Gërdeci, dosje me 8200 faqe nga SHBA
Trazhgim Sokolaj
Autoritetet amerikane sjellin në Ministrinë e Drejtësisë në Tiranë një material voluminoz për biznesmenin e armëve Patrick Henry, një nga personazhet kyçe të ngjarjes së Gërdecit. Materialet e mbërritura nga Shtetet e Bashkuara u kërkuan nga Prokuroria e Përgjithshme në korrik 2008, për të zbardhur rolin që ka pasur në ngjarjen e Gërdecit, kreu i kompanisë SAC, i cili ka nënshkruar dy kontrata me ndërmarrjen MEICO për demontim fishekësh dhe më pas municionesh të rënda, siç ishin predhat. Sipas procedurës ligjore, dokumentet nga SHBA kanë mbërritur në Ministrinë e Drejtësisë ku pritet të përkthehen e më pas të dërgohen në Prokurorinë e Përgjithshme për vlerësimin e tyre. Organi qendror i akuzës, pak kohë më parë, ka vendosur të veçojë dosjen duke mbajtur të hapura hetimet që kanë për qëllim të zbulojnë nëse nënshkruesi i dy kontratave të Gërdecit, ka kryer ndonjë veprim që bie ndesh me legjislacionin shqiptar. Sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë, në rrugë zyrtare nga SHBA, ka mbërritur materiali mbi 8200 faqe ku ndodhet dëshmia e dhënë nga Patrick Henry, si dhe materiale të tjera që ai u ka dhënë hetuesve amerikanë lidhur me ngjarjen e Gërdecit.
Letërporosia
Menjëherë pasi filloi hetimet për ngjarjen e Gërdecit, duke bllokuar dokumentet në Ministrinë e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm dhe ndërmarrjen MEICO, Prokuroria gjeti emrin e amerikanit Patrick Henry në dy kontratat e nënshkruara. Menjëherë organi i akuzës u interesua për sqarimin e rolit të administratorit të Kompanisë SAC, që kishte nënshkruar duke marrë përsipër demontimin e fishekëve në Gërdec. Duke qenë se vendqëndrimi i biznesmenit Patrick Henry ishte në SHBA, Prokuroria shqiptare iu drejtua me letërporosi Prokurorisë amerikane ndërsa dokumentacioni u dërgua me anë të Ministrisë së Drejtësisë në korrik 2008. Pasi kanë marrë kërkesën e Prokurorisë shqiptare, hetuesit amerikanë kanë thirrur biznesmenit Patrick Henry, i cili ka dëshmuar për hetuesit përtej Atlantikut duke iu përgjigjur pyetjeve të hartuara në Tiranë. Në prani të disa avokatëve të tij, biznesmeni që drejton “Southern Ammounition Company”, SAC, ka rrëfyer se ka nënshkruar dy kontrata me ndërmarrjen MEICO.
Kontratat
Kontrata e parë sipas tij është nënshkruar në qershor 2007 për demontim fishekësh dhe sipas dëshmisë së biznesmenit, ai kishte sjellë në Gërdec të gjitha pajisjet dhe specialistët e nevojshëm, që çmontimi i fishekëve të kryhej pa asnjë rrezik. Henry u ka dorëzuar hetuesve edhe dokumentet që tregojnë për hyrjen në Shqipëri në emër të tij, të dy makinerive që janë përdorur në Gërdec për demontimin e fishekëve, si dhe të dhënat e udhëtimit të gjashtë specialistëve amerikanë që ai kishte sjellë për mbikëqyrjen e procesit. Kontrata e dytë e nënshkruar në dhjetor 2007, sipas kreut të SAC, ka qenë formale dhe ai pranon se dy ditë më vonë, për shkak se nuk kishte licencë dhe interes për demontim predhash, të drejtat i kanë kaluar me një shtesë kontrate, kompanisë “Albademil” në pronësi të Mihal Delijorgjit. Materialet e ardhura nga SHBA, pritet të përkthehen për t’u administruar më pas nga Prokuroria, e cila pritet të mësojë detaje të tjera të panjohura më parë në lidhje me ngjarjen e Gërdecit. Në letërporosi ka edhe të dhëna të tjera për aktivitetin e kompanisë SAC në SHBA dhe raportin e saj me autoritetet shtetërore amerikane.
