E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gërdeci”, familjarët kërkojnë përjashtimin e tre gjyqtarëve

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Familjarët sjellin si shembull praktikën gjyqësore të çështjes së masakrës së 2 prillit 1991 në Shkodër. Familjarët e pishtarëve të demokracisë Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu ishin palë në procesin penal duke kërkuar zbardhjen e së vërtetës dhe procedimin e fajtorëve

E nisën me protestime që pas dhënies së vendimit për veçimin e dosjes së “Gërdecit”, dhe vetëm dy ditë më pas protestën e tyre e shndërruan në kërkesë për rrëzimin e Kolegjit Penal që dha këtë vendim dhe vijimin e gjykimit të të gjithë të pandehurve së bashku. Përveç një kërkese të bërë nga banorët, kjo është edhe një mundësi e mirë për prokurorinë që të mbajë të bashkuar këtë dosje, pasi veçimi i të pandehurve do të sillte edhe dëmtimin e provave të grumbulluara. Familjarët kërkojnë nëpërmjet avokates edhe vëmendjen në këtë çështje të kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, ndonëse zonja Beçaj e rrëzoi një kërkesë të njëjtë të Prokurorisë për largimin e treshes nga Kolegji i Gërdecit. Duke qenë se Gjykata e Lartë të premten vendosi që familjarët e viktimave të tragjedisë do të jenë pjesë e një procesi civil dhe jo palë në atë ku janë të pandehurit, të dëmtuarit theksojnë se është e drejta e tyre kushtetuese për të qenë palë edhe në procesin penal. Ata sjellin si shembull praktikën gjyqësore të çështjes së masakrës së 2 prillit 1991 në Shkodër. Familjarët e pishtarëve të demokracisë Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu ishin palë në procesin penal duke kërkuar zbardhjen e së vërtetës dhe procedimin e fajtorëve. Po ashtu, duke kërkuar dënimin e fajtorëve edhe familjarët e tragjedisë theksojnë se “si të dëmtuar, trashëgimtarë të viktimave do të vijojmë të jemi palë në procesin penal ku kërkojmë procedimin e fajtorëve”. Por edhe pas kësaj kërkese, pritet që ky vendim të sjellë reagime të tjera, mes të cilave një mundësi është Gjykata Kushtetuese.
Kërkesa
Familjarët e viktimave të Gërdecit e kanë dorëzuar dje kërkesën në Gjykatën e Lartë për përjashtimin e tre gjyqtarëve, pjesë e Kolegjit Penal që dha vendimin për ndarjen e dosjes të pandehurve për ngjarjen që shkaktoi një vit më parë 26 të vdekur e mbi 300 të plagosur. Familjarët kanë kërkuar dje përmes avokates Blerta Kraja që Besnik Imeraj, kryetari i Kolegjit Penal, Irma Bala dhe Evgjeni Sinoimeri të përjashtohen për konfikt interesi. Kërkësa për përjashtim u paralajmërua që ditën e premte fill pasi Gjykata e Lartë dha vendimin për veçimin në dy pjesë të dosjes Gërdeci .
Një kërkesë e tillë u bë edhe nga ana e Prokurorisë gjatë seancës së 3 javëve më parë, por u hodh poshtë nga Gjykata e Lartë. Veçimi i çështjes, sipas familjarëve dhe përfaqësuesve të tyre ligjorë, është një veprim absurd, pasi gjykata nuk ishte shprehur fillimisht për legjitimitetin e palëve dhe më pas të vendosej për veçimin apo jo të të pandehurve. Sipas përfaqësuesve të familjarëve të Gërdecit, ekziston një ligj i posaçëm për Gjykatën e Lartë që u lejon atyre të drejtën e kërkimit të përjashtimit të gjyqtarëve edhe pasi ata janë shprehur, kjo kërkesë do të shqyrtohet nga një tjetër Kolegj Penal.
Pretendimi
Avokatja Blerta Kraja ka akuzuar Kolegjin Penal për vendim të njëanshëm. Avokatja ka pohuar se në një seancë më parë gjykata ka dëgjuar kërkesën e familjarëve për t u legjitimuar në këtë proces si palë ndërgjyqësore, ndërkaq trupi gjykues ka bërë përjashtimin tonë”,- ka pohuar avokatja. Kjo do të thotë se ne paskemi qenë palë ndërgjyqësore, pasi gjykata pohoi se bënte përjashtimin tonë nga ky proces dhe na dërgoi për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë rrethi Tiranë. Këta gjyqtarë nuk duhet të shpreheshin asnjëherë për këtë dosje, pasi të gjithë kanë konflikt interesi. Në seancën e kaluar ne paraqitëm kërkesën tonë për përjashtimin e këtij kolegji. Kërkesa është e bazuar mbi prova konkrete që shpreh hapur lidhjen e disa prej anëtarëve të Kolegjit Penal me të pandehurit. “Këtë vendim ne do ta ankimojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe po qe e nevojshme edhe në atë të Strasburgut, pasi ky është absurditet, që gjykata shpall moskompetencë lëndore, ndërkohë që nuk na ka shpallur akoma si palë ndërgjyqësore”, - ka pohuar avokatja Blerta Kraja, pas daljes nga seanca gjyqësore ditën e premte.

Ky lajm është publikuar: 26/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›