E Diel, 1 Nëntor 2026

"Gërdeci", "firojnë" disa nga gjyqtarët

GJYKATA
Nuni, ndodhet në SHBA, Adrian Dvorani është vëllai i një prej viktimave, Gani Dizdari ka vlerësuar masat e arrestit për disa nga të pandehurit

Tre nga anëtarët e Gjykatës së Lartë, mbeten jashtë nga shorti i trupës gjykuese që pritet të hidhet brenda dy javëve nga dorëzimit i dosjes

TIRANË- Në kohën kur pritet të hidhet në short dosja "Gërdeci" me 29 të pandehurit e saj nga drejtuesit e Gjykatës së Lartë, për përcaktimin e Kolegjit Penal që do të gjykojë këtë çështje, tre gjyqtarë të këtij institucioni "përjashtohen" nga pjesëmarrja në short.

Burimet zyrtare pranë Gjykatës së Lartë, konfirmuan një fakt të tillë duke theksuar se "përjashtimi" i tre gjyqtarëve ka arsye të veçanta nga njëri tjetri.

Ndërsa, në ditët në vazhdim nuk përjashtohet mundësia e largimit edhe të disa gjyqtarëve të tjerë nga gjykimi i kësaj dosjeje penale për shkak të njohjeve dhe lidhjeve që ata kanë me disa nga 29 të pandehurit e kësaj dosjeje voluminoze me 81 fashikuj hetimorë.

Sipas këtyre burimeve, mësohet se tre gjyqtarët e parë që u "përjashtuan" nga pjesëmarrja në shortin dhe më pas gjykimin e kësaj dosjeje me 81 fashikuj hetimorë janë gjyqtarët Gani Dizdari, Adrian Dvorani dhe gjyqtari Ardian Nuni.

Sipas të njëjtave burime, gjyqtari Dizdari nuk do të marrë pjesë në hedhjen e shortit, për shkak se gjatë fazës hetimore të dosjes ka shqyrtuar kërkesat e Prokurorisë së Përgjithshme për vleftësimin e masave të arrestit dhe caktimin e masave të sigurisë, si dhe në disa veprime të tjera hetimore në interes të këtij hetimi.

Gjyqtari tjetër, Adrian Dvorani, largohet automatikisht, nga pjesëmarrja në short, pasi prania e tij në trupin gjykues do të përbënte konflikt, për shkak se në fabrikën e demontimit të municioneve i punonte i vëllai i tij Endrit Dvorani.

Ky i fyundit ishte ekonomist i firmës "Albademil", i cili mbeti i vdekur bashkë me 25 persona të tjerë nga shpërthimi i sasisë së barutit që krijoi një kërpudhë gjigante flake dhe tymi si bomba bërthamore e Hiroshimës.

Gjyqtari Ardian Nuni, gjithashtu mund të cilësohet i përjashtuar nga shqyrtimi gjyqësor i çështjes, për shkak se prej disa ditësh ndodhet në SHBA, ku po pushon dhe kurohet, pas "atentatit" të dështuar ndaj tij.


Të tjerët

Të njëjtat burime theksuan se gjatë kësaj jave, nuk përjashtohet mundësia që edhe ndonjë nga gjyqtarët e tjerë të Gjykatës së Lartë të kërkojë largimin e tij nga gjykimi i kësaj dosjeje, për shkak të njohjeve, miqësive dhe krushqive mes tyre dhe disa nga 29 të pandehurve të kësaj dosjeje.

Mësohet gjithashtu, se kancelaria e kësaj gjykate, nën drejtimin e kryetares Shpresa Beçaj, sipas legjislacionit në fuqi, është e detyruar brenda 15 ditëve nga dita e dorëzimit ta hedhë në short dosjen për caktimin e pesëshes gjykuese që do të shqyrtojë dosjen e shpërthimit të Gërdecit.

Në rast se numri i gjyqtarëve që do të marrin pjesë në short, nuk e kap numrin e mjaftueshëm, atëhere nuk përjashtohet mundësia që për këtë qëllim të thithen gjyqtarë nga Gjykatat e Trupës së Apelit në vend.


