Zbulohen maskat e Belshit, tentohej kalimi në Greqi
ELBASAN - Erjon Sollaku dhe Klevis Paprri janë dy autorët e grabitjes me maska të ndodhur dy ditë më parë në një karburant në dalje të Belshit.
Brenda 24 orëve, agjentët e policisë kanë arritur tek emri i një prej autorëve, Erjon Sollaku, duke realizuar edhe arrestimin e tij në flagrancë në Korçë teksa tentonte të largohej në Greqi.
Arrestimi i Sollakut ka sjellë edhe zbulimin e autorit tjetër të krimit, i cili ishte në moshë më të vogël. Dy bashkëpunëtorët do të përgjigjen për "vjedhje me dhunë" dhe "mbajtje pa leje të armëve të ftohta".
Dy adoleshentët mbi një motor të vjedhur kanë mbuluar fytyrat me kaskë e shami për të realizuar grabitjen e tyre.
Teksa kanë mbërritur në karburantin e shtetases Ike Baja në hyrje të Belshit kanë kërcënuar rojen Xhevit Sallaku duke i kërkuar paratë dhe mbushjen me karburant të motorit.
Nën kërcënimin e thikës, ata kanë arritur t'i marrin të gjitha paratë e xhiros ditore në një vlerë prej 28 mijë lekësh të reja.
Dy të rinjtë janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes duke braktisur edhe motorin e vjedhur. Pas dëshmisë së marrë dhe të dhënave mbi dy autorët, policia ka arritur tek emri i njërit prej tyre.
Pas kontakteve të vazhdueshme me komisariatet dhe pas verifikimeve, Erjon Sollaku është kapur teksa po tentonte të kalonte kufirin drejt Greqisë. Brenda pak orësh është arrestuar edhe autori tjetër i krimit.