Pavarësia e Kosovës vendos Klintonin e Lavrovin kundër
Sekretarja amerikane e shtetit Hilari Klinton ka zhvilluar në Gjenevë takimin e saj të parë me homologun rus, Sergej Lavrov, ku të dyja palët kanë paraqitur qëndrime të kundërta për Kosovën. Pas takimit me Lavrov, Klinton ka deklaruar në një konferencë për shtyp në hotelin “Interkontinental” në Gjenevë, se ka uruar përvjetorin e parë të Pavarësisë së Kosovës. Por duke mbrojtur qëndrimin e tij dhe atë zyrtar të Rusisë, Lavrov e ka vlerësuar Pavarësinë e Kosovës të shpallur në mënyrë të njëanshme si një “rrezik” për stabilitetin e të gjithë rajonit të Ballkanit. Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë rënë dakord që të zbusin tonet e politikës së tyre të jashtme në marrëdhëniet bilaterale të ashpërsuara nga administrata Bush, qëndrimi i tyre për çështje si mbrojtja e pavarësisë së Kosovës nuk është lëkundur nga asnjëra anë. Rusia mbron aleaten e saj të hershme, Serbinë, që pretendon se Kosova është ende pjesë e territorit të saj. Ndërsa nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë qenë mbështetja më e fortë e liderëve të Kosovës, për të shpallur Pavarësinë nga Serbia dhe për të fituar njohje ndërkombëtare, numri i të cilave tashmë ka arritur në 54 shtete në të gjithë botën. Administrata e re Obama është zotuar ta ruajë këtë linjë të nisur nga administrata Bush. Hilari Klinton ka deklaruar se SHBA do të vazhdojnë mbështetjen për Kosovën, ndërsa Lavrov se pavarësia e Kosovës shkel rezolutën 1244 të miratuar në vitin 1999. Sekretarja amerikane e Jashtme pas takimit ka thënë gjithashtu se “kishte këmbim mendimesh, për temat për të cilat nuk pajtohemi”, ndërsa edhe Lavrov ka deklaruar se “do të ishte e tepërt të thuhet se kishte pajtim për gjithçka”. Lavrov tha se ai shpresonte që situata në Ballkan të stabilizohej dhe se Rusia ka dëshirë të ndihmojë në forcimin e sigurisë në rajon.