E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po na e shtojnë dhimbjen çdo ditë më tepër

Flet Feruzani, babai i Erisonit 7- vjeçar të vdekur 200 metr larg fabrikës


Postblloku ushtarak për të ndaluar hyrjen pranë kraterit, ishte vendosur pikërisht në vendin ku 7-vjeçari Erison Durdaj po luante me biçikletë kur shpërthimi i mori jetën.


"Ishte vetëm 7-vjeç, më la abetaren përgjysmë, më këputi shpirtin", me një tufë lule në dorë dhe me lotët që rridhnin në faqe, nëna e Erisonit 7-vjeçar, mundi të vendoste dje një qiri pranë vendit ku humbi jetën djali i saj një vit më parë si pasojë e shpërthimit të fabrikës së çmontimit të armëve në Gërdec.

Dhimbja është njësoj edhe më e rëndë nga çasti kur mësoi se djali u gjet pa jetë pranë biçikletës në rrugët e fshatit. Për të, çdo kush e ngre zërin për të dënuar shkaktarët e tragjedisë, por djalin nuk mund t'ia kthejnë më. Madje asnjë dënim nuk është dhënë ende megjithëse ka kaluar një vit, duke mos lehtësuar aspak dhimbjen e tyre.

Feruzan Durdaj, babai i 7-vjeçarit Erison Durdaj që humbi jetën në tragjedinë e Gërdecit, u shpreh dje për "Shekullin" se askush nuk ua ka lehtësuar dhimbjen, madje po ua shtojnë.

"Nuk është vënë drejtësia në vend. Ne kërkojmë drejtësi dhe përgjegjësi jo vetëm për të vdekurit por edhe për të gjallët. Jemi përfshirë në një proces ligjor që kërkon drejtësi dhe se nuk do të ndalemi për asnjë çast deri sa diçka e tillë të vihet në vend",- thotë babai i Erisonit 7- vjeçar, që shkoi t'i çonte bukën nuses së xhaxhait të tij, në fabrikën e tmerrit. "Ai ndodhej ja këtu në këtë vend ku është vendosur postblloku ushtarak.

Ai po lëvizte me një biçikletë kur ndodhi shpërthimi", thotë Feruzani. Me habi tregon se ka marrë vesh se bashkia e Vorës ka ndërtuar edhe një përkujtimore për njerëzit e tyre, por që sipas tij askush nuk iu ka thënë asnjë fjalë, apo t'iu ketë kërkuar mendim.

"Nuk na kanë lajmëruar fare për lapidarin. Nuk kam dijeni. Bashkia e ka vendosur vetë të ngrejë lapidar për 26 viktimat e Gërdecit pa u thënë asgjë familjarëve të tyre".

Memoriali, asnjë njoftim apo ceremoni nga Bashkia

Pak ditë më parë, Bashkia e Vorës nisi të ndërtojë një lapidar në nderim të 26 viktimave të Gërdecit. Lapidari përfundoi ditën e djeshme, dhe është ndërtuar në qendër të fshatit Gërdec. "Në kujtim të të rënëve në aksidentin teknologjik të Gërdecit.

15 Mars 2008", shkruhej në pllakën e mermertë të lapidarit ku ishin gdhendur me radhë emrat e 26 viktimave. "A thua se ishte ndonjë aksident automobilistik që u mori jetën këtyre personave që e shënon kështu bashkia. Ndoshta Bashkia bën mirë që i nderon por jo kështu",- shprehet një banor i fshatit Gërdec.

Lapidari është ndërtuar nga Bashkia e Vorës gjë për të cilën nuk janë vënë në dijeni familjarët të cilët kanë shkuar pranë kraterit për të vendosur lule dhe jo pranë lapidarit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›