Provat


Ndërkohë, pasditen e së premtes, kryesekretaria e Gjykatës së Lartë i ka kthyer mbrapsht organit të akuzës disa paketa me "prova materiale", duke mos ia pranuar, për shkak të parregullsisë dhe mungesës së numrave të protokollit. "Në momentin e dorëzimit të 81 fashikujve hetimore, prokuroria ka sjellë pranë Gjykatës së Lartë edhe disa prova të tjera materiale e fizike të kësaj dosjeje.

Por, këto prova, si fletë faksesh, dëshmi fillestare të punëtorëve të fabrikës së Gërdecit, si dhe sende të gjetura e dokumente në vendin e shpërthimit, ishin futur në kuti kartoni dhe nuk përmbushnin asnjë kriter minimal të përshkrimit të tyre në procesverbale, për administrimin e tyre në gjykatë. Këto kuti, përveç se ishin të pa mbyllura dhe të pa dyllosura siç e parashikon ligji, nuk kishin as numrat e protokollit të procesverbaleve të përshkrimit të tyre brenda kartonit, gjë nuk mund të pranoheshin.

Për këtë arsyeje, disa nga këto kuti me provat brenda, i janë kthyer mbrapsht për riformulimin e tyre sipas legjislacionit në fuqi",-thanë burimet e gjykatës, pranë së cilës shumë shpejt do të fillojë gjykimi i 29 të pandehurve si përgjegjës për shpërthimin e punishtes së Gërdecit, ku gjetën vdekjen 26 persona dhe mbi 300 të tjerë mbetën të plagosur.


Gjyqtarët e "përjashtuar" nga shorti


Gani Dizdari: ka shqyrtuar masat e arrestit, si dhe ka marrë pjesë në disa veprime hetimore në interes të dosjes

Ardian Nuni: Ndodhet në SHBA bashkë me familjen, për kurim dhe pushime, pas plagosjes së tij një muaj më parë në Tiranë


Adrian Dvorani: Nuk mund të marrë pjesë në shqyrtimin e dosjes, pasi vëllai i tij Endrit Dvorani, mbeti i vdekur nga shpërthimi i vitit të kaluar


DOSJA
Shkon në gjyq Rrenga, fsheu pasurinë

TIRANË- Adem Rrenga, ish-Përgjegjësi i Sektorit të Kontrollit në Degën e Tatimpaguesve të Mëdhenj (VIP-at), i ardhur nga Librazhdi, si mik dhe shok shkolle i ministrit të Financave, Ridvan Bode, ka mashtruar me deklarimin e pasurive, duke fshehur 2.1 milionë lekë të padeklaruara në ILDKP.

Në këtë përfundim ka arritur prokuroria e kryeqytetit, e cila pas hetimeve disa mujore ka arritur të dërgojë në gjyq dosjen penale me të pandehur Rrengen për kryerjen e veprës penale të "Deklarimit të rremë të pasurisë nga persona të zgjedhur ose nëpunësit publikë".

Sipas kërkesës për gjykim, mësohet se ish-përgjegjësi i Sektorit të Kontrollit, Dega e Tatim-Paguesve të Mëdhenj (VIP-at) në kryeqytet Adem Rrenga, kishte "mashtruar" duke fshehur në deklarimin e pasurisë një vilë në Librazhd ku jetonte vetëm në fundjavë me familjen, ndërsa gjatë javës jeton në një apartament në mes të Tiranës, te blloku i "Shallvareve", me një qira që nuk mund ta paguajë dot xhepi i një buxhetori.


Kështu, sipas akuzës, edhe zyra e Inspektoratit të Lartë të Deklarimeve të Kontrollit të Pasurisë e ka kallëzuar të pandehurin Rrenga që është hetuar dhe do të gjykohet në gjendje të lirë, ku pas verifikimit të këtij kallëzimi ka rezultuar se ish-përgjegjësi Rrenga ka kryer veprën penale të "Deklarimit të rremë të pasurisë nga persona të zgjedhur ose nëpunësit publikë".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›