Mbyllet “Ruzhdia”, 5 komisionerë në gjykatë
FIER - Mbërrin në gjykatë dosja për komisionerët e Ruzhdies. Ka qenë dita e djeshme ajo që i ka dhënë fund hetimit për çështjen e famshme të Ruzhdies nga ana e Prokurorisë së Fierit. Pritet që Gjykata e Fierit të nisë procesin gjyqësor për manipulimin e zgjedhjeve në këtë fshat dhe pikërisht për zgjedhjet e zhvilluara në qendrën e votimit me numër 3052. Pesë ish-komisionerë të djathtë akuzohen për "shpërdorim detyre" dhe "shkelje të Kodit Zgjedhor". Nën hetim janë dhe 4 banorë të fshatit, të cilët pritet të përballen edhe ata me akuzën e shkeljes së Kodit Zgjedhor. Tashmë organi i akuzës ka administruar të gjitha provat ndaj tyre dhe i akuzon për shpërdorim detyre. Sipas prokurorisë komisionerët e Ruzhdies dyshohet se në zgjedhjet e 28 qershorit kanë shkelur Kodin Zgjedhor, duke lejuar edhe votim familjar. Ndërkohë, disa prej komisionerëve kanë nënshkruar në emër të votuesve, të cilët nuk gjendeshin në vend ditën e votimeve. Burime nga Gjykata e Fierit bëjnë me dije se dosja është dorëzuar nga prokurorët e çështjes dhe është regjistruar pranë sekretarisë së kësaj gjykate me të gjithë fashikujt e saj. Ndërkohë që së bashku me dosjen është dorëzuar edhe materiali voluminoz që i përket hetimit disamujor. Hetimi ndaj 5 komisionerëve të djathtë në qendrën e votimit nr 3052 ka nisur pas kërkesës së KQZ-së. Të akuzuarit janë: Bujar Kararaj, kryetar i komisionit, Pëllumb Myrtaj zv.kryetar dhe anëtarët e komisionit Robert Myftaraj, Veledin Myftaraj dhe Shezai Kararaj. Burime nga Gjykata e Fierit bëjnë me dije se në javën që pason do të hidhet shorti për të përcaktuar gjyqtarët. m.r