Pashkët, Greqia lejon lëvizjen e lirshme të emigrantëve për 3 muaj
Ashtu si çdo vit, të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi, por që iu ka skaduar leja e qëndrimit në shtetin helen, mund të lëvizin lirshëm gjatë muajit mars, që përkon me festën fetare të Pashkëve, katolike dhe ortodokse. Siç bën të ditur media greke, ministri i Brendshëm grek ka firmosur dy net më parë urdhrin që lejon lëvizjen e lirë të të gjithë emigrantëve, që u kanë skaduar lejet e qëndrimit dhe janë në pritje të rinovimit të tyre. Në shtetin fqinj jetojnë afro 100 mijë emigrantë shqiptarë, një pjesë e mirë e tyre me dokumente të rregullta, që i rinovojnë sipas afateve të parashikuara nga ligjet greke. Kështu, të gjithë ata emigrantë që kanë dorëzuar dokumentet për të rinovuar lejet e qëndrimit, me anë të dokumentit që disponojnë, mund të lëvizin lirshëm nga dita e djeshme, 14 mars. Greqia lejon lëvizjen e lirë të emigrantë për plot 3 muaj deri më 14 maj. Sipas qarkores së firmosur nga ministri, Prokopis Pavllopullos, emigrantët duhet të paraqesin në pikën e kalimit kufitar pasaportën, vërtetim se kanë dorëzuar dokumentet për rifreskim të lejes së qëndrimit, lejen e skaduar dhe numrin e kodit fiskal. Po në bazë të këtij urdhri, mësohet se emigrantët nuk kanë të drejtë të lëvizin në vendet e zonës “Shengen”. Pra leje për të lëvizur pa leje qëndrimi është dhënë me rastin e festave, në mënyrë që emigrantët të festojnë në vendin e tyre. Qarkorja e Ministrisë së Brendshme është shpërndarë nëpër pikat kufitare të Greqisë. Këtë vit, Pashkët Katolike janë më datë 12 prill, ndërsa Pashkët Ortodokse më 19 prill.