vrasje me dashje, më shumë se njëherë dhe kundër dy ose më shumë personash"dhe "shkatërrim prone" në bashkëpunim
28. Sokol Ngjeçi, ish-inspektori i ndërmarrjes shtetërore "MEICO", "vrasje me dashje, më shumë se njëherë dhe kundër dy ose më shumë personash" dhe "shpërdorim detyre" në bashkëpunim