“Mediu shpërbleu komisionin e predhave”
TIRANE - Revista “MAPO” ka publikuar dje faktin së ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ka shpërblyer anëtarët e komisionit të ngritur prej tij, për përzgjedhjen e predhave për demontim mbi bazën e kontratës së dytë të nënshkruar për Gërdecin. “Më 2 prill 2007, ish-ministri i Mbrojtjes firmos urdhrin e tij me numër 417, ku miraton ngritjen e këtij komisioni me pesë vetë. Ai kryesohej nga Drejtori i Instalimeve dhe Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes, një specialist juridik, dy financierë dhe një specialist i municioneve. Pothuaj dy vjet më pas, në shkurt të këtij viti, të gjithë anëtarët e këtij komisioni janë marrë gjithashtu të pandehur për veprimtarinë e tyre. Çdonjëri prej tyre, është shpërblyer me 5000 lekë për pjesëmarrje në mbledhje”, shkruante dje revista “MAPO” në numrin e saj javor.
Ish-mbikëqyrësi i MEICO njihet në qeli me provat
TIRANE - Sokol Gjeçi, ish-mbikëqyrësi i MEICO-s, i arrestuar për “Gërdecin”, ka firmosur dje njohjen me aktakuzën në ngarkim të tij. Katër hetuesit e çështjes “Gërdeci”, në prani të avokatit të zgjedhur nga Gjeçi, i kanë komunikuar atij se do i vinin në dispozicion të gjitha aktet procedurale dhe hetimore për të cilat ai do të shfaqte interes. Seanca për njohjen me dokumentacionin e dosjes penale është zhvilluar në Burgun 313, ku ndodhet i arrestuari prej disa ditësh. Mbrojtësi Nik Progni, i zgjedhur nga i pandehuri për ta mbrojtur ligjërisht, ka pretenduar para hetueseve se ishte e panevojshme që i pandehuri të jepte shpjegime për të gjitha aktet, pasi brenda pak ditësh dosja “Gërdeci” pritet të mbyllet dhe të dorëzohet në gjykatë. Pas kësaj, i pandehuri vetëm se ka firmosur marrjen dijeni të faktit të mbylljes së hetimeve, duke i dhënë fund seancës së pyetjeve të zhvilluar në mjediset e burgut. Më pas katër hetuesit dhe mbrojtësi i tij janë larguar nga burgu. Mësohet se në seancën që zgjati rreth 15 minuta, i pandehuri mohoi akuzën duke pohuar se vetë pozicioni i tij i punës që kryente, si mbikëqyrës në MEICO, nuk e ngarkonte me përgjegjësi për atë që ndodhi më 15 mars të vitit të kaluar në Gërdec. Gjeçi ka pohuar se përgjegjësia për shkaktimin e tragjedisë i takonte Kompanisë “Albdemil”, pasi këta duhet të përkujdeseshin për sigurinë fizike të objektit dhe jo këtij, që kishin rol në sektorin e marketingut të MEICO. Gjeçi akuzohet për “vrasje në rrethana cilësuese të shumë personave në bashkëpunim” dhe “shkatërrim prone në përmasa të mëdha më shumë se njëherë”, për të cilat ai mban qëndrim mohues. fa.ma.
Dosja “Gërdeci” në gjyq, hetimi ndaj zyrtarëve vazhdon në rrethe
TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme pritet të dërgojë brenda kësaj jave për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, dosjen “Gërdeci”. Pjesa e fashikullit penal, që bën fjalë për ngjarjen e ndodhur më 15 mars 2008, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, pritet të mbërrijë në institucionin e lartë gjyqësor brenda javës së ardhshme. Prokuroria është duke kryer veprimet e fundit formale, me qëllim mbylljen e hetimeve dhe dërgimin e fashikullit në gjyq para mbushjes së afatit 1-vjeçar, në të cilin koha në dispozicion e hetimeve konsiderohet e përfunduar. Pas dërgimit në gjyq të dosjes për tragjedinë, Prokuroria e Përgjithshme pritet të ndajë akte të veçanta për t’i kaluar në prokuroritë e rretheve Korçë, Elbasan, Gramsh e Gjirokastër. Disa prova të gjetura gjatë hetimeve për tragjedinë në Gërdec, kanë gjetur abuzime nga zyrtarë të pikave të demontimit dhe fabrikave apo uzinave ushtarake në Mjekës, Elbasan, në Gramsh, Poliçan dhe në Korçë. Të gjitha abuzimet e dyshuara në këto rrethe, pritet të hetohen nga prokuroritë lokale mbi bazën e materialeve që do të ndahen nga dosja Gërdeci me dërgimin e saj në gjyq. Zyrtarët lokalë dhe disa persona privatë dyshohet se kanë kryer shkelje dhe favorizime ndaj Mihal Delijorgjit, i cili dërgonte djegore të dala nga predhat në Gërdec, për demontim në uzinat dhe kombinatet shtetërore. tr.so