Robert Bosh: Është koha për dialog të qëndrueshëm pozitë-opozitë
Kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Robert Bosh, i ka bërë apel politikës për vendosjen e një dialogu të qëndrueshëm. Bosh ka deklaruar se dialogu mes palëve duhet të nisë në Kuvend. “Është koha që politika të ketë një dialog të qëndrueshëm. Opozita duhet të kthehet në Kuvend, pasi aty mund të bëhet politikë”, - theksoi Bosh për mediat.
Duke iu referuar "duelit" të deklaratave me një gjuhë të ashpër ditët e fundit nga politikanët, Bosh tha se duhet përdorur një gjuhë më e butë. Një ditë pas deklaratave të ashpra të dy kundërshtarëve politikë, Sali Berisha dhe Edi Rama, ka reaguar dje shefi i delegacionit të OSBE-së në Tiranë Robert Bosh. Pas një seminari për teknologjinë e informacionit, të zhvilluar në selinë e Kuvendit të Shqipërisë, ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, u tregua i gatshëm t’u përgjigjej shkurt mediave për situatën politike në Shqipëri. Bosh kërkoi nga klasa politike shqiptare të nisë një dialog të qëndrueshëm, i cili, sipas tij, duhet të zhvillohet në Kuvend. Pas akuzave personale mes Berishës dhe Ramës, ambasadori i OSBE-së sugjeroi se palët duhet të përdorin një gjuhë më të butë. “Ka ardhur koha që të shohim një dialog politik të qëndrueshëm, normalisht në Parlament, dhe po ashtu ka ardhur koha që të dyja palët të afrohen me njëra-tjetrën, duke përdorur një gjuhë më të butë”, - deklaroi ambasadori Bosh. Ndërkohë situata politike në vend u acarua edhe më shumë pas deklaratave me akuza dhe kundërakuza mes Berishës dhe Ramës.
Të rinjtë e PPE-së zhvillojnë konferencën vjetore në Tiranë
Ka mbërritur dje në Tiranë delegacioni i të rinjve europianë, me përfaqësues të Forumeve Rinore të Partive Popullore Europiane, të cilët do të marrin pjesë në Konferencën me temë “Zgjerimi i Bashkimit Europian”. Konferenca në fjalë zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, me mbështetjen dhe organizimin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Tema e saj ka të bëjë me zgjerimin e Bashkimit Europian dhe funksionimin e tij pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës. Kryeministri Sali Berisha do ta përshëndesë konferencën ditën e shtunë, në orën 12:00.
Kuvendi organizon seminar për dixhitalizimin e pushtetit legjislativ
Teknologjia e informacionit në funksion të rritjes së transparencës, përgjegjshmërisë dhe efektivitetit të parlamenteve, është tema e konferencës dyditore e sekretarëve të Përgjithshëm të Parlamenteve të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në mjediset e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë. Në këtë seminar, si nismë e sekretarëve të Përgjithshëm të parlamenteve të Shqipërisë dhe Malit të Zi, morën pjesë edhe përfaqësuesit e lartë të administratës të parlamenteve të Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë dhe Serbisë. Në hapje të diskutimeve, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vlerësoi si shumë të rëndësishëm ndikimin që ka përdorimi i teknologjisë së komunikimit dhe informacionit në forcimin dhe përtëritjen e demokracisë. “Detyra jonë si kryetarë të parlamenteve apo deputetë është: të ushtrojmë vullnetin tonë politik për të promovuar e inkurajuar e-parliament në nivel kombëtar e ndërkombëtar, me qëllim përmirësimin e cilësisë së demokracisë dhe evoluimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike në vitet që vijnë”,- është shprehur Topalli.
Nga ana e tij, kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, i pranishëm në këtë aktivitet, duke përshëndetur seminarin, kujtoi se nuk është shumë e largët koha kur për të kërkuar informacion, përdoreshin enciklopeditë. Ambasadori Bosh falënderoi kryetaren e Kuvendit për mbështetjen që po i jep projektit të përbashkët me OSBE-në, për e-parliament. Pjesëmarrësit në seminar nënvizuan se teknologjia e informacionit është një mjet esencial për rritjen e transparencës, efektivitetit dhe përgjegjshmërisë së Parlamentit, si dhe për rritjen në cilësi dhe në formë të marrëdhënieve të këtij pushteti me qytetarët.
4 Dhjetor 2009