E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gërdeci”, familjarët marshojnë para ministrisë së Mediut

Një muaj para përvjetorit të tretë të ngjarjes tragjike të Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe mbi 300 të tjerë mbetën të plagosur, familjarët e viktimave të kësaj ngjarjeje kanë kërkuar sërish vënien përpara drejtësisë të ministrit Fatmir Mediu. Familjarët e viktimave marshuan rreth orës 12:00 të ditës së djeshme nga Muzeu Kombëtar drejt Ministrisë së Mjedisit, e cila drejtohet aktualisht nga Mediu, ku me pankarta në duar kërkonin drejtësi dhe gjithashtu largimin e heqjen e imunitetit të ish - ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Së bashku me familjarët e viktimave, në këtë marshim-protestë ishin të pranishëm dhe përfaqësuesit e lëvizjes “Mjaft”, të cilët qysh në fillimet e proceseve gjyqësore për këtë ngjarje kanë mbështetur familjarët. Protestuesit qëndruan për disa minuta përpara Ministrisë së Mjedisit dhe në simbol të gjakut të 26 viktimave, derdhën bojë të kuqe përpara Ministrisë së Mjedisit. “Ky është një simbol për t'i bërë Mediut të kuptojë se vdekja e të pafajshmëve nuk mund të harrohet, dhe ajo duhet dënuar menjëherë nëpërmjet drejtësisë si dhe me vdekjen politike të të gjithë kriminelëve që e shkaktuan këtë tragjedi” – u shprehën familjarët e viktimave. Ndërkohë, gjatë qëndrimit përpara Ministrisë së Mjedisit ata lëshuan një sërë thirrjesh duke kërkuar drejtësi. Ku është drejtësia? Sa do të vazhdojmë të durojmë? Familjarët e 26 viktimave të shpërthimit të Gërdecit lexuan dhe kërkesat e tyre, për të cilat i kanë lënë një javë kohë qeverisë, në të kundërt ata shprehen se do të ndërmarrin aksione me radikale. Pas kësaj proteste ka reaguar edhe ministri Mediu, duke pohuar se respekton të drejtën e atyre që vuajtën e vazhdojnë të vuajnë pasojat e ngjarjes tragjike të Gërdecit. “Kam marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë politike dhe administrative në lidhje me pasojat e ardhura, duke kërkuar ndjesë për dështimin e strukturave të ndryshme shtetërore në realizimin e një procesi të sigurt të demontimit të municioneve në Gërdec. Për sa varej nga unë, kam krijuar të gjitha kushtet që hetimi dhe gjykimi lidhur me këtë ngjarje të bëhej i plotë, i shpejtë dhe eficent. Prej më shumë se një viti organi kompetent i Prokurorisë hetoi pa asnjë pengesë, biles e ndihmuar edhe nga organe dhe institucione ndërkombëtare të specializuara, çdo skutë të jetës dhe të aktivitetit tim personal, institucional, politik, shoqëror deri edhe familjar”, - thotë Mediu në deklaratën e tij, duke shtuar se çështja nuk është mbyllur ende dhe se shpreson që procesi gjyqësor i nisur të japë përgjigje për përgjegjësitë e gjithsecilit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›