Kthimi i shqiptarëve në grekë, “kombësia” shkon në Kushtetuese
Tiranë- Ndryshimet masive të kombësisë, çështje kjo e shumëdebatuar së fundmi, pritet të marrin një zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese. Pas fushatës sensibilizuese, të nisur nga nr.2 i KLD-së, për kontrollin e të gjitha Gjykatave që kanë vendosur ndryshime kombësie, këtë radhë është kreu i Gjykatës së Sarandës, Alltun Çela që ka vendosur të kërkojë një përgjigje kushtetuese mbi këtë shqetësim. Gjyqtari Çela, pasi është njohur me një kërkesë depozituar në gjykatën që ai drejton, ka vendosur pezullimin e çështjes, që ka si objekt ndryshimin e kombësisë, për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Me një padi prej rreth 8 faqesh, Çela kërkon nga gjykata më e lartë në vend, shpalljen si të pavlefshëm të termit “kombësi”, që përcaktohet në Ligjin për Gjendjen Civile, pasi bie në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe standardet e të drejtave të njeriut të BE-së. Si argument për këtë kërkesë, Çela sjell në vëmendje të Gjykatës Kushtetuese dy nene të ligjit themeltar të shtetit, pikërisht nenet 19 dhe 20. “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenet 19 dhe 20 nuk e parashikon nocionin kombësi si element të gjendjes civile, ose si element të personit. Kurse ligji për gjendjen civile parashikon nenin 6, 8, 42 dhe 59, elementi kombësi. Duke qenë se këto dispozita të gjendjes civile janë të papajtueshme, vendosa që të çoj çështjen në Gjykatën Kushtetuese”, - thuhet në kërkesë padinë e dorëzuar dje në Gjykatën Kushtetuese. Në të, Çela përmend edhe një vendim të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe një vendim të Gjykatës së Lartë. Duke iu referuar të drejtës ndërkombëtare, kreu i Gjykatës së Sarandës thotë se: “Në të drejtën ndërkombëtare publike, termi “kombësi” nuk trajtohet si nocion juridik, por si përkatësi etnike. Sipas tij, kombësia është një lidhje shpirtërore apo faktike, me një grup individësh që i bashkon gjuha, kultura, tradita. “Kjo është arsyeja pse në panoramën e madhe legjislative, kombësia nuk passjell të drejta dhe detyrime për individin, ashtu siç bën shtetësia e tij, as nuk është e rëndësishme për të individualizuar të drejtat e tij në aspektin familjar, aq sa nuk citohet fare në Kodin e Familjes. Në ligjin nr.9959, datë 17.07.2008, “Për të huajt”, i referohet në çdo rast shtetësisë si përbërës së individualitetit të personave të huaj dhe në nenin 3, pika 10 të tij thotë: "I huaj" është çdo person, me ose pa shtetësi, i cili, sipas legjislacionit shqiptar, nuk është shtetas shqiptar” - thuhet në kërkesë-padi. Më tej, kreu i Gjykatës së Sarandës argumenton se në vendimin e Gjykatës së Lartë, në çështjen Mali Josifi kundër Gjendja Civile të Rrethit Kolonjë, thuhet se “rregulli i përgjithshëm është se kombësia e marrë nga prindërit, me kombësi të njëjtë apo e vendosur me marrëveshje të prindërve me kombësi të ndryshme, nuk mund të ndryshohet”. Duke cituar më tej vendimin e Gjykatës së Lartë, të marrë më 7 qershor të vitit 2010, thuhet se “e drejta e zgjedhjes se kombësisë së njërit prej prindërve, kur fëmija bëhet madhor, është një e drejtë e cila i lind vetëm në ato raste kur vërtetohet se kombësia e fëmijës është caktuar përkohësisht. “Pra, ashtu siç ka parashikuar ligji dhe ka interpretuar Gjykata e Lartë, kombësia që mund të ndryshohet është vetëm ajo e përkohshme dhe në rastet e tjera ligjore të gabimeve, apo pasaktësive në regjistër të kombësisë së shtetasit apo prindërve. Në këtë mënyrë, ligji krijon pabarazi në trajtimin e shtetasve, të cilët kanë lindur përpara hyrjes në fuqi të tij, (të cilëve përpara ligjit të vitit 2002 nuk i përcaktohej asnjë kombësi e përkohshme, por vetëm kombësi e përhershme) dhe atyre që kanë lindur pas hyrjes në fuqi të këtij ligji megjithëse mund të jenë edhe në kushte absolutisht të barabarta p.sh. fëmijë të prindërve të njëjtë (vëllezër dhe motra)” - thuhet në kërkesë padi, me anën e të cilës kërkohet shfuqizimi i disa prej neneve të ligjit për Gjendjen Civile.