E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama, prokurorëve: Bashkëpunoni me policinë dhe gjykatat



Vërejtja e Kryeprokurores: Mbartja e dosjeve, mos i kaloni fajet tuaja vetëm te Policia Gjyqësore. Zbardhni dosjet e vjetra

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, pas Korçës, dje ka marrë pjesë në analizat vjetore të Prokurorive të Gjirokastrës dhe Sarandës. Pasi ka dëgjuar me vëmendje raportimet e rezultateve nga drejtuesit e dy prokurorive, Kryeprokurorja është ndaluar te problematikat që ndeshen jo vetëm në këto dy prokurori, por edhe në të tjerat në të gjithë vendin. “Nuk mund të justifikoheni më duke ua lënë përgjegjësinë oficerëve të Policisë Gjyqësore”. Me këtë fjali u është drejtuar Prokurorja e Përgjithshme prokurorëve të Sarandës dhe Gjirokastrës, të cilët fshihen shpesh pas sloganit se “nuk punon Policia Gjyqësore”, me qëllim justifikimin e mbartjes së një numri të madh të dosjeve. Kryeprokurorja nuk e ka justifikuar aspak mungesën e prokurorëve në vendngjarje, edhe pse në dy prokuroritë mund të ketë mungesa në personel. “Prokuroria ka mundësinë e vënies para përgjegjësisë së Policisë Gjyqësore, se ky refren nuk ka përse të përsëritet dhe të merret si argument i justifikimit të problemeve që hasen në prokurori. Për këtë ka komisione të disiplinës”, - deklaroi znj. Rama gjatë dy analizave të zhvilluara. Gjithashtu, Kryeprokurorja ka dhënë këshilla që vartësit e saj të jenë më të kujdesshëm në harmonizimin e veprimeve, bashkëpunimin me policinë dhe gjykatën dhe tendencat e përhapjes së veprave penale. Ajo kërkoi më shumë punë ndaj goditjes së krimit ekonomik, korrupsionit, trafikimit të lëndëve narkotike, qenieve njerëzore, vjedhjeve etj. Referuar raportimit të prokurorit të rrethit, Alfred Agolli, rezulton se gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 491 çështje në prokurori, nga të cilat 157 kanë qenë vepra penale të vjedhjes. Nga këto, 28 raste me autor të marrë si të pandehur. Por, sërish Kryeprokurorja Ina Rama ka drejtuar vërejtje për prokurorët, duke u shprehur se ka shumë raste kur të dyshuarit mbahen kot në qeli dhe janë të pafajshëm. Ndërkohë që prokurorëve të Gjirokastrës u ka kërkuar të ashpërsojnë ndëshkimet ndaj personave që kryejnë vepra të ndryshme penale. Ndërkohë që dy ditë më parë, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, mori pjesë në analizën vjetore të Prokurorisë së Korçës, ku kërkoi nga prokurorët zbardhjen e dosjeve të vjetra. Gjatë kësaj analize të zhvilluar me dyer të mbyllura, nuk kanë munguar dhe kritikat për prokurorët e organit të akuzës në juglindje të vendit. Kërkesa parësore e Ramës ishte ajo e zbardhjes së krimeve të vjetra, dosjet e të cilave janë prezente edhe në Prokurorinë e Korçës, ndërsa kërkoi gjithashtu përshpejtim të hetimeve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›