Tiranë; Aksidentohet për vdekje i moshuari, në kërkim autori
Një aksident automobilistik me pasojë vdekjen e një personi është shënuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm në kryeqytet. Sipas burimeve zyrtare policore, mësohet se aksidenti me pasojë vdekjen e një të moshuari ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm, pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Një automjet që po udhëtonte me shpejtësi në bulevardin “Dëshmorët e kombit” ka përplasur një kalimtar dhe për pasojë ky i fundit ka mbetur i vdekur në vend. Burime të policisë bënë të ditur se viktima është 64-vjeçari Fuat Qormehmeti nga Tirana. Mësohet se 64-vjeçari po shkonte në punë në momentin që ka ndodhur aksidenti dhe ka qenë duke kapërcyer bulevardin kryesor kur është përplasur nga automjeti. Ndërkaq, mësohet nga të dhënat policore se automjeti që shkaktoi aksidentin është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Policia dyshon se bëhet fjalë për një automjet tip “Benz” dhe ka nisur kërkimin e drejtuesit të tij.